Mbytja e anijes në Durrës, rinisin kërkimet për kapitenin
Kanë nisur sërish sot kërkimet për gjetjen e kapitetit të anijes "Edirne" e cila u mbyt ditën e djelë në detin Adriatik, 6 milje larg Portit të Durrësit. Anijet e marinës shqiptare kanë nisur kërkimet mëngjesin e sotëm për gjetjen e kapitenit të anijes Khayam Mamadoll 54 vjeç nga Azerbajxhani i cili rezulton i zhdukur që pas mbytjes në anijes.
Kërkimet do të vijojnë sot me mjete më të specializuara që do të bëjnë të mundur që polumbarët të hyjnë në thellësi të detit atje ku ndodhet edhe anija e mbytur. Mendohet se trupi i kapitenit mund të jetë në brendësi të anijes së mbytur por nuk përjashtohet edhe mundësia se trupi i tij mund të jetë tranportuar nga rrymat larg vendit të ngjarjes. Gjithashtu mësohet se kanë mbërritur në Durrës edhe përfaqësuesit e pronarëve të anijes të cilët po marrin informacione në lidhje me ngjarjen.
Ngjarja e rëndë është shënuar mesditën e së djelës në Porto Romano ku anija çisternë "Edirne" me flamur të Sierra Leones, me 15 anëtarë në bord është mbytur 6 milje larg Portit të Durrësit ndërsa ekuipazhi i saj përbëhej nga shtetas gjeorgjanë, ukrainas dhe nga Azerbaxhani. Si pasojë e mbytjes së anijes humbën jetën dy prej pjesëtarëve të ekuipazhit, ndërsa rezulton ende i zhdukur kapiteni i anijes, ndërsa 12 pjesëtarët e tjerë u evakuuan menjëherë.
Anija çisternë ka shkarkuar disa ditë më parë një ngarkesë prej 3500 tonë karburant dhe ishte duke u larguar nga vendi ynë kur papritur ka marrë flakë si pasojë e një shpërthimi brenda saj dhe më pas është fundosur e tëra.
Dyshohet se shkak për fundojen e anijes është bërë shpërthimi i gazit brenda anijes çisternë në momentin kur pjesëtarë të ekuipazhit ishin duke pastruar tankerat, të cilat shërbejnë për të mbajtur karburantin por ende vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.