“Qeveria të lejojë hetimin e Gërdecit”
Shqipëria ka bërë progres në drejtim të anëtarësimit në NATO, por duhet të zgjidhë disa çështje siç janë reforma zgjedhore, reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe mbi të gjitha nxjerrja e përgjegjësve për tragjedinë e Gërdecit.
Këto kanë qenë disa nga konkluzionet e Komisionit të Senatit amerikan për Marrëdhënie me Jashtë në seancën e parë dëgjimore lidhur me procesin për nënshkrimin e protokolleve të NATO-s për Shqipërinë dhe Kroacinë. Sipas “Zërit të Amerikës”, senatorët shprehën vlerësimin për përparimin e arritur nga dy vendet, por shprehën mendime të ndryshme për nivelin e plotësimit të standardeve nga ana e Shqipërisë. Një përfaqësues i Departamentit të Shtetit tha se, anëtarësimi në aleancë i këtyre vendeve është në interes të Shteteve të Bashkuara dhe të përparimit të këtyre vendeve. Zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit, Daniel Frid, në dëshminë e tij para Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, shprehu mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO. “Hyrja e tyre në NATO jo vetëm që do të ndihmojë në stabilizimin e një rajoni të trazuar, por do t’u tregojë edhe vendeve të tjera në rajon se ekziston një alternativë ndaj ndasive nacionaliste dhe dhunës. Zgjerimi i NATO-s me këto vende është plotësisht në interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara”, theksoi Frid. Ndërkohë, sipas senatorit demokrat Kris Dod, detyra e anëtarëve të Kongresit është që të bëjnë pyetje të vështira para se të merret një angazhim për mbrojtje reciproke. “A ka pasur zgjedhje demokratike? Cili është niveli i respektit të të drejtave të individëve? A është vendosur me sukses shteti ligjor? A është shprehur angazhimi për reforma ekonomike dhe ekonominë e tregut”, ishin disa nga pyetjet e ngritura prej tij. Një prej pyetjeve të senatorit kishte të bënte me shpërthimin në Gërdec, teksa shtoi se, mbarëvajtja e hetimit dhe mundësia që do t’i krijohet Prokurorisë së Përgjithshme për një hetim të hollësishëm dhe transparent, është një provë për gjendjen e sistemit të drejtësisë dhe Prokurorisë. Lidhur me interesimin e senatorit demokrat, zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit, Daniel Frid, shtoi se qeverisë shqiptare i është kërkuar të lejojë hetimin e plotë të ngjarjes. Por sipas tij, shanset janë që në përfundim të këtyre hetimeve, qeveria të vihet në pozitë të vështirë. “I kemi kërkuar qeverisë shqiptare, që ta lejojë hetimin të zhvillohet çfarëdo që të dalë prej tij. Shanset janë që përfundimet e tij ta vënë në pozitë të vështirë qeverinë, sepse si me çdo problem ushtarak shtrohet problemi i përgjegjësisë. Çdo vend ka probleme dhe pyetja që shtrohet nuk është nëse ka probleme, por si i zgjidhin ato”, deklaroi Frid në këtë seancë të parë dëgjimore për Shqipërinë dhe Kroacinë. Përfaqësuesi i Pentagonit, zv/ndihmës sekretari i Mbrojtjes, Daniel Fata, u shpreh se hetimi po ndiqet me vëmendje. “Ambasada jonë dhe qeveria vazhdojnë ta nxisin Shqipërinë që ky proces të jetë sa më transparent të jetë e mundur, sepse jo vetëm Shtetet e Bashkuara, por edhe 25 vendet e tjera të NATO-s do ta ndjekim me vëmendje situatën, për të parë nëse do të plotësohen standardet e transparencës dhe shtetit ligjor”. Gjithashtu shqetësim të Kongresit Amerikan janë edhe reforma zgjedhore dhe ajo në drejtësi. Ndihmës/sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë tërhoqi vëmendjen për problemet që ende mbeten të pazgjidhura në Shqipëri. “Shqipëria ka ende punë për të bërë në fushat e reformës në drejtësi, reformës zgjedhore dhe luftës kundër korrupsionit, por ka ecur përpara në të gjitha këto fusha dhe në drejtim të përparimit demokratik në përgjithësi”, theksoi ai.
Çështja e Gërdecit
“I kemi kërkuar qeverisë shqiptare, që ta lejojë hetimin të zhvillohet çfarëdo që të dalë prej tij. Shanset janë që përfundimet e tij ta vënë në pozitë të vështirë qeverinë, sepse si me çdo problem ushtarak, shtrohet problemi i përgjegjësisë. Çdo vend ka probleme dhe pyetja që shtrohet nuk është nëse ka probleme, por si i zgjidhin ato”.
Danimarka: Do ratifikojmë protokollin
Ambasadori i ri i Danimarkës në Tiranë, Karsten Ankjaer Jensen, bëri të ditur dje se, institucionet e këtij vendi do të ratifikojnë me procedurë të përshpejtuar protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Këtë deklaratë diplomati danez e bëri gjatë një takimi me presidentin Bamir Topi, të cilit i paraqiti letrat kredenciale gjatë një ceremonie të organizuar në Pallatin e Brigadave.
Mediu dëshmon për takimet me Delijorgjin e Patrick Henry
Në ditën e dytë të paraqitjes së tij në Prokurori me cilësinë e personit në hetim për akuzën “shpërdorim detyre”, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, është përballur me pyetje më konkrete të bëra nga prokurorët e dosjes “Gërdeci”.
Trazhgim Sokolaj
Mediu bashkë me avokatët e tij hyri në Prokurorinë e Pergjithshme dje në orën 11:10 dhe doli prej andej pas më shumë se tri orësh, në 14:53. “A je takuar dhe a ke pasur kontakte me zotin Mihal Delijorgji, personin që sipas hetimeve, kishte ngritur fabrikën e çmontimit të municioneve në Gërdec?”. Kjo ka qenë pyetja e prokurorëve për ish-ministrin e Mbrojtjes Mediu, i cili mësohet të jetë shprehur se, në asnjë rrethanë ai, persona të familjes apo shoqërisë së tij, nuk kanë pasur asnjë takim dhe asnjë kontakt me Mihal Delijorgjin. Prokurorët kanë në duar edhe tabulatet e telefonatave të bëra nga ish-ministri i Mbrojtjes Mediu, nga të cilat nuk rezulton që të paktën në telefon, ai të ketë pasur kontakte me Mihal Delijorgjin, qoftë ndonjë bisedë të shkurtër e cila mund të ketë konfirmuar një takim verbal mes tyre. Pasi kanë marrë përgjigje për misterin që ekzistonte rreth takimit mes ish-ministrit të Mbrojtjes Mediu me biznesmenin Mihal Delijorgji, i arrestuar me dyshimin se është një nga shkaktarët e tragjedisë së Gërdecit, prokurorët Kujtim Luli dhe Arqile Koça, kanë kaluar në një pyetje tjetër. “Çfarë kontaktesh keni pasur me shtetasin amerikan Patrick C. Henry, bashkëpronar i kompanisë “SAC”-”Albademil”, e cila bashkë me Dilijorgjin ngriti punishten e çmontimit në Gërdec?”, ka qenë pyetja e prokurorëve. Në këtë rast, Mediu ka pranuar se ka pasur një takim me përfaqësuesin e “SAC”, porse ai ka qenë zyrtar në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes, në prani të stafit të dikasterit dhe të specialistëve e përfaqësuesve të Shtabit të Përgjithshëm.
Gërdeci
Ky takim është zhvilluar më 18 janar 2007, ku përfaqësuesit e “Southern Ammunition Company” me projektor kanë prezantuar teknologjinë që do të përdorej për çmontimin e municioneve në Gërdec. Ish-ministri i Mbrojtjes ka deklaruar se, pas këtij takimi ai nuk ka pasur kontakte me shtetasin amerikan Patrick C. Henry. Interesimi i prokurorëve lidhur me takimet e mundshme të Mediut me dy biznesmenët, që kishin nënshkruar kontratën dhe po kryenin çmontimin e municioneve në fabrikën e Gërdecit ku ndodhi tragjedia e 15 marsit 2008, është bërë me qëllim të verifikimit nëse Ministria e Mbrojtjes ka pasur një vendimmarrje të drejtë dhe ligjore, apo një përzgjedhje të paracaktuar në këtë rast. Pyetjet e tjera që kanë bërë prokurorët për ish-ministrin Mediu janë detajuar në tre urdhrat që ai ka dhënë në lidhje me Gërdecin. Ish-ministrit i janë kërkuar sqarime konkretisht për urdhrat nr.550, 416 dhe 2044 të nxjerra prej tij, duke kërkuar sqarime të hollësishme për praktikën e ndjekur në formulimin e këtyre dokumenteve, marrjen e mendimit nga specialistët dhe ushtria, si dhe përputhjen e tyre me ligjet e shtetit dhe vendimet e Këshillit të Ministrave, dhe veçanërisht në lidhje me masat për parandalimin e ngjarjeve të jashtëzakonshme që mund të ndodhnin gjatë çmontimit të municioneve. Mediu ka pretenduar se ka zbatuar ligjet me hartimin e këtyre urdhrave, që janë iniciuar nga ushtria dhe Shtabi i Përgjithshëm, ndërsa Prokuroria thotë se, urdhri nr.2044 i firmosur prej ish-ministrit, është ai mbi të cilin vazhdonte çmontimi në Gërdec kur ndodhi tragjedia dhe një dokument në kundërshtim me VKM-të për demontimin e municioneve të kalibrit të rëndë. Seanca e djeshme e Mediut në Prokurori u zhvillua pas pyetjes së tij për 7 orë me radhë të mërkurën.
I mbijetuari i Gërdecit kërkon trashëgiminë
Uran Deliu, njëri prej të mbijetuarve të tragjedisë së Gërdecit, i cili humbi nga shpërthimi i 15 marsit pjesën më të madhe të familjes, i është drejtuar Gjykatës së Tiranës për lëshimin e dëshmisë së trashëgimisë. Shorti elektronik në gjykatë e ka caktuar gjykatësin Petrit Çomo për të shqyrtuar kërkesën e 27- vjeçarit Deliu, por për tre seanca radhazi ka qenë e pamundur të zhvillohej gjykimi, pasi kërkuesi nuk paraqitet. Pas kësaj, gjykata vendosi ta shtynte gjyqin për një datë tjetër, duke përsëritur thirrjet për kërkuesin, si dhe duke saktësuar adresën e tij. Familja Deliu humbi pesë persona nga shpërthimi i 15 marsit, kjo për shkak se banesa e tyre ndodhej vetëm 4 metër larg hyrjes së repartit ushtarak, të kthyer në fabrikë për demontimin e predhave të artilerisë, ndërsa shumë prej anëtarëve të kësaj familjeje punonin në repart. f.m.
Hetuesi i “Gërdecit”, shkon zv/drejtor policie në Durrës
TIRANE – Mediat elektronike transmetuan dje në mesditë lajmin për largimin dhe transferimin në detyra të ndryshme të oficerëve, që po merreshin me hetimin e dosjes “Gërdeci”. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, në një reagim publik bëri të ditur se, “nga grupi hetimor i dosjes “Gërdeci” është larguar vetëm Arben Frashëri, deri tani në pozicionin e oficerit të Policisë Gjyqësore në Policinë e Shtetit. “Ai është emëruar në detyrën e zëvendësdrejtorit të Policisë së Qarkut Durrës. Të gjithë oficerët e tjerë të angazhuar në ndihmë të grupit të prokurorëve të çështjes “Gërdeci” janë në detyrë, përfshi këtu dhe drejtues të strukturave të hetimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit”, thuhet në deklaratën e Policisë së Shtetit. Sipas burimeve të tjera zyrtare, emërimi i oficerit të Policisë Gjyqësore, Arben Frashëri, në funksionin e zv/drejtorit të Policisë së Durrësit, ka qenë një vendim i marrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit rreth 2 muaj më parë. Sipas burimeve zyrtare, transferimi i oficerit Frashëri në detyrën e re është bërë në vlerësim të eksperiencës së gjatë të tij në strukturat e Policisë së Shtetit dhe në hetimin e dosjeve penale për goditjen e kriminalitetit. Burimet zyrtare të policisë thanë se, emërimi i Arben Frashërit është bërë pas ndryshimeve që parashikuan se hetimi i dosjeve penale do të bëhet në polici. Në këtë mënyrë, duke vlerësuar përvojën dhe aftësitë e oficerit Frashëri, është bërë edhe emërimi i tij si zv/drejtor në policinë e Durrësit, detyrë në të cilën ai u prezantua ditën e djeshme. t.s