McIlwham, Berishës: Reformat, siguri për të ardhmen evropiane
Kryeministri Sali Berisha merr mbështetjen e fortë të Mbretërisë së Bashkuar për perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe programin e reformave që do të sigurojnë të ardhmen evropiane. Z. Berisha priti dje ambasadoren e Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, zonjën Fiona McIlwham, e cila i shprehu atij urimet e saj më të përzemërta për rizgjedhjen në këtë post. Ambasadorja britanike McIlwham i garantoi Kryeministrit Berisha mbështetjen e fortë të Mbretërisë së Bashkuar për reformat integruese, kurse në njoftimin më të zgjeruar të ambasadës britanike në Tiranë, bëhet e ditur se në mesazhin e urimit për Kryeministrin Sali Berisha, Kryeministri Gordon Brown nënvizonte: “Ky është një moment jetik për Shqipërinë, si shteti më i ri anëtar i NATO-s dhe kërkues për statusin e vendit kandidat në BE. Do të jetë me rëndësi që qeveria juaj e re të demonstrojë menjëherë angazhimin për programin gjithëpërfshirës të Shqipërisë dhe shpresoj se qeveria juaj do të kryesojë përpjekjet për përfshirjen e të gjitha palëve dhe partive politike në dialogun politik dhe veprimet për stimulimin e reformave”. Kryeministri Gordon Brown theksoi gjithashtu: “Reforma e gjyqësorit dhe progresi i qëndrueshëm në luftën kundër korrupsionit janë tanimë përparësi urgjente, nëse Shqipëria kërkon të përmbushë standardet evropiane. Shpresoj të kemi progres real në të dyja fushat”. Ministrat britanikë kanë nënvizuar gjithashtu bashkëpunimin e fortë ekzistues në luftën kundër krimit të organizuar dhe reformën e gjyqësorit, si fusha ku ata shpresojnë të shohin vëmendje të shtuar. Në mesazhin e tij drejtuar ministrit të Jashtëm Ilir Meta, Sekretari i Jashtëm, David Miliband, nënvizoi “rolin ndihmues dhe konstruktiv të Shqipërisë në mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor, sidomos në Kosovë” dhe shpresën e tij se kjo gjë do të vazhdojë.