E Diel, 1 Nëntor 2026

McIlwham: Britania mbështet integrimin e Shqipërisë në BE

TIRANE – “Rajoni i Ballkanit perëndimor mbetet një angazhim strategjik i Britanisë së Madhe. Ky vend mbështet integrimin e Shqipërisë në BE”. Kështu ka deklaruar sot ambasadorja britanike në vendin tonë, Fiona McIlwham, gjatë Forumit Britaniko-Shqiptar për reformat në biznes dhe ekonomi, që u zhvillua në Tiranë.

“Ne duam që Shqipëria të bëjë progres këtë vit. Ne po punojmë së bashku edhe me partnerët e tjerë ndërkombëtarë për të mbështetur procesin e reformave në vend, që do çelin rrugën e integrimit.” – deklaroi ambasadorja.

Zonja McIlwham tha mes të tjerash se qëllimi i këtij takimi është të ndihmojë biznesin shqiptar për lidhje dhe bashkëpunim me bizneset në Britaninë e Madhe.

“Diplomacia ekonomike është në zemër të politikës së jashtme”- vijoi ajo, duke theksuar se qeveritë kanë një rol të rëndësishëm në mbështetje të biznesit, për krijimin e një mjedisi sa më të favorshëm për ta.

Sipas ambasadores britanike, institucionet e forta, kuadri i fortë ligjor dhe gjyqësori i pavarur kanë mbështetur rritjen ekonomike të vendit të saj, duke u rënditur një prej dhjetë eksportuesve globalë dhe investitori i dytë më i madh në tregjet e huaja.

(er.nu/news24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›