E Shtunë, 31 Tetor 2026

Yjet nuk shkëlqejnë

Neymar, Robinho, Alexandre Pato e as Elano, Fred e Lucas Silva nuk arritën të shënojnë së paku një gol për Brazilin në barazimin befasues 0-0 kundër Venezuelës, në ndeshjen e tyre të parë në Grupin B të Copa America. Në takimin tjetër mes Paraguait dhe Ekuadorit epilogu ishte i njëjtë, 0-0. Nga Express më 05 korrik 2011 në ora 08:16

Selektori i Brazilit, Mano Menezes, është i pakënaqur me ekipin e tij pas barazimit befasues 0-0 me Venezuelën në ndeshjen e tyre të parë në Grupin B në Copa America. Brazili, që gjendet 63 pozita mbi Venezuelën në renditjen e FIFA-s, ishte pritur të shkelte kundërshtarin e tij inferior të dielën, por ata nuk arritën më tepër se një barazim pa gola.

Njësoj si nikoqiri Argjentina, që barazoi 1-1 me Bolivinë në ndeshjen e tyre të parë në Grupin A, brazilianëve u mungoi kreativiteti dhe efikasiteti në sulm, ndërsa dështuan të rrezikojnë seriozisht portierin e Venezuelës, Renny Vega, i cili rrallë herë u desh të intervenojë.

Në deklaratat e tij pas ndeshjes, Menezes pranoi se futbollistët e tij nuk luajtën mirë. “Në pjesën e parë kishim raste për shënim”, tha Menezes për ueb faqen zyrtare të Copa Americas. “Por, pjesa e dytë ishte ndryshe, na mungoi mprehtësia dhe loja kreative”, shtoi ai.

Pas aktivizimit të Gansos, Robinhos, Alexandre Patos dhe Neymarit në repartin ofensiv, Menezes inkuadroi Elanon, Fredin dhe Lucas Silvan në pjesën e dytë, por pa sukses.

“Ne provuam të dy ekipet, të dyja nuk ishin të shpejta dhe nuk mund të depërtonin në zonë. Venezuela u mbrojt shumë mirë”, u shpreh ai.

Paraguai - kundërshtari i ardhshëm i Brazilit - pritet të shfaqë rezistencë edhe më të fortë dhe Menezes paralajmëroi ekipin e tij se futbollistët e Gerardo Martinos do të kenë “përgjegjësi më të madhe” se Venezuela dhe se ekipi i tij do ta ketë vështirë të dominojë sikurse në ndeshjen e së dielës.

“Do të kemi një përballje shumë të balancuar”. Brazili e mbyll fazën e grupeve kundër Ekuadorit më 13 korrik dhe do të synojë të përfundojë në dy pozitat e para për të siguruar kalimin në çerekfinale. Për fatin e tyre edhe ndeshja tjetër e Grupit B përfundoi në barazim. Paraguai dhe Ekuadori luajtën 0-0.

Ndeshjet e para të dy grupeve në Copa America sollën numër shumë të vogël të golave prej tri shënimeve nga katër takime. Përmirësimet sigurisht se do të vijnë me vazhdimin e garës, pasi takimi në Estadio Brigadier General Estanislao Lopez kaloi pa raste të mira për shënim për të dyja ekipet.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›