Synime të mëdha

Mbrojtësi i majtë i Chelseas, Ashley Cole synon të fitojë Premierligën dhe Ligën e Kampionëve në sezonin e ardhshëm. Në atë që është sinjal i qartë në mënyrën si përgatitet klubi për sezonin e parë nën drejtimin e menaxherit të ri Andre Villas-Boas, Cole është i vendosur të tejkalojë dëshpërimin e edicionit të kaluar pa asnjë titull të fituar.
Për më tepër, reprezentuesi anglez është i bindur se Chelsea mund të bëjë një hap edhe më të madh dhe të triumfojë në garën ku kanë dështuar çdo herë deri më tani, Ligën e Kampionëve.
Në edicionin e kaluar të garës elite të klubeve evropiane, Barcelona dominoi kundër Manchester Unitedit duke e mposhtur 3-1 në finale në Wembley. Edhe pse pranon se Barcelona është ekip i shkëlqyeshëm, Cole nuk mendon se ata janë të pamposhtshëm. “Nuk mendoj se duhet të krahasohemi me Manchester Unitedin, Barcelona mund të mposhtet”, tha Cole për tabloidin britanik The Sun.
“Kam shkuar për të përcjellë finalen e Ligës së Kampionëve dhe mendova se Manchester United mund të fitojë. Mënyra si luajti Barcelona ishte e pabesueshme, si një makinë dhe nuk të kuptoni pse njerëzit mendojnë se ata janë të pamposhtshëm”, shtoi ai.
Megjithatë, Cole beson se fati luajti rol të rëndësishëm në sukseset e fundit të Barcelonës duke përmendur eliminimin e Chelseas nga gjiganti katalan dy vite më parë si një shembull klasik.
“Ne është dashur t’i mposhtim ata në gjysmëfinale dy vite më parë, kur kishim tri penallti të paakorduara”, u shpreh ish ylli i Arsenalit.
Chelsea do të synojë të rimerr titullin e Premierligës nga Manchester United në sezonin e ardhshëm, ndërsa Cola e vajtoi humbjen 2-1 në Old Trafford që pothuajse përcaktoi se titulli do t’u takojë Djajve të Kuq.
Ai thekson se Premierliga mbetet objektivi i tij kryesor, edhe pse pronari Roman Abramovich është i uritur të fitojë Ligën e Kampionëve.
“Ende besoj se me fitore në Old Trafford disa javë para përfundimit të sezonit të kaluar do të kishim fituar ligën. Personalisht, preferoj të fitoj ligën çdo vit sesa Ligën e Kampionëve”, përfundoi ai.
Prej kalimit të tij të debatueshëm në Stamford Bridge nga Arsenali më 2006, Cole ka bërë mbi 200 paraqitje për Chelsean dhe konsiderohet njëri prej mbrojtësve të majtë më të mirë në botë.