E Shtunë, 31 Tetor 2026

Më pak investime për bashkitë dhe komunat

Bashkitë dhe komunat nuk kanë mundur të kryejnë investimet e duhura. Shifrat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se gjatë muajve janar-korrik 2009, pushteti lokal ka shpenzuar rreth 2.2 miliardë lekë më pak se plani. Shpenzimet për pushtetin lokal kanë arritur në rreth 17.9 miliardë lekë, nga rreth 20.2 miliardë lekë të planifikuara. Sipas Financave, plani nuk ka mundur të realizohet në masën rreth 11 për qind. Kundrejt planit vjetor, këto shpenzime kanë arritur në rreth 48.68 për qind të tij.

Krahasuar me një vit më parë, këto shpenzime rezultojnë rreth 5.2 miliardë lekë më të larta, ose rreth 48.7 për qind më shumë.

Ndërkaq, shpenzimet e përgjithshme të buxhetit, në fund të muajit korrik 2009, kanë arritur në rreth 211.4 miliardë lekë, nga rreth 225.1 miliardë lekë të parashikuara për këtë periudhë, duke u realizuar në rreth 94 për qind të parashikimit, ose gati 13 miliardë lekë më pak.

Pushteti lokal ka treguar se deri në fund të vitit nuk ka mundur që t‘i kryejë të gjitha shpenzimet e planifikuara. Mesatarja e çdo viti nuk e kalon 85 për qind të planit. Sipas Ministrisë së Financave, shkak për këtë mosrealizim të shpenzimeve ka qenë mungesa e informacionit dhe kulturës për të bërë tenderë në formë të rregullt ligjore. Tjetër arsye lidhet me kapacitetin, e cili nuk plotëson nevojat për të pasur një staf të kualifikuar. Megjithatë, shpenzimet e pushtetit lokal lidhen edhe me nivelin e të ardhurave, të cilat nuk duhet të jenë poshtë planit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›