ALUIZNI, fond të veçantë për dëmshpërblimin e ish-pronarëve
Me ndryshimet e miratuara së fundi nga Parlamenti shqiptar në ligjin e legalizimeve, Agjencisë Kombëtare të Legalizimeve i hapet rruga për krijimin e një fondi të posaçëm financiar për dëmshpërblimin e pronarëve, toka e të cilëve është zënë nga ndërtimet pa leje. Në bazë të ndryshimeve në ligj, ALUIZNI ka nisur procedurat për ngritjen e këtij fondi financiar, i cili do të krijohet nga pagesa që do të bëjnë individët që kanë ndërtuar në tokat e pronarëve të vërtetë. Burime zyrtare nga ALIUZNI, ndërsa vlerësojnë ndryshimet e miratuara në ligj, theksojnë se amendimet do ta bëjnë më eficiente skemën e dëmshpërblimin të pronarëve të ligjshëm duke vendosur dhe afate për dëmshpërblimin e tyre. “Përmes disa shtesave dhe ndryshimeve të cilave Ligji nr. 9482, datë 3.4.2007, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” po i nënshtrohet, synohet; të përmirësohet dukshëm dhe të bëhet sa më eficiente skema e dëmshpërblimit të pronarëve të ligjshëm, duke vendosur afate konkrete lidhur me kryerjen e procedurave të kompensimit, ta kthejnë ALUIZNI-n në një strukturë ekzekutive, të kualifikuar dhe me resurse njerëzore e teknike, e cila do të ushtrojë përgjegjësinë për të përmbushur çdo detyrim ligjor që parashikon procesi i legalizimit, si dhe të krijohet fondi i nevojshëm financiar për dëmshpërblim, përmes pagesës së parcelës ndërtimore të zënë nga subjektet poseduese të ndërtimeve pa leje”, - bëjnë të ditur burimet zyrtare nga kjo Agjenci kombëtare.
11 Korrik 2008