E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Pronat e shqiptarëve në Greqi, çështje për t u negociuar mes dy shteteve”

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Marrëdhëniet shqiptaro-greke

Nënkryetari i Kuvendit të Shqipërisë dhe Presidenti i PAD-së, Neritan Ceka, ka thënë se çështja e zgjidhjes së problemit të pronave që kanë shqiptarët në Greqi tashmë do të zgjidhet lehtësisht me hyrjen në fuqi të MSA-së dhe detyrimeve që kanë të gjitha vendet e BE-së në kuadër të të drejtave të njeriut, por nënvizoi se pretendimet për pronat në Greqi lidhen edhe me pretendimet e qytetarëve grekë dhe pronave të tyre në Shqipëri. “Natyrisht që mbetet çështja e pronave të shqiptarëve në Greqi, e cila veçanërisht me futjen në zbatim të MSA-së kthehet në një çështje të të drejtave të njeriut”, - tha nënkryetari i Kuvendit, Ceka. Marrëdhëniet shqiptaro-greke kanë njohur një intensitet bashkëpunimi në të gjitha fushat katërvjeçarin e fundit, shenja të qarta të uljes së toneve nga ana e politikës së dy shteteve, por edhe e bashkëpunimit të vetë shqiptarëve dhe grekëve në të gjitha fushat. Por edhe pse disa nga çështjet politiko-sociale dhe ekonomike kanë marrë zgjidhje ose janë në rrugën e mbarë, disa të tjera ngelen ende pezull dhe të pakonsumuara fare. Një nga ato dhe më emergjentja është çështja e pronave të shqiptarëve në shtetin fqinj Greqinë, e cila ose nuk është diskutuar fare nga takimet e rangut të lartë qeveritar dhe shtetëror midis palëve shqiptare dhe greke ose është konsumuar me deklarata teknike dhe më shumë nga eksponentë të opozitës apo organizatave të ndryshme joqeveritare. Një tjetër çështje është edhe legalizimi i përhershëm i emigrantëve shqiptarë në Greqi si dhe integrimi i tyre dhe i fëmijëve të tyre në shoqërinë greke, por edhe arsimimi dhe ruajtja e identitetit të tyre në shtetin fqinjë. Për të folur mbi këto tri çështje gazeta “Ballkan” bisedoi me nënkryetarin e Kuvendit dhe Presidentin e Partisë Aleanca Demokratike, Neritan Ceka, i cili në prag të vizitës në Tiranë të Kryeministrit grek, Kostandinos Karamanlis, ka analizuar se çfarë është bërë mbi disa çështje në marrëdhëniet midis dy vendeve dhe çfarë duhet bërë më tepër mbi çështjet e mbetura pezull mes dy qeverive. Ceka, ndër të tjera, nënvizioi: “Besoj se çështjet kryesore janë zgjidhur. Kanë qenë çështje që lidheshin qoftë me MSA-në dhe me anëtarësimin në NATO, në të cilat shteti grek ka luajtur një rol shumë pozitiv, mendoj, dhe si miratues në të dyja rastet, por edhe si mbështetës në kuadrin e atyre që morën vendimin. Për sa u përket çështjeve që mund të diskutohen midis dy vendeve mendoj që ato janë gjithnjë në pakësim, janë çështje që kanë të bëjnë me projekte praktike dhe mund të zgjidhen midis ministrave përkatës dhe janë gjithnjë e më pak çështje të karakterit politikë. Natyrisht që mbetet çështja e pronave të shqiptarëve në Greqi, e cila veçanërisht me futjen në zbatim të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit kthehet në një çështje e të drejtave të njeriut, pasi një nga kapitujt kryesorë të MSA-së ka të bëjë me të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, ku bën pjesë edhe prona dhe kjo ka të bëjë si me pronat e qytetarëve grekë në Shqipëri dhe me pronat e qytetarëve shqiptarë në Greqi. Është një çështje që duhet të marrë një rrugë, gjithmonë në nivelin e të drejtave themelore të shtetasve. Integrimi në BE dhe shkallët e tjera të anëtarësimit, lëvizja e lirë e qytetarëve, me heqjen e vizave, parashikon dhe kushte më të mira për punësimin e shqiptarëve, natyrisht brenda ligjeve që ka çdo vend. Të mos kemi iluzione, edhe midis dy vendeve anëtare të BE-së çështjet e punësimit dhe integrimit të emigrantëve janë çështje shumë të lehta. Mendoj që statusi i emigrantëve shqiptarë në Greqi ka ardhur duke u përmirësuar. Arsimi dhe ruajtja e identitetit është një çështje, që i takon më shumë shtetit shqiptar sesa atij grek, në këtë drejtim kemi bërë shumë pak. Por ndoshta në vitet e ardhshme duhet të shtojmë investimet për shqiptarët në këtë drejtim, veçanërisht për mbështetjen e arsimimit paralel, të ngritjes së qendrave kulturore, në qytetet greke ku ka më shumë shqiptarë, edhe të emisioneve televizive, të cilat mund të orientohen drejt këtij komuniteti emigrantësh shumë të madh shqiptar”, - përfundoi nënkryetari i Kuvendit dhe presidenti i Aleancës Demokratike, Ceka.
Ky lajm është publikuar: 11/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›