E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafikantët, breshëri automatiku policisë

Autori i Lajmit: red.
Dy punonjës policie janë plagosur gjatë një operacioni për ndalimin e tre të kërkuarve për trafik droge. Përleshja mes efektivëve blu dhe trafikantëve të hashashit është zhvilluar si në filmat me aksion. Policët janë pozicionuar për të arrestuar në flagrancë transportuesit e 8 kilogramë hashashi, por të arrestuarit ishin të armatosur. Asnjëri prej tyre nuk ka mundur të përdorë armën, por kanë goditur policët me grushta e gurë. Ndërkohë, persona të tjerë të armatosur kanë qëlluar me breshëri automatiku nga distanca në drejtim të policëve. Fatmirësisht asnjë prej plumbave nuk ka kapur efektivët në aksion. Gjithçka ka ndodhur në fshatin Bratosh të Shkodrës mesnatën e së enjtes. Menjëherë pas njoftimit është ngritur grupi hetimor dhe është shkuar në drejtim të vendit të ngjarjes dhe ka vënë në pranga të dyshuarit.
Ngjarja
Efektivat e Drejtorisë së Policisë Shkodër kanë organizuar shërbime policore në aksin rrugor të fshatrave Vuçaj – Bratosh me qëllim arrestimin e dy të dyshuarve për trafik droge. Pas informacioneve të marra, se Gjergj Marvukaj, person në kërkim për veprën penale të plagosjes dhe Sabah Vuçaj transportonin lëndë narkotike të armatosur, policia është nisur drejt vendit të ngjarjes për arrestimin e tyre. Në operacion kanë marrë pjesë punonjësit e policisë Sejfulla Metko, Erdit Rreçeku, Erzen Cera, Pëllumb Shpati, Kreshnik Gjeçka, Besnik Shima, Ilmi Gjona. Grupi i përbërë nga punonjësit e policisë Pëllumb Shpati dhe Kreshnik Gjeçka janë pozicionuar në fund të fshatit Vuçaj për mbajtjen nën vëzhgim të lëvizjeve të personave, e mjeteve që lëviznin.
Më qëllim kapjen në flagrancë, punonjësit e policisë Sejfulla Metko, Erdit Rreçeku, Erzen Cera, Besnik Shima, Ilmi Gjona, janë pozicionuar në të dy anët e rrugës automobilistike afër fshatit Vuçaj. Rreth orës 22.00, përgjatë rrugës së fshatit ka kaluar një person, i cili mbante në dorë një thes ngjyrë gri duke vazhduar rrugën Vucaj–Zagorë. Punonjësit e policisë Erdit Rreçeku dhe Ilmi Gjona kanë vazhduar ndjekjen e këtij personi në këmbë pas konstatimit të faktit se ky person mbante në dorë një thes, i cili dyshohej se mund të ishte me lëndë narkotike. Pas rreth 50 metra nga vendi i shërbimit, punonjësit e policisë Erdit Rreçeku dhe Ilmi Gjona kanë takuar në anë të rrugës një person i cili mbante një thes në ngjyrë të errët, në këtë kohë i janë afruar në distancë prej 2 metrash duke i bërë thirrje: “Policia“. Personi i lartpërmendur menjëherë u ka drejtuar një armë zjarri automatik, duke qëlluar në drejtim të tyre me breshëri, por punonjësi i policisë Erdit Rreçeku ka arritur t ia shmangë drejtimin e armës duke u përleshur më të. Punonjësi tjetër i policisë, Ilmi Gjona, i ka shkuar në ndihmë. Personi i armatosur ka kundërshtuar me forcë duke mos e lëshuar armën nga dora dhe në këtë kohë vazhdonte të qëllonte me armë, e cila ishte e kapur nga të gjithë këta persona. Gjatë kësaj kohe, në përleshje e sipër, personi është dëmtuar në kokë për shkak se vendi ishte me gurë e shkurre. Gjatë momentit që punonjësit e policisë po përpiqeshin për neutralizimin e këtij personi, dy persona të tjerë të armatosur me armë zjarri automatike, qëllojnë në drejtimin e punonjësve të policisë për të shpëtuar shokun e tyre.
Arrestimi
Policia ka vënë në pranga Sabah Vuçaj, Besnik Vuçaj e Mondi Vuçaj. Sabah Vuçaj ishte pikërisht ai që është kapur në flagrancë me lëndën narkotike, e cila pas peshimit rezulton se është rreth 7 kg e 700 gramë si dhe një automatik me dy krëhër me fishekë. Ndërsa armët e kapura shtetasve Besnik Vuçaj dhe Mondi Vuçaj ishin armë zjarri automatike model 56 me një karikator me 4 fishekë.

Policët e plagosur
Punonjësit e policisë Sejfulla Metko e Ilmi Gjona, kanë arritur që në befasi në përleshje trup më trup t u heqin armët nga dora këtyre personave me ndihmën e një tjetër punonjësi të policisë. Në kohën që u neutralizuan personat e mësipërm përreth vendit të ngjarjes dëgjoheshin të shtëna armësh automatike me breshëri. Policët ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe po marrin ndihmë mjekësore në spitalin e Shkodrës.
Ky lajm është publikuar: 11/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›