E Diel, 1 Nëntor 2026

Me 10 korrik, NATO firmos kontratën finale me Shqipërinë

Në selinë e NATO-s në Bruksel përfundoi dje raundi i parë i bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në organizatën veriatlantike. Pas ftesës që Shqipëria së bashku me Kroacinë mori në samitin i Bukureshtit për t’u bërë anëtare e kësaj Aleance, këto bisedime shënojnë pjesën proçedurale që duhet të ndiqet për t’u realizuar anëtarësimi. Ekipi negociator shqiptar kryesohej nga z. Glori Husi, Koordinator Kombëtar për çështjet me NATO-n, ndërkohë që negociatat u përqendruan në çështjet politike dhe të mbrojtjes. “Shqipëria angazhohet të përmbushë të gjitha detyrimet që rrjedhin nga parimet bazë të Traktatit të Uashingtonit”, thuhet më tej në këtë njoftim. Pas këtij raundi të bisedimeve, më 9 maj 2008 do të mbahet edhe një raund tjetër, gjatë të cilit do të negociohet për çështje të karakterit tekniko-ligjor, çështje të sigurisë dhe të burimeve financiare dhe njerëzore. Pas përfundimit të negociatave dhe konsultimeve do të aprovohet një plan masash dhe veprimesh me afate të përcaktuara qartë, të domosdoshme për anëtarësimin me të drejta të plota në Aleancë, të cilat do të përmbushen gjatë kësaj periudhe, deri në pranverën e vitit të ardhshëm. Ndërkaq, këto raunde bisedimesh, sipas një planifikimi në NATO, duhet të përfundojnë në muajin korrik të këtij viti, ndërsa pritet që në datën 9 të këtij muaji, Shqipëria, që mori ftesën së bashku me Kroacinë për në NATO, të nënshkruajë zyrtarisht anëtarësimin në Aleancë. Pas kësaj date fillon proçedura e ratifikimit të anëtarësimit nga të gjitha vendet anëtare të NATO-s, procedura që zgjasin rreth një vit. Kjo procedurë këtë herë mund të zgjasë më pak dhe anëtarësimi i plotë i Shqipërisë në NATO mund të ndodhë në pranverën e vitit të ardhshëm, kur aleanca veriatlantike të shënojë 60-vjetorin e krijimit. Pritet që në samitin e ardhshëm të NATO-s, që zhvillohet në dy qytete, Strasburg të Francës dhe Keln të Gjermanisë, Shqipëria dhe Kroacia të marrin pjesë si anëtare me të drejta të plota të organizatës. Maqedonia, që ishte pjesë e grupit të ashtuquajtur Adriatik 3 me aspiratë për të marrë ftesën për anëtarësim, nuk e mori këtë ftesë gjatë samitit të Bukureshtit për shkak të kundërshtimeve greke lidhur me emrin e saj. Gjithsesi, për vendin fqinj, bëhet e ditur se proçedura për anëtarësimin mund të shkojë paralelisht me dy vendet e tjera nëse ky vend zgjidh shpejt me Greqinë mosmarrëveshjet për çështjen e emrit.
Oketa: Forcat tona të Armatosura mbajtën peshën kryesore që Shqipëria të meritonte ftesën në Samitin e Bukureshtit/Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, vlerësoi dje, gjatë një takimi me Trupat e Regjimentit Komando dhe Batalionin e Operacioneve Speciale në Zall-Herr, pak kilometra larg Tiranës, angazhimin e këtyre forcave për realizimin e standardeve për integrimin e Shqipërisë në NATO. “Forcat tona të Armatosura kanë mbajtur peshën kryesore që Shqipëria të meritonte ftesën në Samitin e Bukureshtit. Kjo është fitore e të gjithë shqiptarëve, por tek unë si ministër i Mbrojtjes së Republikës do të gjeni mbështetjen maksimale”, tha ministri Oketa i cili brenda pak ditësh viziton për herë të dytë trupat në Zall Herr. Z.Oketa evidentoi angazhimin e këtyre trupave në përballimin e situatave emergjente për eliminimin e pasojave të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore dhe njerëzore, si përmbytje, zjarre apo dhe në rastin tragjik të shpërthimit në Gërdec. Ai theksoi se “arritjet tuaja përbëjnë edhe garancinë që në prillin e ardhshëm, të meritojmë anëtarësimin e plotë në NATO”. Në këtë takim Ministri Oketa shoqërohej nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral lejtnant Luan Hoxha dhe Komandanti i Forcave të Bashkuara, Gjeneral major Shpëtim Spahiu.
Oketa-Van Voorst: Holanda do të mbështesë projektet për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në NATO /Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, ka marrë mbështetjen e Holandës për realizimin e projekteve për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në NATO. Gjatë një takimi të mërkurën me Ambasadorin e Holandës në vendin tonë, Van Voorst tot Voorst, ministri Oketa shprehu falenderimet për ndihmën që Holanda ka dhënë në përmbushjen e standardeve për integrimin e Shqipërisë në strukturat e NATO-s. Ambasadori holandez, pasi uroi z.Oketa për detyrën e re, nënvizoi se “Holanda do të jetë gjithmonë e pranishme me ndihmën e saj në mbështetje të projekteve që do ta bëjnë Shqipërinë anëtare me të drejta të plota në NATO”. Ministri Oketa vlerësoi ecurinë e projektit që po realizohet mes Ministrisë sonë të Mbrojtjes dhe kompanisë holandeze “Damen Shipyards”, që përfshin investime të rëndësishme që rrisin më tej kapacitetin operacional të Forcave tona Detare dhe që ndikojnë dukshëm në forcimin e kontrollit të ujrave tona detare.
Topi falenderon Bullgarinë për mbështetjen e dhënë për anëtarësimin në NATO/Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti të mërkurën në Presidencë zv/kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Ivailo Kalfin, i cili ndodhet në Tiranë për një vizitë zyrtare, gjatë të cilit mori mbështetjen e Bullgarisë në përpjekjet e Shqipërisë për integrimin e plotë në NATO dhe në BE. Gjatë këtij takimi z. Kalfin shprehu gatishmërinë e palës bullgare për të ndarë përvojën e saj integruese në NATO dhe BE. Ai siguroi për vazhdimësinë e mbështetjes së vendit të tij në përmbushjen e aspiratave integruese të Shqipërisë. Presidenti Topi, duke vlerësuar marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve, shprehu besimin për thellimin e tyre në të gjitha fushat, sidomos në rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe ekonomike, lëvizjen e lirë të njerëzve e mallrave, etj. Një vlerësim të veçantë Presidenti Topi shprehu për pozicionin e qartë të Bullgarisë lidhur me zgjidhjen e çështjes së Kosovës, njohjen e pavarësisë së saj si një shtet i ri multietnik, me institucione të konsoliduara demokratike, ku respektohen të gjitha të drejtat e njeriut dhe të pakicave. Kreu i shtetit vlerësoi mbështetjen që Bullgaria i dha Shqipërisë në marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO, ndërsa shprehu besimin se kjo mbështetje do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Ai vuri në dukje se tashmë rajoni ynë ka fituar paqe dhe qëndrueshmëri afatgjatë duke patur si synim integrimin e të gjitha vendeve të tij në familjen e madhe europiane dhe strukturat euroatlantike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›