Banka Botërore fillon pastrimin e Porto Romanos
Përmes një projekti të Bankës Botërore, një kompani e kontraktuar filloi punën të enjten për të pastruar zonën e ndotur të Porto Romanos në veri të Durrësit nga mbetjet toksike të trashëguara nga industria e falimentuar kimike e kohës së komunizmit. Punimet do të kryhen në ish-fabrikën e Lindanit, një agjent kimik që përdoret përgjithësisht si pesticid në bujqësi.
“Pastrimi i Porto Romanos është një komponent i Projektit të Menaxhimit të Integruar të Bregdetit dhe Pastrimit, i cili ka filluar në nëntor 2005. Komponenti i Porto Romanos synon të rehabilitojë zonën e ndotur të ish-fabrikës, duke shkatërruar dhe gërmuar materialet e ndotura dhe duke i depozituar ato në një zonë të sigurt dhe të mbrojtur. Më herët, në maj 2006, qeveria e Holandës akordoi paralelisht edhe 1 milion euro për ripaketimin dhe asgjësimin e sigurt të mbeturinave kimike të depozituara në Bishtin e Pallës. Mbetjet e ripaketuara do të asgjësohen në një fabrikë të specializuar në Gjermani”, njoftoi Banka Botërore.
#