Skenarët e suprimimit të Rezolutës 1244 të OKB-së
Zërat se Uashingtoni dhe Brukseli, sidomos i pari, po përgatisin skenarë të ndryshëm për zgjidhjen e situatës së komplikuar në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës, menjëherë mbas ditës kur do bëhet i ditur vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë së Hagës për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, po ndiqen me vesh të ngritur dhe me shqetësim nga Beogradi, gjë që e tregojnë edhe reagimet e zyrtarëve të lartë dhe politologëve serbë. Ky shqetësim bëhet edhe më i madh, pasi, sikurse thuhet gjerësisht, këta skenarë, midis të tjerave, përfshijnë suprimimin, me insistimin amerikan, të Rezolutës 1244 të OKB-së, pas së cilës është kapur fort Serbia në përpjekjet e saj për ta kundërshtuar pavarësinë e Kosovës. Sipas medias serbe, që u referohet qarqeve politike në Uashington dhe Bruksel, ndërkohë që plani i BE-së, ende i padefinuar deri në fund, synon, në radhë të parë, të ushtrojë presion mbi Serbinë që ajo, më në fund, të fillojë bashkëpunimin praktik me Kosovën, Uashingtoni tashmë ka dy muaj që e ka përgatitur planin, në kuadrin e të cilit ai, në këmbim të mbështetjes së anëtarësimit më të shpejtë të Serbisë në BE dhe aksesit më të lehtë te fondet e BE-së, i ka kërkuar Beogradit që të pranojë suprimimin e Rezolutës 1244 të OKB-së, që do të thotë forcim të mëtejshëm të pavarësisë së Kosovës.
Sidoqoftë, duke reaguar ndaj zërave të lartpërmendur dhe duke pranuar, në këtë mënyrë tërthorazi përpjekjet që po bëhen në prapaskenë, për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së statusit të Kosovës në favor të pavarësisë së kësaj të fundit, ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, vuri në dukje dje në Pançevo se as që bëhet fjalë për suprimimin ose ndryshimin e Rezolutës 1244 të OKB-së për Kosovën, se nuk po zhvillohen bisedime të fshehta për këtë çështje dhe se kjo rezolutë është i vetmi kuadër, brenda të cilit mund të bisedohet për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. “Nuk ka shans që të ndryshojë rezoluta në fjalë, pasi numri më i madh i vendeve-anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së janë kundër dhe midis tyre dy vende-anëtare të përhershme (Rusia, Kina) me të drejtë vetoje të këtij Këshilli”, vuri në dukje shefi i diplomacisë serbe. Por analisti politik i mirinformuar i agjencisë amerikane kërkimore “TSM Global” të Uashingtonit, Obrad Kesiç (me prejardhje serbe), konsideron se fjala është për një zhvillim të avancuar në politikën e Departamentit amerikan të Shtetit, sa i përket çështjes së Kosovës. Ai vuri në dukje ditët e fundit se plani i hartuar në Uashington tashmë ka “dritën e gjelbër” të Shtëpisë së Bardhë, e cila, në fakt, sipas tij, nuk merret drejtpërdrejt me Ballkanin, dhe se administrata amerikane pret që Beogradi ta pranojë suprimimin e Rezolutës 1244 të OKB-së menjëherë pas shpalljes së vendimit nga ana e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë së Hagës. “Në rezolutën e re përkatëse të OKB-së, për të cilën po insiston Uashingtoni, do të përfshihet edhe një pjesë e mendimit (vendimit) të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe ajo (rezoluta) do të jetë kyçe për forcimin e mëtejshëm të pavarësisë së Kosovës. Një ndryshim të madh do të përbënte kufizimi i kohëzgjatjes së saj, sepse në dallim nga Rezoluta 1244, kohëzgjatja e veprimit të së cilës vazhdohet automatikisht dhe ajo mund të suprimohet vetëm me votim në OKB, veprimi i rezolutës së re do të mund të vazhdohet vetëm nëse për të votohet, pra pikërisht e kundërta”, theksoi analisti Kesiç.