E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Me ‘Jabulanin’ ka spektakël"

Topi “Jabulani” i prodhuar nga kompania “Adidas” është kundërshtuar nga pjesa më e madhe e portierëve. Por inxhinieri që ka projektuar topin, gjermani Hans-Peter Nurnberg, ka vënë në dukje avantazhet e sferës së Botërorit. Në një intervistë për tabloidin britanik “Guardian”, Nurnberg theksoi se karakteristikat e topit i shkojnë për shtat sulmuesve.

“Për sulmuesit do të jetë një avantazh i madh, pasi topi arrin 5 për qind më shumë shpejtësi dhe për ta është më e lehtë të shënojnë nga pozicione të ndryshme. Kjo do të argëtojë publikun, pasi mund të shohim gola spektakolarë”, pohoi inxhinieri gjerman.

Megjithatë, “Jabulani” ka shkaktuar pakënaqësi te një pjesë e mirë e portierëve, disa prej të cilëve e kanë quajtur “të tmerrshëm” (Iker Kasiljas) e disa të tjerë “top supermarketi” (Hulio Sezar). “Do mësohen”, nënvizoi inxhinieri i “Adidas”-it, lidhur me pakënaqësitë e “gardianëve” ndaj sferës me të cilën duhet të përballen prej 11 qershorit deri më 11 korrik.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›