E Diel, 1 Nëntor 2026

“Me Besik Baren do të ballafaqohem në gjyq për shpifjet dhe trillimet”

Mimoza Vokshi, hedh poshtë akuzat e PS-së, sqaron se në asnjë rast nuk ka apsur lidhje me koncesionet

Kundër akuzave të PS-së, ka reaguar dje edhe Mimoza Vokshi, e cila ka paralajmëruar ballafaqim para drejtësisë, me Besnik Baren, deputetin socialist.
Fillimisht ajo i quajti akuzat si shpifje të pavërteta.
“Prej disa ditësh PS, nëpërmjet përfaqësuesve të saj ka filluar një fushatë shpifjesh, të pavërtetash të paskrupullta rreth përfshirjes sime dhe të familjes sime në dhënien e koncesioneve në favor të Arjan Tartarit. Së fundi u njoha dhe me deklaratën e Besnik Bare, i cili paturpësisht dezinformon opinionin publik, lidhur me dhënien e koncesioneve në favor të Arjan Tartari”, deklaroi Mimoza Vokshi.
Duke argumentuar pavërtetësinë e akuzave të PS-së, Mimoza Vokshi sqaroi, se për pozicionin që ka pasur në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikes, ajo nuk ka pasur asnjë lidhje dirkete apo inidrekte, me koncesionet në fushën e hidroenergjisë dhe hidrokarbureve.
“Ndjej detyrimin moral të sqaroj opinionin publik se:
E ashtuquajtura skemë korruptive e përmendur nga Zoti Bare është thjesht një trillim dhe sajesë e radhës që synon të përbaltë punën, familjen dhe biznesin e ndershëm. Në periudhën 2005-2009 kam punuar në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikes në pozicionin e Drejtoreshës së Përgjithshme të Shërbimeve Tregtare, drejtori e cila nuk ka pasur asnjë lidhje direkte apo indirekte me koncesionet në fushën e hidroenergjisë dhe hidrokarbureve. Gjithashtu, nuk kam qenë aspak e përfshirë në ndonjë grup pune apo komision që është marrë me trajtimin e këtyre koncesioneve.
Gjatë gjithë kësaj periudhe kam punuar me ndershmëri e përkushtim në shërbim të interesit publik dhe të interesit të pronarëve të ligjshëm dhe në asnjë rast për interesin tim personal apo të familjes sime”, sqaroi Mimoza Vokshi.
Më tej, ajo paralajmëroi ballafaqimin në organet e drejtësisë, me shpifjet dhe trillimet e Besnik Bares.
“Një intelektual i dështuar si Besnik Bare, para se të lexonte deklaratën që i kishin përgatitur shefat e tij, duhet të paktën të konsultohej me bashkëshorten e tij, e cila të paktën do t’i konfirmonte vërtetësinë e gjithçkaje që kam deklaruar me sipër.
Historia qesharake e dhurimit të pasurisë publike prej 4 miliardë dollarësh është një flluskë sapuni me të cilën do të habitej çdo njeri që di të lexojë kontratat hidrokarbure. Me sa duket i riu Bare nuk heq dore nga praktikat kriminale dhe të dhunimit të përdorura nga babai Bare në çdo vend ku ai i ka shërbyer me devotshmëri regjimit diktatorial. Për akuzat e bëra kundër personit tim zotit Bare do t’i duhet të ballafaqohet me drejtësinë shqiptare”, përfundoi Mimoza Vokshi.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›