“Në shtator komision hetimor për problemet e Edi Ramës me drogën, pasurinë e fshehur dhe dhunën ndaj grave”
Deputetja e PD-së Albana Vokshi mohon akuzat e PS-së - rikonfirmon gatishmërinë për t’u hetuar
Deputetja e PD-së Albana Vokshi, ka reaguar sërish kundër shpifjeve dhe trillimeve në emër të saj dhe familjes së saj, nga drejtues të PS-së.
Duke shprehur gatishmërinë për t’ju nënshtruar çdo hetimi, deputetja Albana Vokshi, i cilësoi deklaratat e PS-së, si të pavërteta dhe të pa mbështetura në fakte e dokumente konkrete. “Në përgjigje të deklaratave të vazhdueshme të PS për të ngritur tym pa paraqitur asnjë fakt konkret apo dokument kompromentues rikonfirmoj qe as unë dhe as familja ime nuk kemi ndikuar në asnjë rast në marrjen e licencave apo lejeve koncensionare në favor të Arjan Tartarit. Përsëris se jam e gatshme t’i nënshtrohem çdo hetimi parlamentar dhe jo parlamentar lidhur me deklarimin e pasurisë sime dhe të konfliktit të interesit”, u shpreh deputetja e PD-së. Krahas kësaj gatishmërie, Albana Vokshi bëri të ditur se në fillimi të sesionit të ri parlamentar, do të kërkonte edhe një hetim parlamentar ndaj Edi Ramës, për një sërë akuzash publike të bëra në mënyrë të përsëritur në adresë të tij.
“Gjithashtu me fillimin e sesionit parlamentar do të kërkoj nisjen e hetimit parlamentar për Edi Ramën lidhur me: fshehjen e pasurisë , deklarimin e vetëm 3000 euro pasuri ndërkohë që ka betonizuar gjithë Tiranën dhe ka dhënë lejet e ndërtimit në favor të vetëm dy firmave të ndërtimit; konfliktin e interesit për dhënien e lejeve të ndërtimit nga kryetari i bashkisë së Tiranës dhe njëkohësisht kryetar i PS-së vartësve të tij politike që sot janë deputetë; përdorimin e drogës dhe pasojat që ajo ka sjelle në veprimtarinë e tij; dhunën sistematike të ushtruar ndaj grave dhe marrëdhëniet me të birin”, saktësoi deputetja e PD-së Albana Vokshi.