E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me Chelsean mund të fitoj tituj

Nga Express më 24 gusht 2011 në ora 08:16

Transferimi i fundit i Chelseas, Juan Mata, thotë se i refuzoi dy skuadrat e tjera londineze, Arsenalin e Tottenhamin, vetëm për t’iu bashkuar ekipit të kaltër. Përforcimi më i ri i ‘Blues’ nga Valencia, që kushtoi rreth 30 milionë euro, i ka treguar edhe arsyet se pse vendosi t’i bashkohet ekipit të Andre Villas-Boas.

“Dëshiroj të shkoj në Angli dhe të fitoj trofe. Kjo është arsyeja se pse vendosa ta pranoj ofertën e Chelseas”, theksoi 23-vjeçari për tabloidin britanik, ‘The Sun’.

Sipas përfaqësuesit spanjoll, Arsenali dhe Tottenhami, të cilat ishin të interesuar për të, nuk mund të krahasohen me klubin e Roman Abramovichit. “E dua titullin e Premierligës, kjo është e mundshme te Chelsea, por jo edhe tek Arsenali e Tottenhami”, vazhdoi ai.

Mata beson se bashkëkombësi i tij, Fernando Torres do ta ndihmojë që të përshtatet në ekipin e ri. “Torres pati influencë në vendimin tim, por biseda me trajnerin Villas-Boas ishte faktori vendimtar. Ai më shpjegoi se po planifikonte të luante me formacionin 4-3-3 dhe sa i rëndësishëm isha unë për planet e tij”, përfundoi Mata, i cili këtë verë me Spanjën U-21 u shpall kampion i Evropës në Danimarkë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›