E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rruga drejt titullit, e vështirë

Sir Alex Ferguson e pranon se këtë vit lufta për titull të kampionit në Premierligë do të jetë më e vështirë se kurrë. Trajneri skocez ndihet i kënaqur me startin e sezonit, por është i vetëdijshëm se Chelsea e Manchester City nuk do të rrinë duarkryq. Nga Express më 24 gusht 2011 në ora 08:17

Përkundër fitores 3:0 ndaj Tottenham Hotspurit, të arritur të hënën mbrëma, Sir Alex Ferguson nuk mendon se Manchester United është favorit për ta fituar titullin e kampionit në Premierligë. ‘Djajtë e Kuq’ e fituan titullin e 19-të historik në kampionatin anglez, sezonin që shkoi, me 80 pikë të tubuara, përpara rivalit Chelsea, i cili në fund mbeti prapa 9 pikë.

Sidoqoftë, skocezi pret që gjërat të jenë më të vështira këtë radhë, me Chelsean e Manchester Cityn, të dyja si konkurrente të forta për epitetin e më të mirit. City bëri disa përforcime, ndërsa Chelsea e transferoi së fundmi Juan Matan dhe po e pret maestron e Tottenhamit, Luka Modric.

“Mua më duket se këtë sezon, Premierliga do të jetë më e vështirë se kurdoherë. Ne luajmë në një ligë të fortë dhe po bëhet gjithnjë e më e vështirë. Mendoj se nevojiten rreth 85 pikë për ta fituar atë, ndoshta edhe 80. Sigurisht, ne do të mundohemi ta arrijmë atë shifër”, deklaroi Ferguson për ‘United Review’.

Skocezi e ka lavdëruar ekipin e tij për lojën fantastike që e shfaqi ndaj Spurs, mbi të gjitha në pjesën e dytë. “Performanca e pjesës së dytë ishte absolutisht fantastike. Ishte lojë e shpejtë në pjesën e parë dhe Tottenhami na bëri presion të madh. Mirëpo, në pjesën e dytë ne e treguam forcën tonë”, vazhdoi njëri prej trajnerëve më të mirë në histori të futbollit.

Fergie e pranon se ka problem në repartin e sulmit, i cili është i stërngarkuar. Ai ka në dispozicion 7 sulmues, pas rikthimit të Danny Welbeckut, Mame Biram Dioufit e Federico Machedas nga huazimet. Dy të fundit nuk ishin as në bankinë të hënën, së bashku me Michael Owenin, që ishte i lënduar.

Golashënuesi më i mirë i ekipit sezonin që shkoi, Dimitar Berbatov nuk luajti, kurse Javier Hernandez nuk shfaqi lojë të mirë. Kurse, Welbeck e Wayne Rooney shënuan nga një gol dhe shfaqën paraqitje fantastike. Ferguson do të jetë në dilemë të dielën që vjen, kur United do të luajë me Arsenalin në Old Trafford.

“Nëse i shikoni Berbatovin, Owenin, Hernandezin e Rooneyn, ata kanë kualitete të ndryshme. Duhet t’i shfrytëzosh të gjithë, pasi që ata mund t’i ndryshojnë gjërat, ashtu siç ke dëshirë. Tashmë, gjëja më e vështirë është rikthimi i Hernandezit, çka të bëjmë tash? Do të jetë një problem i madh për mua”, përfundoi Ferguson.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›