“Me Shqipërinë, SHBA s’ka asnjë problem, erdha sepse duhej të vija”

Takim i Sekretares së DASH me stafin e Ambasadës Amerikane në Tiranë
Klinton: Vizitë e shkurtër, ngjan me një antipastë, ndaj duhet të kthehem për të gjithë banketin në të ardhmen”
Sekretarja Amerikane e Shtetit Hillary Clinton, përfundon vizitën disa orëshe në Tiranë, me mbresat më të mira dhe me premtimin se do të kthehet sërish. Këtë konsideratë e shprehu në takimin me stafin e ambasadës amerikane në Tiranë, ndërsa ritheksoi edhe një herë bashkëpunimin me qeverinë e popullin shqiptar. Në web-sitin zyrtar të Departamentit të Shtetit Amerikan krahas zbardhjes së takimeve të Sekretares Amerikane të Shtetit Hillary Clinton me Presidentin Bujar Nishani, me Kryeministri Sali Berisha dhe Kuvendin e Shqipërisë (mungonte zbardhja e takimit me liderin e opozitës Edi Rama), ajo që binte në sy ishte takimi i përzemërt i sekretares Clinton me stafin e ambasadës së SHBA-ve në Tiranë.
Pasi falënderoi ambasadorin amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu për punën e tij, Sekretarja e DASH, Hillary Clinton theksoi se mezi kish pritur për të ardhur në Shqipëri, këtë i thashë Presidentit dhe Kryeministrit - pasi zakonisht detyrohej të shkonte në vende që kishin një lloj problemi - ndërsa “vizita në Tiranë, me të cilën s’kemi asnjë problem, mu desh ta mbroja dhe thashë, ‘Ne duhet të shkojmë në Shqipëri!’”. Sekretarja e DASH, Hillary Clinton e përkufizoi vizitën jo të gjatë në Tiranë me një metaforë kulinare, “është një vizitë e shkurtër. Ngjan me një antipastë, ndaj duhet të kthehem për të gjithë banketin në të ardhmen”.
Në prani të stafit të ambasadës Sekretarja e Shtetit Clinton u shpreh se, “të gjithë ju e dini se SHBA-ja vlerëson bashkëpunimin dhe miqësinë, jo vetëm me qeverinë shqiptare, por me gjithë popullin shqiptar, dhe është një gjë që e kam shumë përzemërt. Ne ndajmë lidhje të rëndësishme ushtarake, kemi mbështetur fort Shqipërinë në NATO, po mbështesim me forcë anëtarësimin e Shqipërinë në BE. Ajo që po bën secili prej jush këtu, është të ndihmojë dhe të thellojë, si dhe të zgjerojë forcimin e demokracisë, të promovojë të drejtat e njeriut, të krijojë mundësi për zhvillimin ekonomik”.
Ndër të tjera, Sekretarja Clinton u shpreh e lumtur që ishte në ditën e parë të muajit të festimeve për 100 vjetorin e pavarësisë dhe krijimin e shtetit shqiptar. Madje, Sekretarja Clinton theksoi se, “dëgjova se po përgatitet një koncert gala. Do të doja të isha këtu, por zoti ambasador ju lutem ma bëni të ditur sa më shpejt të jetë e mundur, si do të vejë ai koncert”.
Më pas Sekretarja e Klinton falënderoi veçanërisht stafin shqiptar të ambasadës amerikane në Tiranë. “Ju falënderoj shumë. Shumë prej jush kanë qenë për vite me ne, për dekada, dhe siç e kam thënë dhe në vende të tjera, ambasadorët shkojnë e vijnë, po ashtu sekretarët, por stafi jonë lokal është ajo që jep vijueshmërinë, që është banka e memories”. Sekretarja Clinton deklaroi se Shqipëria mund të bëhet një vend model për demokracinë për të gjithë rajonin sepse ka shumë potencial.