E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me Zvicrën në Botëror

Xherdan Shaqiri është optimist se Zvicra do të kualifikohet në kampionatin botëror ‘Brazili 2014’, që do të mbahet pas dy vjetësh. Helvetikët do ta nisin fushatën e kualifikimeve të premten me ndeshjen ndaj Sllovenisë, kurse katër ditë më vonë do të kenë punë me Shqipërinë.

Pasi dështuan të kualifikoheshin në Evropianin 2012, zviceranët synojnë që një gjë të tillë ta bëjnë në evenimentin më të rëndësishëm botëror të futbollit. “Dëshiroj ta ndihmoj skuadrën me paraqitje të mira. Pasi nuk arritëm të shkonim në Evropian, duam t’ua japim mundësinë tifozëve që ta shijojnë Botërorin me ekipin e tyre”, deklaroi mesfushori kosovar për magazinën zvicerane Blick.

Ai nuk ndien presion aspak, përkundër moshës së re. “Jam ende i ri, por kam në këmbët e mia më shumë ndeshje ndërkombëtare sesa tjerët që janë në moshën time”, vazhdoi ai. 20 vjeçari dëshiron të arrijë suksese me Bayernin, njëjtë siç kishte bërë edhe me Baselin.

Njëjtë mendon edhe shoku i tij Granit Xhaka, i cili luan në Borussia Monchengladbach. “Unë nuk ndiej absolutisht asnjë presion para ndeshjeve të çfarëdo niveli. E di se çka mund të bëj”, theksoi 19 vjeçari.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›