E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fitoret do të vijnë

Besa dhe Hysi janë të vetmet skuadra që nuk e kanë shijuar ende fitoren në Superligë, pas katër xhirosh të zhvilluara. Ndryshimet e shumta në ekip, përkatësisht dobësimi i tyre, ka bërë që këto dy skuadra të dallohen për keq. Sidoqoftë, trajnerët e tyre, Miftar Rama, respektivisht Hysni Maxhuni, besojnë se shumë shpejt do të arrijnë te rezultatet pozitive.

Besa dhe Hysi janë dy skuadrat që e kanë nisur më së dobëti sezonin e ri në Raiffeisen Superligën e Kosovës në futboll. Pejanët dhe llapjanët bënë ndryshime rrënjësore në skuadrat e tyre gjatë kësaj vere, duke mbetur me lojtarë kryesisht të rinj dhe pa përvojë.

Dhe, rezultati deri tash u pa. Bardhekuqtë kanë pësuar tri humbje (Trepça ’89 – Besa 2:0, Trepça – Besa 5:1 e Hajvalia – Besa 2:0) dhe e kanë nxjerrë një barazim (Besa – Hysi), kurse bardhezinjtë regjistruan dy barazime (Hysi Trepça ’89 0:0, Besa – Hysi 0:0) dhe dy humbje (Drita – Hysi 2:1 e Trepça – Hysi 2:1).

Trajneri i Hysit, Hysni Maxhuni, është i kënaqur me angazhimin dhe lojën që e kanë shfaqur lojtarët e rinj, të cilëve megjithatë u mungon përvoja.

“E para, kemi krijuar shumë raste për gol, sidomos me Dritën dhe Besën, por na ka munguar efikasiteti. E dyta, kemi zhvilluar tri ndeshje jashtë Merdarës si mysafirë dhe nuk na u kanë referuar tri penallti tipike. E treta, ka shumë ndryshime në ekip, shumë lojtarë që kanë qenë janë larguar dhe kanë mbetur lojtarë pa përvojë. E kemi mesataren 21,5 vjet, dhe 5-6 lojtarë nuk e kanë bërë asnjë lojë si senior më parë”, deklaroi trajneri i njohur kosovar.

Megjithatë, ai nuk dëshiron të arsyetohet, duke premtuar se në një të ardhme jo fort të largët, Hysi do t’i shijojë rezultatet pozitive.

“Lojtarëve të rinj u nevojitet kohë dhe përvojë, për ta ngritur cilësinë, nevojitet një punë më e gjatë me ta. Në ndeshjet e ardhshme pres rezultate më të mira. Angazhimi nuk mungon dhe cilësia rritet me kohë. Pres që pas 2-3 muajsh ata të përmirësohen”, vijoi Maxhuni.

Në anën tjetër, pejanët kanë mbetur pa lojtarët kryesorë, të cilët iu bashkuan Deçanit gjatë kësaj vere. Trajneri Miftar Rama po mundohet ta ndërtojë një ekip të ri, i cili mund t’u bëjë ballë skuadrave tjera në xhirot e ardhshme.

“Ne e kemi përgatitur një ekip tjetër, pasi kemi mbetur me këta të rinjtë. E kemi pritur që do ta kemi vështirë. Në Mitrovicë kemi mundur ta nxjerrim një barazim ndaj Trepçës, kurse ndaj Hysit kemi pritur fitore, pasi jemi në të njëjtin nivel.

Ai ndihet i kënaqur me lojën që e shfaqën lojtarët e tij, për angazhimin, por jo edhe me rezultatin. Ai insiston se këto humbje do t’i bëjnë lojtarët e tij të mendojnë më seriozisht, për t’iu qasur sfidave të ardhshme.

Pas çdo humbjeje, duhet të mësojmë se duhet të japim më shumë nga vetja. Nëse duam të arrijmë rezultate të mira, duhet të shfaqim lojëra të mira gjatë tërë kampionatit. Besoj se fitoren e parë do ta gjejmë ndaj Ferronikelit, xhiron e ardhshme. Djemtë e dinë tashmë se çka u nevojitet për të arritur deri tek fitorja. Më pas do të motivohemi dhe presim rezultate të mira”, përfundoi Rama. Xhiron e ardhshme, Besa do të luajë me Ferronikelin, kurse Hysi me Hajvalinë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›