Me beteja të vogla, drejt njohjeve të reja

Petrit Selimi, zëvendës ministër i Punëve të Jashtme ka pohuar se shumë nga pjesëmarrësit janë anëtarë të Qeverive, diplomatë dhe biznesmenë, nga shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën dhe se kjo, sipas tij, është një tullë e rëndësishme në krijimin e murit të njohjeve.
Ai, po ashtu, ka theksuar se pjesëmarrës në këtë konferencë janë edhe përfaqësues nga pesë vendet e BE-së, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën dhe se kjo do të jetë një mundësi e lidhjes me kryeqytete e këtyre pesë vendeve, duke rritur kështu rrjetin dhe numrin e njerëzve të cilët janë të angazhuar në lobimin për njohjen e Kosovës.
Ai ka pohuar se MPJ po vazhdon lobimin në shumë nivele dhe se pjesë e këtij lobimi do të mbetet edhe komunikimi midis popujve, bizneseve dhe shoqërisë civile, e cila do të jetë përforcues që e mban procesin së bashku. Ai, po ashtu, ka thënë se MPJ po mundohet çdo herë dhe me çdo mundësi që me anë të projekteve të ndryshme ta rrisë numrin e njerëzve që dinë për Kosovën.
“Kemi identifikuar se në këto pesë shtetet ka pak njerëz të cilët kanë kontakte me kosovarë, ka pak lajme të mira nga gazetat. Gazetarët e përcjellin shabllon dhe ndikohen më shumë nga Beogradi, nga propaganda e Jeremiqit. Këto janë krejt mini beteja të vogla, në një luftë të madhe të njohjes së Kosovës. Ne duhet çdo herë, çdo ditë, çdo mundësi që e kemi, njerëzit t’i sjellim këtu dhe ata kur po vijnë po e shohin një normalitet i cili ndoshta nuk është prezent në mediat apo në opinionin e këtyre shteteve. Këto janë pjesë të vogla të kontributit, të një rrëfimi më të madh. Një konferencë, një seminar nuk e sjell njohjen, por shumë lëvizje të tilla me doemos e sjellë një atmosferë të normalitetit, atëherë vendimet për njohje vijnë shumë më lehtë”, ka thënë Selimi.
Ndërsa njohësi i rrethanave të Ballkanit, Tim Judah këtë konferencë e ka quajtur të rëndësishme edhe për formuesit e rinj të opinioneve që të vijnë në Kosovë dhe të mësojnë për të, të shohin atë dhe të dërgojnë mesazhin në vendet e tyre.
I pyetur për situatën politike në Kosovë dhe zhvillimet e fundit Judah ka pohuar se pozitive mbetet vizita që sot Fyle po i bën Prishtinës. Ndërsa Fusnota, sipas tij, është një kompromis i cili është dashur të bëhet.
“Mendoj se pasi që Fyle do të jetë këtu sot, për fillimin e studimit të fizibilitetit, mendoj se ato janë pozitive në përgjithësi. E di se çështja e fusnotës nuk është e popullarizuar këtu, por është një kompromis që është dashur të bëhej. Studimi i fizibilitetit, është hapi i parë drejt marrëveshjes së stabilizimit dhe asociimit, që është hapi drejt integrimit evropian dhe është i rëndësishëm për Kosovën dhe rajonin”, ka thënë Judah.
Sipas tij, pesë vendet e BE-së duhet ta njohin Kosovën edhe pse edhe pas shpalljes së vendimit të GJND-së ato vazhdojnë të mos pajtohen dhe të mendojnë se shpallja e pavarësisë është e paligjshme.
“Edhe ata kane brengat dhe problemet e tyre, pra problemet e tyre të njohura. Spanja me rajonet e veta, Qipro dhe Greqia, që është e lidhur me Qipron, Rumania me minoritetet e veta, gjithashtu edhe Sllovakia. Pra, të gjithë i kanë arsyet e tyre për mosnjohjen. Duke pasur parasysh këtë ajo që është duke ndryshuar është se ata janë duke zbutur qëndrimin e tyre ndaj Kosovës në kuptimin që Fyle është sot këtu për fillimin e studimit të fizibilitetit. Kosova është duke ecur përpara në integrimet evropiane, pra kjo nuk do të mund të bënte këto nëse ato vende do të bllokonin, por ato nuk janë duke bllokuar. Ka mjaftë hapësirë për manovrim në mes të njohjes dhe të penguarit dhe mendoj se ka ndryshim në këtë aspekt”, ka thënë ai.
Edhe Raul Ramirez Riba, gazetar nga Meksika ka pohuar se kjo është një mundësi e mirë për njerëzit nga Ballkani dhe ata që nuk janë nga Ballkani, të kuptojnë situatën dhe të dalin me zgjidhje të mira, që do të kishin ndikim të mirë për rajonin.
“Përshtypja ime është se Kosova ka shumë ngjashmëri me disa qytete në Meksikë. Kjo nuk është shume larg nga Meksika, kjo është shume afër asaj që kanë shumë qytete atje. Ne besojmë në sovranitetin e çdokujt dhe nganjëherë ne nuk përfshihemi shumë në çështjet e tjerëve. Mund të them se kjo do të ndryshojë, sepse ky vend ka gjithçka që Meksika e përkrah, demokracinë, shoqëri të hapur, pjesëmarrje. Pra nuk e shoh pse Meksika nuk do të bënte atë. Gjithashtu, edhe diplomacia e këtij shteti do të rritet me kohë dhe ndoshta me shumë përpjekje të bëra nga Kosova do të arrihet Meksika”, ka pohuar ai.
Ndërsa Georgios Chatzigiagkou, pjesëmarrës nga Greqia, konsulent në mekanizmat e zgjerimit të BE-së ka pohuar se Konferenca bazohet në supozimin që njerëzit duhet të bashkohen dhe të krijojnë rrjete për të eliminuar keqkuptimet dhe të ndërtojnë ura kulturore.
Ndërsa, si faktor në mosnjohjen e Kosovës nga ana e Greqisë, sipas tij, janë edhe marrëdhëniet e mira tradicionale me Serbinë si dhe kriza financiare greke e cila nuk ka lejuar ngritjen e çështjes së Kosovës.
“Greqia ka tre faktorë që e pengojnë njohjen e Kosovës. E para është çështja e Qipros. E dyta, ne kemi 2 apo 3% pakice në veri, dhe ne nuk duam te hapim këtë çështje në Greqi dhe e treta është marrëdhëniet e mira tradicionale me Serbinë. Kriza financiare greke, nuk ka lejuar ngritjen e çështjes së Kosovës. Kosova është ende një foshnje, është duke u rritur, ka zhvillime pozitive në drejtime të ndryshme dhe hapjen e vendit drejt investimeve të huaja, apo drejtimi i vendit drejt integrimit evropian është mënyra më e mirë për të arritur shtetësi të pavarur dhe një lloj të sigurisë”, ka thënë ai .
Konferenca e “Rrjetit Transatlantik” është organizuar nga Këshilli Britanik në Kosovë, Këshilli Britanik në Washington DC dhe Ambasada Britanike në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës dhe ajo do të zgjasë deri më 29 mars. /kosovapress/