E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me beton kundër “dhunës”

A është mur, gardh, apo një barrierë? Për 760 kilometra ky objekt ndan në dysh Tokën e Shenjtë. Synimi i tij është që të ndalë atentatorët- por me ndërtimin e tij, Izraeli po injoron vijën e armëpushimit. E me këtë, po ashpërson konfliktin në Lindjen e Mesme. Nga Express më 12 gusht 2011 në ora 08:45

Në fakt mund të quhet vetëm “ajo gjëja”: objekti, me të cilin Izraeli po tenton ta shkëpusë Bregun Perëndimor, të okupuar në vitin 1967, është aq kundërthënës, sa që përpjekjet për t’ia gjetur një emër cilësohen si të pakuptimta. Ngase ajo që për të parët është mur, për të dytët është një gardh. Dhe në përpjekjet për të qëndruar neutral, shtypi perëndimor ka gjetur një emër të tretë për këtë përbindësh, i cili e ndan në dysh Tokën e Shenjtë: Barriera izoluese.

Kjo barrierë izoluese është 760 kilometra e gjatë: dyfish më e gjatë se vija e armëpushimit nga viti 1949, e cila e ndante Izraelin nga Bregu Perëndimor. Pjesa më e madhe e saj përbëhet nga një gardh elektronik, por në rreth 30 kilometra, është ndërtuar një mur i betonit, tetë metra. Muri në vend të gardhit është ngritur kryesisht në rajonet me popullatë të dendur në dhe përreth Jerusalemit: për palestinezët një pengesë, e cila vështirëson jetën e përditshme, për izraelitët një mbrojtje nga terrorizmi.

Planet, që Izraeli me këtë ndërtim të kufizohet me territoret e pushtuara, dolën në sipërfaqe në vitet e 90-ta: pas disa sulmeve të përgjakshme të palestinezëve kundër izraelitëve, kryeministri i Izraelit, Jitzak Rabin, i cili më vonë u vra nga një konservator hebre, theksoi se dëshiron ta mbajë Gazën jashtë Tel Avivit.

Shpërthimi i kryengritjes së dytë palestineze në vitin 2000, shtoi trysninë ndaj qeverisë së Izraelit që të ndalë sulmuesit vetëvrasës palestinezë nga Bregu Perëndimor. Pasi që në fillim u ngritën aty këtu disa gardhe, në vitin 2002 filloi ndërtimi i planifikuar i murit që ekziston sot.

Dhe me planifikimin filluan edhe problemet: ngase në tri të katërtën e gjatësisë, Izraeli ndërtoi gardhin dhe murin përtej zonës së gjelbër, në territoret palestineze. Ndërtimi gjarpëron nëpër fushat e ullinjve dhe shpate, shpate dhe lagje të banuara në Jerusalem.

Qëllimi i këtij devijimi ishte që pjesa më e madhe e kolonive hebraike, që ekzistojnë në Bregun Perëndimor, t’i bashkohen Izraelit. Vija e armëpushimit, e cila me gjasë dikur do të jetë baza e kufijve të shtetit të ardhshëm të Palestinës, as që është marrë parasysh.

Është pikërisht shtrirja e këtij muri, e cila ka nxitur kritikat ndërkombëtare. Përderisa Izraeli ka të drejtë që të mbrohet, ndërtimi i murit në territoret palestineze nuk është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, ishte në vitin 2004 vendi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, me seli në Hagë.

As palestinezët nuk ankohen aq shumë për ndërtimin e murit, por ankohen për faktin se ai po ndërtohet në tokat e tyre.

“Nëse dikush ka grindje me fqinjin, natyrisht se mund të vendos një gardh. Por në kopshtin e tij”, kishte deklaruar një bujk palestinez.

Kështu, kolonitë palestineze, si Kalkilja, janë të rrethuara nga tri anë dhe çdo shkuarje në shkollë apo në ndonjë fshat të afërm, shndërrohet në një udhëtim të mundimshëm. Në pjesët tjera, bujqve palestinezë ju bëhet e pamundur qasja në arat e tyre.
Në Izraeli, barriera izoluese, përkundër parave të shumta që janë shpenzuar për ndërtimin e saj, konsiderohet si sukses.

Që nga koha e ndërtimit të saj, numri i sulmeve vetëvrasëse ka ra në pothuajse zero, e përkujtojnë me dëshirë politikanët dhe ushtarakët opinionin publik në Izrael.
Por edhe përkundër kësaj, ka telashe vazhdimisht: ngase Gjykata Supreme tani përballet me qindra padi, të dorëzuara nga palestinezët, të cilët kërkojnë rrënimin e murit në pronat e tyre. Dhe në vazhdimësi Gjykata u jep të drejtë paditësve.

Shpenzimet për korrigjimin e vijës së murit mund t’i kalojnë madje edhe shpenzimet e tij. Megjithatë: rrënimi dhe ndërtimi i murit në territorin izraelit është zgjidhja e vetme, e cila mund të sjellë qetësi.

Tema e murit do ta preokupojë Lindjen e Mesme edhe për një kohë tejet të gjatë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›