E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shaqiri vs Mehmedi, kur miqtë bëhen armiq

Xherdan Shaqiri dhe Admir Mehmedi luajtën përkrah njëri-tjetrit për Zvicrën të mërkurën, në fitoren 2:1 ndaj Lihtenshtajnit. Mirëpo, miqtë do të bëhen armiq të shtunën, kur do të përballen skuadrat e tyre, Basel dhe Zurich. Sidoqoftë, ata thonë se janë shokë të mirë dhe se kjo ‘armiqësi’ në mes tyre do të vlejë vetëm në fushë. Nga Express më 12 gusht 2011 në ora 12:33

Të mërkurën mbrëma, Xherdan Shaqiri e Admir Mehmedi luftuan së bashku 90 minuta për Kombëtaren zvicerane, në fitoren ndaj Lihtenshtajnit, të cilën e fituan Helvetikët 2:1. Kurse, të shtunën, dy shokët do të takohen sërish, por si kundërshtarë. Në këtë ditë do të përballet Zurichu me Baselin, dy rivalë të përbetuar.

Shaqiri i mbron ngjyrat e kampionit aktual të Zvicrës, kurse Mehmedi të nënkampionit. “Njihemi qe një kohë të gjatë dhe kemi luajtur shpesh së bashku me ekipin U-21 të Zvicrës. Ia kalojmë mirë së bashku dhe ndihem gjithmonë mirë kur e takoj”, ka thënë Shaqiri për uebfaqen 20min.ch.

“Nuk është hera e parë që luajmë kundër. Por, natyrisht se të gjithë dëshirojnë ta fitojnë ndeshjen”, vazhdoi mesfushori gjilanas, i cili thotë se nuk ishte i kënaqur dhe aq me paraqitjen e tij ndaj Lihtenshtajnit, por më me rëndësi për të ishte fitorja. Sfidën e së shtunës në AXPO Super League me Shaqirin e mirëpret edhe Admir Mehmedi.

Përpos Shaqirit e Mehmedit, për Zvicrën 90 minuta luajti edhe shqiptari tjetër, Blerim Xhemajli, ndërsa debutoi edhe Beg Ferati. Ndërkohë, Albert Bunjaku, Valon Behrami dhe Granit Xhaka nuk janë ftuar nga selektori Ottmar Hitzfeld.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›