E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE merr masa per krizen

4 vende europiane; Italia, Spanja, Franca dhe  Belgjika ndalojnë  blerjen e letrave spekulative me vlerë. Hapi ndërmerret pas një jave turbulencash në bursa. Njoftimi vjen në mesin e shqetësimeve në rritje për përhapjen e krizës së borxhit tek ekonomitë e mëdha evropiane.

Autoriteti i BE-së për mbikqyrjen e bursave  bëri të ditur  në Bruksel se shitja e të ashtuquajturave aksioneve boshe është regjistruar në Greqi, Francë, Itali, Spanjë dhe Belgjikë.

Shitblerja e letrave të tilla në Greqi u ndalua të hënën ndërsa ekonomia më e fuqishme e eurozonës Gjermania i ka ndaluar para një viti. Në transaksione të tilla spekulantët vendosin baste për rënien e vlerave të bursës, euros apo vlerave të tjera.

Me qëllim qetësimin e bursave, presidenti francez Nicolas Sarkozy dhe kancelarja Angela Merkel do të mbajnë të marten e ardhshme  një takim të posaçëm. Pas shumë ditë rëniesh të jashtëzakonshme, bursat dje në Evropë dhe SHBA kanë shënuar rritje prej më shumë se 3 %, trend që ka vijuar dhe mëngjesin e sotëm.
 
Ndërkohë në  Lisbonë, përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, paraqesin raportin e tyre për gjendjen në Portugali. Ky raport i hap rrugën këstit të  dytë të  paketës për shpëtimin e Portugalisë në vlerë të përgjithshme prej 78 miliardë euro.

Ministri portugez i financave, Vitor Gaspar, ka bërë publike ndërkohë masa të reja për kursime. Ai tha se masat e kursimeve janë të domosdoshme për të mbyllur boshllëqet në buxhet.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›