Me çfarë i zëvendësoi Zotat E. Hoxha?
Në vendet e demokracive të konsoliduara, diktatura naziste dhe ajo komuniste, në mënyrë të prerë, qysh me mbarimin e Luftës II Botërore, i lanë duart njëherë e mirë nga propaganda demokratike. Nostalgjia hitleriane e mori afarosjen e saj në Gjyqin e Nurembergut. Nostalgjia staliniane u anatemua përfundimisht në Kongresin XX të PK (bolshevike) sovjetike. Naziskinët në Gjermaninë e ripërtëritur, u vunë para prangave. Në Itali, disa shfaqje të së kaluarës nga ana e Xhorxhio Almirantes, që nderonte fashistikamente, u zbehën gjer në asgjësim kur plaku nostalgjik u zëvendësua nga i riu vizionar dhe i përkorë, Xhanfranko Fini. Askush nuk mendon tani për këtë politikan me vlerë, se ka fijen e nostalgjisë ndaj një regjimi anakronik. Por edhe Pietro Neni, Dolores Ibarruri, Mores Torezi e të tjerë, u distancuan nga krimet e Stalinit.
Në ditët e sotme vetëm PS -ja e prejardhur nga PPSH-ja, e ruajti nostalgjinë ndaj diktaturës që lamë pas, pa ia vënë veshin Rezolutës së Asamblesë Parlamentare të BE-së, për dënimin e krimeve të diktaturave. Edvin Rama, në krye të kësaj partie, duke e personalizuar atë, arriti që të bëjë manifestime enveriste në Pezë, disa 16 shtatorë rresht, pa i pyetur njerëzit me mend të partisë së tij, nëse edhe te ne enverizmi, si botëkuptim antidemokratik, duhej të merrte fund.
Kështu mjaft medie të fuqishme propagandistike, duke ndjekur frymëzimet e kreut në fuqi (tani të përkohshme) të PS-së, nxjerrin episode të herëpashershme me protagonistë Enverin, Nexhmijen dhe ish-familjen perandorake shqiptare.
Madje kjo është bërë rutinë, e modës. Dhe bien në kurthe edhe organe të djathta, siç do ta shohim në fund të këtij shkrimi.
Historia e një propagande të indoktrinuar/Në një foto të vogël shoh në“Paris Match” Zhan-Pol Sartrin me Çe Gevarën, në Kubë. Në tjetrën, Sartri dhe Simonë dë Bovuar, janë për vizitë te Mao Ce Duni. Por në këtë fotografi ndodhet edhe ky shënim: “Nuk i kemi parë të protestojnë kundër kampeve komuniste të përqendrimit. Në Rusi, në Pekin apo në Havanë në ëndrrat e ëndërrimtarëve, është fshehur ferri”,- shkruhet nën një foto. Pas revolucionit kulturor të ‘66-s, një best-seller i komunistes italiane, Maria-Antonieta Macciocchi (Maçiòki), me titullin “Mbi Kinën”, shkruante: “Mao Ce Duni është thelbësisht antidogmatik dhe antiautoritar”.
Të na falë Maria-Antoneta, por komunistët shqiptarë s’ia pranojnë këto ditirambe udhëheqësit të lavdishëm. Jo sepse ai i meritonte apo s’i meritonte; por sepse E. Hoxha, pasi e ngriti në qiell diellin Mao, më shumë se ajo vetë, në fund s’la gjë pa thënë kundër tij e kinezërive të tij!
Kur vdiq Çe Gevara, Sartri i bëri këtë portret funebër: „Ai nuk ishte vetëm një intelektual, por njeriu më i kompletuar i kohës së tij“.
Ja, pra, ferri, i fshehur në halucinacionet e këtyre njerëzve të artit, për të cilët duhet rikujtuar thënia e Marsel Aymé-së që i krahason me hajvanët, kur merren me politikë (des bêtes!).
Intelektualë të shquar, pra, kanë rënë verbërisht nën kthetrat e propagandës së sofistikuar komuniste, të cilët me të drejtë intelektuali i paindoktrinuar Aymé i quan “të budallallepsur“. Shkrimtari Dufay (Dyfejí) ka shkruar librin “Udhëtimet çnderuese të disa intelektualëve”. Stalini i priste këta panegjirikë të tij me të gjitha të mirat. Këto qyle nuk i pranuan intelektualë po aq të mëdhenj, që e ruajtën dinjitetin. Kritiku i madh francez që cituam ka përmendur André Zhidin i cili, pasi e hëngri njëherë atë kokërr ulliri, nuk vajti më si mysafir i Stalint, me të tjerët. Ai e refuzoi ftesën, sepse kuptoi se panorama që jepnin kolegët e tij, pasi ktheheshin nga zihafeti, ishte tërësisht e rreme! Edhe Luí Aragoni i ra paksà hiles.
Imituesi stalinist i thekur, Enver Hoxha, bëri po këtë punë që ta paraqiste të zezën të bardhë dhe të budallallepste (sipas shprehjes së Aymésë), disa pseudointelektualë andej nga Amerika Latine që të na jepnin neve, të ngopurve nga bollëku (!), çmimin e parë të të ushqyerve më mirë në këtë kënd të Ballkanit! Neve, që ngriheshim për të marrë pak qumësht për fëmijtë-bebe, që në orën tre të mëngjesit, dhe mbeteshim pa marrë as dromcat e fundit! Por do të flasim edhe për Shqipërinë, si të mbarojmë me Bashkimi Sovjetik.
Reporteri i famshëm polak, Rikard Kapuçinski, ka shkruar librin e famshëm me titullin “Imperium”, përkthyer dhe ribotuar edhe në shqip, ku tregon tmerret e varfërisë kolkoziane, me trotuaret ukrainase të mbushura përplot me të vdekur nga uria. Dokumentuar edhe me foto makabre, të regjistruara tinëzisht. Megjithatë, le të shohim edhe disa ditirambe nga të çakorduar në tru: Pierre Paskali, për shembull, përshëndet “Regjimin e shëndetshëm të punës dhe të edukimit“ në kampet e ferrit në BS!
Georges Duhamel-i, (Dyamel) duket si i magjepsur nga revolucioni rus ( „Udhëtim në Rusi, 1928 ).
Eduard Herriot-i (Heriò) mahnitet për „perimoret kolkoziane, të ujitura e të kultivuara në mënyrë të admirueshme“ (kur uria bënte kërdinë në Ukrainë).
Henri Barbusse-i (Barbysi) në vitin 1935 i bënte lavdet e tij vendit të sovjetëve.
Jean-Paul Sartre-i dhe Simona de Bovoir (Bovuar) nuk nguruan t’u bëjnë lavde Fidel Kastros dhe Mao Ce Dunit, kur këto vende ishin zhytura në mjerim dhe në shtypje.
Në një fotografi të një reviste të huaj, gjendet ky shënim: “Nuk i kemi parë të protestojnë kundër kampeve komuniste të përqendrimit”.
Zotat E.H. i çoi prapa diellit!/Në vendin tonë, për rrethana historike të caktuara, E. Hoxhës nuk iu ofrua ndonjë elitë intelektuale. Megjithatë bregdeti adriatik dhe ai i Jonit ishin joshës, me rërë të virgjër. Dhe njerëz të kallëpit të Fosko Dinuçit, kinse komunistë të devotshëm, që e quanin diktatorin tonë si kokën më të madhe marksiste-leniniste internacionaliste (pas prishjes me Kinën), nuk munguan në kongreset tona dhe u bënë të përhershëm në vakancat beharore, qyl! Emrat s’po ua përmendim, se nuk ia vlen. Ishin të rëndomtë, pa asnjë vlerë politike, por kishin si mision që të përhapnin “Veprat” me numra dyshifrorë të Enverit, nëpër vendet e tyre. Këto kishin mbetur stok në vendin tonë, ndonëse ishin bërë edhe fushata blerjesh me vullnet (domethënë me detyrim).
Nëse nga kjo skotë mediokrish mbahet mend vetëm Fosko Dinuçi, kjo nuk do të thotë se në trurin e tij rëndonte ndonjë miligram më tepër nga të tjerët. Vetëm se ky mbahet mend më mirë për atë groteskun e ngritjes në këmbë të kongresistëve, duke e shndërruar kongresin në një sallë spektaklesh, sepse këndonte këngën Avanti o popolo / nella riscossa / bandiera rossa / bandiera rossa/. Dhe të gjithë delegatët belbëzonin në kor, se nuk ia dinin fjalët! Sa për detyrimet e kultit të individit, ata ishin në garë se kush ta ngrinte lá e më lá figurën terroriste të Enverit tonë, që i kishte çuar Zotat prapa diellit (1967), për t’i zëvendësuar me vetveten! Paçka se kur e zunë ethet e destalinizimit (përkohësisht), e drodhi paturpësisht sikur nuk kishte kult individi në vendin tonë, meqë ai ishte ... kolegjial! Në të vërtetë të gjithë të tjerët i quante për milingona, - siç thoshte Nako Spiru, në një letër, në italisht!