E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rruga e Arbrit, një projekt që afron më tej ëndrrën e bashkimit të shqiptarëve

Kryeministri Sali Berisha merr pjesë në përurimin e fillimit të punimeve të ndërtimit të Rrugës së Arbrit, duke e klasifikuar projektin si një projekt të Shqipërisë evropiane, por edhe si një investim që afron çastin e realizimit të aspiratës së shqiptarëve për bashkim

TIRANE – Fillojnë punimet për ndërtimin e rrugës së Arbrit. Kryeministri Berisha mori pjesë dje në inaugurimin e fillimit të punimeve për ndërtimin e Lotit  1 dhe 2 të rrugës së Arbrit, që përfshin segmentin dalje Ura e Vashës - Bulqizë.
“Projekti ynë është projekti i Shqipërisë evropiane. Rruga e Arbrit është rruga e Shqipërisë evropiane, korridori i kombit është korridori i Shqipërisë evropiane. Vetëm në një muaj, në muajin korrik, ajo rrugë të cilën ish kryetari i Partisë Socialiste e cilësoi si rruga ‘e asgjëkundit’”, ka dyfishuar numrin e turistëve në Shqipëri. Jam i bindur se po këtë gjë do të bëjë edhe rruga e Arbrit. Ju garantoj se në 2 vjet kjo rrugë do të kapë Tiranën dhe ju do të zbrisni në Tiranë në një kohë prej 40 deri në 60 minuta”, u shpreh midis të tjerave Kryeministri Berisha për këtë rrugë.        
Projekti i ndërtimit të këtyre dy loteve përfshin ndërtimin e një rruge me të gjitha parametrat bashkëkohor të një rruge funksionale evropiane.
Kryeministri e vlerësoi këtë rrugë shumë të rëndësishme për zhvillimin e vendit, duke e konsideruar atë si rruga e kombit shqiptar, rruga e bashkimit të shqiptarëve me kombe të tjera të rajonit. Kjo rrugë, theksoi Kryeministri, afron Peshkopinë, Bulqizën me Tiranën me një kohë 2 herë më të shkurtër se sa koha që u duhet sot, si dhe afron Shkupin me Tiranën, me rreth 100 kilometra.
Kryeministri shprehu mirënjohjen për qindra e mijëra qytetarë të Maqedonisë, me origjinë shqiptare apo maqedonase, që kanë zgjedhur këtë verë Shqipërinë, si vendin për pushimet e tyre.  
“Dua t’i garantoj ata se, verën tjetër, do të gjejnë kushte edhe më të mira këtu dhe se, në krye të dy viteve, ata do të vijnë në Tiranë dhe do të zbresin drejt brigjeve të Shqipërisë, në rrugën më të re të Ballkanit, në rrugën e Arbrit, në kohën më të shkurtër”, vijoi Kryeministri. 
Më tej, Kryeministri theksoi vendosmërinë e qeverisë që në katër vitet në vijim të  realizojë ndryshimin e madh të Shqipërisë.
“Ne besojmë se vetëm një Shqipëri me infrastrukturë moderne, një Shqipëri e cila lufton për një klimë biznesi, një Shqipëri që instalon revolucionin industrial dhe e zhvillon atë me shpejtësi, do të mund të punësojë shqiptarët. Në këto katër vite, ne jemi të vendosur të punësojmë mbi 160 mijë qytetarë shqiptarë”, u shpreh Kryeministri.
Gjithashtu, Kryeministri Berisha u ndal edhe në luftën me zero tolerancë kundër varfërisë, duke siguruar se qeveria ,“do të përballet në mënyrën më të ashpër me të dhe do ta  luftojë atë në çdo skaj të këtij vendi. Shqipëria do të ketë një kurs, do të ketë një drejtim, në të cilin nuk do të ketë dhe nuk do të mund të ketë të mjerë. Unë nuk them se ne do të çrrënjosim varfërinë, varfërinë nuk e çrrënjos dot as vendi më i pasur i botës, por mjerimin po. Për mjerimin do të ketë zero tolerancë. Varfëria kërkon një bashkëpunim, kërkon një luftë të përbashkët, kërkon që të mos e pranojmë atë, por aktivisht të luftojmë kundër saj”, nënvizoi Kryeministri.
Midis të tjerave, Kryeministri Sali Berisha në fjalën e tij, u ndal edhe në premtimin për ndryshimin e mëtejshëm të Shqipërisë.
“Ne, këto katër vite, jemi të vendosur të realizojmë ndryshimin e madh të Shqipërisë. Kantiere të mëdha ndërtimi po ngrihen në mbarë vendin, investime të mëdha po bëhen në sektorin privat, në mbarë vendin. Unë kam bindjen e thellë se objektivat e përcaktuar do të realizohen plotësisht. Në këtë kontekst, qeveria është e vendosur të shtrijë infrastrukturën në të gjithë vendin.  Po ecën me shpejtësi unaza verilindore dhe juglindore, Kukësi dhe Peshkopia, Tropoja dhe Kukësi, Peshkopia dhe Librazhdi, do të bashkohen me rrugë automobilistike të parametrave ndërkombëtar”, deklaroi Kryeministri.
Kryeministri Berisha premtoi edhe rritjen e ndihmës sociale, ndërsa nuk la për zbuluar edhe një pjesë të projektit për minierat e shumta që gjenden edhe në këtë zonë.
“Minierat janë një tjetër burim madhor dhe kjo është një zonë minerare e fuqishme. Ju garantoj se do të bëjmë çdo përpjekje për të qëndruar në anën e punëtorëve, në anën e minatorëve të Bulqizës. Do të bëjmë çdo përpjekje që komuniteti juaj të përfitojë nga pasuritë tuaja”, u shpreh midis të tjerave Kryeministri Sali Berisha.   
 

Pjesë të rrugës së Arbrit

Loti 1 i segmentit
Dalje Ura e Vashës - Bulqizë
Realizohet me investim të buxhetit të shtetit, me vlerë 838 621 133.9 lekë.
Ky lot ka një gjatësi 3.9 km dhe gjerësia e rrugës, duke përfshirë edhe pjesën e bankinës, është 11 metra
 
Loti 2 i segmentit
Dalje Ura e Vashës - Bulqizë,
Realizohet me investim të buxhetit të shtetit, me vlerë 748 248 264 lekë.
Ky lot ka një gjatësi 3.8 km dhe gjerësia e rrugës, duke përfshirë edhe pjesën e bankinës, është 11 metra.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›