Më dhemb në shpirt që im bir nuk më thërret dot: mami

Klevisi 3-vjeçar me prindërit
Flet e ëma: Lutem të mos i mohohet jeta normale.
Klevis Rizvani, 3-vjeçari në pritje të implantit koklear për të fituar dëgjimin.
Më dhemb në shpirt kur im bir përpiqet të më kërkojë diçka dhe unë nuk e kuptoj se çfarë do. Vë duart mbi ballë dhe ul kokën sikur e ka ai fajin pse nuk arrin dot të më përcjellë copëzat e fjalëve si të gjithë bashkëmoshatarët e tij. Më dhemb që nuk më thërret dot: mami.
E nis kështu rrëfimin e saj, me lot në sy e disi e përhumbur. Pastaj shkundet sikur përmendet e forca i kthehet sërish. Është gjëja më e bukur që kam. Me zor e kam pritur. Fle dhe zgjohem me mendimin se ai do të bëjë jetën normale që meriton. Është aq i etur për çdo detaj të saj!, na thotë ajo. Mira është një nënë e re 29-vjeçare. I biri, Klevisi, për pak muaj mbush 3 vjeç. Ka lindur me pamundësinë për të dëgjuar. Nëse do ti përkiste një brezi të njëzet apo tridhjetë viteve më parë, do të quhej fatkeq apo jo normal, i destinuar për të qenë i varur nga kjo mungesë. Rikuperimi i së folurës dhe dëgjimit do të ishte i pamundur. Nga të gjithë ata që do ta rrethonin do të shihej ndryshe, me keqardhje. Me kushtet që kishte mjekësia asokohe, ky problem nuk mund të gjente zgjidhje. Ndoshta kështu shihet edhe sot Klevisi dhe të gjithë fëmijët e tjerë që kanë të njëjtin problem si ai, por për arsye krejt të tjera. Sot bëhet fjalë për materie. Për para, pasi zgjidhja është gjetur prej vitesh. Me anë të një aparature e një ndërhyrjeje që quhet implanti koklear, çdo fëmije mund ti rikthehet 100% dëgjimi. Për një familje shqiptare janë shumë 27 mijë euro. Kaq është kostoja e kthimit të jetës së tyre në rrjedhë normale. Gjatë gjithë këtyre ditëve që jemi përpjekur të përcjellim zërin e prindërve për moskryerjen e implantit koklear në Shqipëri prej dy vitesh, në kokë na është vërvitur vetëm një mendim. Është përforcuar gjatë çdo kontakti që kemi pasur me këta prindër, në çdo lot që ata kanë derdhur dhe në çdo dritë shprese që kemi parë në sytë e tyre. Pa dashur ti tejkalojmë më tepër caqet e objektivitetit që na vesh petku profesional, me një logjikë krejt realiste kemi stërholluar pyetjen: Përse një shtet si i yni vijon ti trajtojë këta fëmijë njësoj si tri dekada më parë, duke i pasur, në fund të fundit, barrë edhe për 6 dekada të tjera me ndihmë sociale të përfituara nga statusi që do të marrin? Të njëjtën pyetje na e bëri edhe e ëma e Klevisit. Është pyetja e çdo prindi që ka të njëjtin hall. Në intervistën e saj për gazetën, Mira bën apel për sensibilizim ndaj gjithkujt që ka përgjegjësi për ti rikthyer normalitetin të birit.
Klevisi ka lindur me mungesë të dëgjimit. Mund të na thoni kur mësuat për këtë problem?

Klevis Rizvani
E kemi mësuar herët, në fakt, kur mbushi një vjeç. Por prindi është prind dhe nuk do ta besojë. Një ditë e nxorëm te lodrat dhe e pamë që shihte çdo gjë me habi. Aty nisëm të kuptonim se djali ynë vërtet nuk dëgjonte. U drejtuam në spital dhe kryem vizitat. Pasi mjekët na e konfirmuan, për ne ishte fundi i botës. Madje kujtoj tim shoq që pyeste mjeken: A më hiqet mua dëgjimi tia jap tim biri?. Ka qenë vërtet shumë e vështirë. Kam kaluar net të tëra pa gjumë duke e gdhirë në lot. Por njeriu gjen forca të përballojë gjithçka. Me ndihmën edhe të mjekëve që na kanë trajtuar, mësuam se ka një zgjidhje ky problem. Jetojmë me shpresën që të gjejmë mundësitë dhe të bëjmë implantin koklear, shpresojmë për ndihmën nga shteti përpara se djali ynë të mbushë 6 vjeç.
Si është një ditë e zakonshme e Klevisit?
Ai është shumë i shkathët. Zgjohet me përkëdheljet tona. Është vërtet një fëmijë i dashur. E kemi çuar edhe në çerdhe për ca kohë. U ambientua shumë shpejt dhe çdo mëngjes më tregonte me gisht çantën që merr me vete. Dita e Klevisit është si e çdo fëmije tjetër. Ai komunikon me ne me të gjitha shqisat e tjera. Muret i kemi të vizatuara në çdo cep nga duart e tij. Më jep gëzim, jetë. Shpirti më dhemb vetëm në momentin kur do të më kërkojë diçka dhe unë nuk e kuptoj. I them: Çfarë do, të keqen mami?. Ai tenton, tenton dhe pastaj vë duart në ballë e ul kokën. Në këtë çast dua të zhdukem.
Me çfarë të ardhurash jetoni?
Punojmë të dy, burrë e grua. Unë në një rrobaqepësi, im shoq në një firmë këpucësh. Jetojmë me rrogat që marrim aty. Mundësi të tjera nuk kemi.
Çfarë ju kanë thënë mjekët?
Mjekët na kanë thënë se e vetmja zgjidhje është implanti koklear. Djali ynë duhet ta bëjë përpara moshës 6 vjeç, ndryshe nuk ka shanse për të rikuperuar të folurën. Jemi në dijeni se dy vitet e fundit nuk ka asnjë fond, edhe pse na kanë dhënë shpresa se situata do të zgjidhet. Por djali ynë është në luftë me kohën dhe të them të drejtën, kemi frikë për të ardhmen e tij. Edhe shpresë, gjithashtu. E vetmja gjë që nuk kuptojmë edhe kur diskutojmë me prindërit e tjerë, është pse nuk investohet për këta fëmijë tani, ti paguhet kjo aparaturë, ndërkohë që shteti, do apo sdo, do ta mbajë gjithë jetën me ndihmë sociale, pasi përfitojnë status. Di që në të gjitha vendet e tjera, sapo diagnostikohet fëmija, u thonë prindërve se në moshën dy vjeç duhet të paraqiten për të bërë implantin. Flas për vende shumë afër nesh: Itali, Greqi. Është shteti që u mbulon shpenzimet.
Cili është apeli juaj si nënë?
Klevisi është gjëja me e bukur që kam. E kam pritur shumë ardhjen e tij në jetë. Natyra i mohoi të drejtën për të dëgjuar. U lutem, u përgjërohem të gjithë atyre që mund të bëjnë diçka: mos i mohoni fëmijës tim të drejtën për të qenë normal. Nëse do të ishte ndonjë sëmundje e pashërueshme, edhe unë ndoshta nuk do të insistoja. Por jeta e një fëmije vlen më shumë se miliona euro, vlen më shumë se financimi i një aparature, ndaj u lutem strukturave shëndetësore e shtetërore të na ndihmojnë. Të mendojnë si për fëmijët e tyre. Dua ta shoh tim bir të rritet. Pa qenë barrë e askujt. Dua ta shoh tim bir të shkojë në shkollë si të gjithë bashkëmoshatarët e tij. Dua ta shoh tim bir të lumtur, dhe jo të ketë mbi kurriz keqardhje.
Mjekja: Shqipëria e Kosova, të vetmet që nuk financohen
Shqipëria dhe Kosova janë të vetmet vende që nuk bëjnë Universal Neonatal Hearing Screening të institucionalizuar
dhe që nuk mbulohen nga buxheti. Këtë sqarim na dha mjekja pediatre, otorino-laringologe Edlira Beqiri. Në Shqipëri janë implantuar deri tani 7 pacientë. Kemi një listë me 20 pacientë fëmijë në pritje për të kryer implantin koklear si të vetmen mundësi të tyre për të pasur një jetë normale, tha Beqiri. Sipas saj, një pjesë e fëmijëve janë në limitet kohore të kryerjes me sukses të një programi implantimi koklear. Pas moshës 6 vjeç shanset e rikuperimit të të folurit janë minimale.Ministri Vasili: Do rishikohet buxheti
Në muajt në vijim do të bëhet një rishikim i buxhetit dhe sipas të gjitha modaliteteve, për ta do të parashikohet një fond, duke parë edhe mundësitë që na ofrohen. Këtë deklaratë bëri tri ditë më parë për gazetën ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili. Ai shtoi se Ministria e Shëndetësisë ka dhe ka pasur vullnetin për ti parë me prioritet fëmijët që lindin me mungesë të dëgjimi. I pyetur nga gazeta se pse 2 vitet e fundit nuk ka pasur fonde, kur mesatarisht duhen vetëm 300 mij