E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me dorëheqjen e vet, Zamir Shtylla ka vendosur edhe për Ina Ramën

Një strukturë antiligjore në prokurori, është rritur nga qeverimi i gjatë i Rakipit dhe Sollakut aty, përfaqësues i së cilës mund të konsiderohet Zamir Shtylla. Ai është pasardhës i atyre që vendosën për forcën e antiligjit, prandaj është sovran në dorëheqjen e vet, por prej andej rrjedh edhe vendimi i pakthyeshëm për largimin e Ina Ramës, për të cilën mund të themi se s’e ka në dorë, jo vetëm mbajtjen e Shtyllës, por as qendrimin e vet më të gjatë në post

Kryeprokurorja Ina Rama, e cila këto ditë do të duhet t’i harxhojë më shumë, duke përzgjedhur fjalët e imazhin e fundit, kur ajo do të dalë nga skena, ka dalë dje në media me shprehjen më të çuditshme të mundshme: ka deklaruar se s’ka marrë ende vendim për “dorëheqjen e parevokueshme” të drejtorit të përgjithshëm të hetimeve në Prokurori, Zamir Shtylla. Deklarata është pak më shumë se qesharake, pasi nuk tregon qendrën e vërtetë të pushtetit vendimmarrës në këto punë, e ndërkohë shënon nonsensin, se vë në pikëpyetje një gjë të parevokueshme. Ina Rama do të duhej të ishte në krye të punëve, qëkur erdhi në krye të institucionit, të udhëhiqte përmbushjen e hetimeve, e së pari të nxirrte nga pluhuri qindra dosjet që flinin në epokën e Zamir Shtyllës. Kryeprokurorja e re do të duhej të ishte në krye të punëve, së pari duke larguar faktorët që e kishin çuar institucionin e akuzës në pikë të hallit, sa të identifikohej si simbioza e krimit në Shqipëri, bile si pushteti okult që shërbente si padrino për strukturat kriminale të të gjithë rajonit.
    Por, Ina Rama nxitoi shumë shpejt të zhgënjente krejt pritshmërinë tonë, duke u treguar e pazonja të shënonte ndryshimin në institucionin e akuzës. Eksponentët e kursit të zi të prokurorisë mbijetuan edhe me Ina Ramën, bile disa prej tyre u graduan e morën pushtet të ri, pushtet që siç e marrim me mend të gjithë, e përdorën për atë për të cilën ishin specializuar: të bllokonin sa të mundnin hapjen e dosjeve të krimit e të korrupsionit. Ina Rama përtoi ose s’deshi të merrej me prishjen e “status-quo”-së, prandaj përpjekjet e sotshme për t’u treguar se është e zonja e punëve, se në institucionin e akuzës pranohet lidershipi i saj e bëhet siç thotë ajo, nuk i beson njeri.
    Për këtë shkak, edhe deklarimi i djeshëm i saj, se ende s’kishte marrë vendim për pranimin e dorëheqjes së Zamir Shtyllës, ishte thjesht një kllounatë, që duhet të ketë bërë të qeshë edhe vetë këtë të fundit. Ndoshta mund t’i dimë edhe detajet se pse ky i fundit vendosi të dalë në periferi të skenës së prokurorisë, por përpjekja e Ina Ramës për t’u rrëfyer si kryeprotagoniste, ishte me të vërtetë mjerane. Kryeprokurorja duhet ta harxhojë kohën duke u përpjekur të mendojë vetëm skenën kulminante të këtyre kohëve, atë të largimit të saj, me përshtypje jo krejt të këqija, siç po e pikturojnë mediat këto ditë. Aty duhet të përqendrohet kryeprokurorja ende në detyrë, e ndoshta edhe do të mund të qëmtojë disa prej arsyeve që e shndërruan atë, në fare pak kohë, në zonjën më antipopullore të institucioneve tona. Bllokimi i dosjeve të krimit e të korrupsionit, por së pari, shndërrimi i saj në një buratin të vyer të opozitës, mund të jetë një pistë ku ajo mund t’i kërkojë përgjegjësitë e veta.
    Ajo mund të bëjë si të dojë, por mund të themi, krejt në fund, se dalja në publik, për të konfirmuar se kishte ende pushtet për të ndaluar dorëheqjen e Zamir Shtyllës, ishte një tejkalim i durimit publik. Prokuroria e Përgjithshme mbeti ajo që ishte, një institucion që s’arriti të mbrojë imazhin e shtetit e të ligjit, por u shndërrua në abuzuesin më të madh të tij, sepse një establishment i tërë antiligjor kishte marrë pushtetin aty, në sajë të qeverimit të Rakipit e Sollakut, prandaj edhe mund të themi se përfaqësuesi vendimmarrës e pushtetar i këtij establishmenti është Zamir Shtylla. Në këtë karrierë të qeverimit të antiligjit në prokurori, Zamir Shtylla është me të vërtetë sovran e ai ka vendosur të dorëhiqet. E pikërisht prej këtij vendimi, vjen i pakundërshtueshëm edhe vendimi juaj, zonja Ina Rama, për të lënë institucionin, e prej karrierës tuaj të shkurtër në krye të institucionit, mund të themi, se ju nuk jeni më sovrane në marrjen e vendimit, e s’keni mundësi të veproni ndryshe.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›