E Diel, 1 Nëntor 2026

“Presidenti respektoi Kushtetutën, lustracioni është më jetik se kudo”

Kryeministri Sali Berisha shprehet për Ligjin e “Dosjeve”

TIRANE - Pas hyrjes në fuqi të ligjit të lustracionit dhe heshtjes së Presidentit Topi, ka reaguar nga Elbasani kryeministri Berisha. Sipas kreut të qeverisë, presidenti zbatoi të drejtën e tij kushtetuese.
“Kombi do të ecë përpara dhe në Shqipëri lustracioni është më jetik se kudo. Nuk kam ndonjë koment të veçantë për qëndrimin e zotit President, ai ka bërë zgjedhjen e vet, ka ushtruar të drejtat e tij kushtetuese, pasi në Kushtetutë Presidenti një ligj e firmos, ia kthen parlamentit ose nuk shprehet, ndër tre variantet ka përzgjedhur variantin e mosshprehjes”, u shpreh kryeministri.
Gjatë takimit me studentët në Elbasan, kryeministri evidentoi çështjen e lustracionit, duke theksuar para të rinjve studentë se “një nga motivet më kryesore që unë insistova për votimin e ligjit keni qenë ju dhe, para së gjithash, ju të rinjtë e Shqipërisë”. Ju të dashur studente dhe studentë, nuk keni kaluar një ditë në diktaturë. Keni pasur fatin e madh. Me asgjë nuk mund të përshkruhet sistemi që kaloi ky vend për shumicën e popullatës. Nuk po ndalem tek pushkatimet, burgjet, kampet e përqendrimit, por ju ftoj të shkoni një ditë në Gjinar, në Labinoti dhe të bisedoni me ta”, theksoi kryeministri.
Kreu i qeverisë, shtoi se në vitin 1995 u bë ky ligj që sipas tij, është absolutisht antihakmarrje.
“Ka një dallim mes demokracisë dhe diktaturës. Diktatura është urrejtje dhe hakmarrje, demokracia është mirëkuptim, kompromis, pajtim. Këto janë nga ana e vlerave. Që ju të keni në krye të sistemit të drejtësisë vetëm ata të cilët i kanë duart e tyre të lyera me gjak, kjo nuk mund të pranohej më tutje. E vura ligjin në 1995, mora variantin çek, u përkthye dhe u zbatua. Ligji çek ishte miratuar në 1991, ishte vlerësuar kushtetues nga Gjykata Kushtetuese e Çekosllovakisë. Ligji nuk është për hakmarrje dhe ju garantoj se do të jetë një proces tërësisht transparent, nuk do të ketë asnjë lidhje me ndonjë lloj hakmarrjeje, sepse ata që preken nga ligji do të kenë të drejtë të shkojnë në tre shkallët e gjyqësorit, do të kenë të drejtë t’i drejtohen Strasburgut për të paditur qeverinë dhe parlamentin shqiptar. Ne jemi vendi i lirë, por ajo që kemi përjetuar ishte mjaft e rëndë. Të gjitha vendet e Evropës Juglindore të marra së bashku, nuk kanë as gjysmën e të ekzekutuarve që ka Shqipëria. Çekia, Gjermania, Sllovakia, të marra së bashku, nuk kanë të pushkatuar sa kemi ne gra të pushkatuara nga regjimi komunist”, tha ndër të tjera kryeminisitri.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›