“Vendet e BE-së besuan te Shqipëria evropiane”

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli takon studentët e Universitetit të Tiranës, si dhe komenton ratifikimin e MSA-së, nga gjithë vendet e BE-së
TIRANE - Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, deklaroi dje theksoi gjatë një seance me studentë të universiteteve të Tiranës, me rastin e përfundimit të ratifikimit të MSA-së nga parlamentet e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) se vendet e BE-së besuan tek Shqipëria evropiane.
“Vendet e BE-së besuan tek Shqipëria evropiane. Falë reformave mbyllëm ratifikimet në kohë rekord dhe me këtë proces Evropa dëshmoi se është pro Shqipërisë. Kjo është një ëndërr e madhe e brezit tonë dhe e brezit tuaj. Disa nga ju mund të punojnë nesër në parlamentin evropian”, u shpreh Topalli, duke iu drejtuar studentëve të pranishëm.
Nën moton “Evropa, po Shqipërisë” dhjetëra studentë u mblodhën në sallën e seancave plenare me rastin e përmbylljes së këtij procesi, i cili u finalizua me ratifikimin e dy ditëve më parë nga parlamenti grek të MSA-së Shqipëri-BE.
Me këtë rast Topalli vlerësoi dhe ecurinë pozitive të ratifikimit të Protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, nga vendet anëtare të Aleancës, ku deri tani numërohen rreth 18 vende që e kanë mbyllur këtë proces.
“Janë 18 parlamente që e kanë ratifikuar Protokollin e NATO-s dhe në muajin prill ne do të pranohemi me të drejta të plota në Aleancë dhe jam krenare për këtë”, u shpreh Kryetarja e Kuvendit.
Parlamenti i Greqisë ratifikoi të mërkurën MSA-në Shqipëri-BE, duke shënuar dhe mbylljen e këtij procesi të rëndësishëm për vendin, i cili i hap rrugën aplikimit nga qeveria shqiptare për statusin e vendit kandidat për në BE.