E Diel, 1 Nëntor 2026

Rinia universitare, lokomotiva e fushatës së ardhshme të Berishës

Kryeministri Berisha rikonfirmon nga qyteti i Elbasanit vëmendjen e qeverisë ndaj arsimit, duke e konfirmuar atë si një përparësi madhore edhe në 4 vitet e mandatit të ardhshëm të së djathtës. Shefi i qeverisë siguroi se shkollimi, dija e rinisë shqiptare dhe punësimi i tyre, mbetet prioritet kryesor i kabinetit të tij

TIRANE - Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje një takim me studentë dhe pedagogë të Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, në qytetin e Elbasanit, duke çelur kështu një seri takimesh me rininë universitare të Shqipërisë.
Kreu i qeverisë pati një bashkëbisedim të ngrohtë me studentët dhe stafin akademik dhe iu përgjigj interesimit të tyre për çështje të ndryshme. Ai i falënderoi ata për pritjen dhe i siguroi se, për qeverinë, shkollimi, dija e rinisë shqiptare dhe punësimi i tyre, mbetet prioritet kryesor. Kryeministri vlerësoi se universitetet janë laboratorët e të ardhmes së kombit.
“Kam pasur fat të madh që çdo betejë, të cilat nuk kanë qenë të lehta, e kam fituar me ju dhe para së gjithash në sajë tuaj. Edhe në vitin 2005 kam qenë i bindur më shumë se kurrë për fitoren, sepse atë e shihja në sytë tuaj, në mbështetjen tuaj”, u shpreh kryeministri.
Studentët falënderuan kryeministrin për këtë vizitë dhe për mbështetjen e madhe që i ka dhënë arsimit në tërësi, veçanërisht Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, duke u shprehur se tashmë kryeministri ishte një mik i këtij universiteti, për shkak të vizitave të shpeshta në të.
“Shpreh kënaqësinë e madhe që ju takoj sot. Kam ardhur këtu tek ju, për të çelur një seri takimesh me rininë universitare shqiptare, me bindjen më të thellë se universitetet janë laboratorët më të fuqishëm të të ardhmes së kombit e të vendit, me bindjen më të thellë se e ardhmja nuk lind nga qeveritë apo burokracia, por lind në mendjen dhe zemrën e atyre që kanë shpresë, që kanë bindje e besim dhe të tilla të virtyte e vlera askund nuk janë më të shumta, sesa tek ju, tek rinia studentore e vendit tim”, tha kryeministri.
Unë, jo më kot kërkova katedrën, tha Berisha, pasi kam dhënë mësim 23 vjet, kam pasur një raport të veçantë me studentët, tërësisht të ndryshëm nga ky sot. Raporti im në ato vite ka qenë një përkushtim i madh në leksionin që t’u jepja atyre dhe një vështrim tek ata si një pranverë e përjetshme e vendit tim. Ndërsa më vonë, raporti im me studentët fitoi përjetësinë, sepse u bë raporti me lirinë.
“Unë sot jam i emocionuar, sepse takoj studentë që kanë moshën e lirisë së vendit tim. Nuk ka avantazh më të madh në jetë, sesa ky dhe këtë ua them me sinqeritetin më absolut. Kam qenë një pedagog, jam marrë intensivisht, që në rininë time, me studime shkencore, kam qenë një mjek i dashuruar marrëzisht pas profesionit tim, kam qenë një studiues dhe kërkues që kam botuar në të gjithë botën.
Por, nëse më pyesni se çfarë ndjenje më kanë dhënë ato 4 dekada, absolutisht, ju them një jetë e amputuar. Kjo, jo sepse ato që bënim nuk kishin vlerë, por se në hierarkinë e vlerave, ato vlera që na mungonin ishin shumë herë më eprore sesa ato me të cilat merreshim. Ndaj edhe ju keni fatin e madh të mos punoni asnjë ditë në diktaturë. Kjo më shumëfishon raportin tim të lirisë me ju, besimin e madh te ju”, vuri në dukje kryeministri Berisha.

“Përmbyllja e MSA-së, kontrata e parë në zbatim të ëndrrës së rinisë “Shqipëria si Evropa”

TIRANE - Shefi i ekzekutivit Sali Berisha, në fjalën e tij para studentëve të Elbasanit, iu referua edhe përmbylljes tërësisht të procesit të ratifikimit të MSA-së Shqipëri-BE.
“U kompletua tërësish procesi i ratifikimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian. 27 vendet e Evropës firmosën përfundimisht MSA-në. Kjo ishte kontrata e parë në zbatim të ëndrrës së rinisë shqiptare ‘Shqipëria si Evropa’. Në Bukuresht, Shqipëria mori ftesën për në NATO dhe po ecën drejt anëtarësimit. Këtë vit, ne bëjmë hapin tjetër të rëndësishëm për statusin e kandidatit për në BE. Pra, ne ecim me vendosmëri drejt idealeve tona të lirisë, idealeve evropiane. Në të gjithë këtë përpjekje, ne nuk kemi rrugë të sheshtë”, tha kryeministri.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›