E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Aplikimi i Shqipërisë për statusin e vendit kandidat të paraprihet nga një konsensus i gjerë politik

TIRANE – “Aplikimi i Shqipërisë për fitimin e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian duhet të paraprihet nga ndërtimi i një konsensusi të gjerë mbarë partiak mbi reformat kryesore dhe plotësimin e përbashkët të detyrimeve të reja që do të derivojnë nga faza e re e procesit integrues, ku ka hyrë vendi ynë pas përfundimit me aktin e djeshëm të parlamentit grek, ratifikimin e plotë të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me BE-në”.
Kështu ka deklaruar dje kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Në cilësinë edhe të drejtuesit të komisionit parlamentar të integrimit, Meta i propozon Presidentit të Republikës, Bamir Topi thirrjen e një tryeze të përbashkët të forcave politike për një pakt të madh mbi këtë proces.
“Unë mendoj se për të paraqitur aplikimin për statusin e një vendi kandidat për Bashkimin Evropian, në radhë të parë duhet një konsensus shumë i gjerë politike brenda vendit, që sipas mendimit tim, do të thotë një tryezë e thirrur nga Presidenti i Republikës me përfaqësuesit kryesorë të mazhorancës dhe të opozitës për të diskutuar këtë fazë të re ku hyjnë marrëdhëniet e Shqipërisë me BE dhe procedurat që duhet të ndiqen më tej. Pra, nuk duhet kthyer në një lojë politike, por duhet zgjeruar maksimalisht konsensusi politik për procedurat që do të ndiqen në të ardhmen. Mendoj se, një konsensus tepër i gjerë do të ishte një faktor i rëndësishëm për t’u mirëpritur një aplikim i tillë nga Bashkimi Evropian”, u shpreh dje Meta.
Duke përshëndetur ratifikimin nga Parlamenti i Greqisë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, lideri i LSI-së tha se përmbyllja e këtij procesi është një moment tepër i rëndësishëm që kërkon seriozitet dhe një përgjegjshmëri të jashtëzakonshme nga institucionet e vendit, nga parlamenti,
por mbi të gjitha nga mazhoranca aktuale.
“BE ka shprehur qëndrimin e qartë e paekuivok se Shqipëria duhet të hedhë një sërë hapash të rëndësishëm për afrimin e mëtejshëm drejt saj, veçanërisht në drejtim të arritjes së standardeve në kriteret politike. Kushti i parë përcaktues janë zgjedhjet e lira e të ndershme të Qershorit 2009”, nënvizoi Meta

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›