E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Me dosje të mbyllura"

Për të 17-twn herë aq vite sa jetojmw njw regjim tw demokratizuar politikisht, është rikthyer për diskutim në Kuvend ligji për hapjen e dosjeve. Tashmë kjo është një gjë krejt e mirënjohur në Shqipëri. Sa herë afrohen zgjedhjet, aq herë bëhen polemika, hartohen ligje, krijohen komisione (si komisioni Bezhani dhe komisioni Mezini), të gjitha me kryefjalë dosjet. Por dosjet, ato të fshehtat, ato që rëndojnë jo vetëm moralisht por edhe juridikisht, afro dy dekada pas përmbysjes së komunizmit, vazhdojnë të jenë nën të njëjtin regjim kontrolli dhe gjithaq instrument lufte dhe kërcënimi politik.

Mungesa e një ligji për hapjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të fshehtë të Sigurimit para së gjithash dëshmon se Shqipëria do të kalojë edhe ca vite të mira në tranzicion, që për shqiptarin e thjeshtë do të thotë edhe ca vite mallkim. Pikërisht e fshehta e këtyre dosjeve shpreh pushtetin e së kaluarës mbi të sotmen. Largimi prej rregullimit ligjor të aksesit mbi dosjet e ish-bashkëpunëtorëve të fshehtë të Sigurimit do të thotë se ligjëvënësit e sotëm nuk janë të lirë të vendosin për ndarjen nga e kaluara. Përmes dosjeve të arkivave të fshehta sigurohet vazhdimësia okulte e klasës së vjetër në qeverisje dhe administrim publik, në të gjitha shkallët.

"Me dosje të mbyllura" mbi të gjitha do të thotë që ish-të përndjekurit dhe ish - tw burgosurit kurrë të mos e gëzojnë as të drejtën e viktimës, që është e drejta më elementare dhe ndoshta edhe më fyese ndaj tyre, pa bërë fjalë për mundësinë e integrimit përparësor të tyre në shoqërinë publike. Hapja e dosjeve para së gjithash ka si përgjegjësi plotësimin e kësaj të drejte - më modeste nuk ka si bëhet - që viktima ta dijë pse është dënuar dhe të njohë individualisht cilët kanë qenë përndjekësit e tij. Eshtë paradoksale, por në Shqipëri përmenden shifra prej disa qindra mijë të përndjekurish, të cilët kanë secili emër e mbiemër, por deri më tani këta thjesht i ka ndjekur lugati, fantazma, diktatura, Enveri, sepse emra të përveçëm për shkaktarët e traumave të pariparueshme ndaj tyre nuk ka dhe nuk ka për të pasur derisa hapja e dosjeve të jetë rregulluar me ligj. Kjo do të thotë gjithashtu se qindra mijë, apo qoftë dhe dhjetëra mijë ish-të përndjekur, nuk do të kenë mundësi të ushtrojnë të drejtën më të pakomentueshme të tyre, të drejtën e votës, për të parandaluar ruajtjen apo dhe marrjen e pushteteve prej meritave të okultizmit, i cili dihet mirë se është një prej burimeve bazë të të gjitha autokracive dhe diktaturave.

Pse tremben ligjëvënësit të njohin të drejtën e viktimës për të ditur pse janë dënuar, kush i ka përndjekur, kush i dënuar? Efekti i vetëm është ndëshkimi me anë të votës, që në thelb do të thotë refuzimi i atyre individëve që e mbajnë ende shoqërinë shqiptare brenda mendësisë së vjetër dhe nuk lejojnë dekomunistizimin e saj. Në një kuptim, të gjitha premtimet që u bëhen ish-të persektuarve, për politika sociale të diferencuara, në shërbim të integrimit të përshpejtuar të tyre në shoqëri, janë një maskaradë e pafytyrë, sa kohë që ligji nuk u njeh atyre të drejtën të njihen me përmbajtjen e dosjeve që u ka shkaktuar hatanë. Kjo do të ishte liria e votës demokratike të tyre.

Nëse e drejta e viktimës është e përgjithshme dhe e pakushtëzuar, individuale dhe jopublike, kjo do të përbënte hapin e parë të ndriçimit të së kaluarës dhe të ndërtimit të profilaksive politike për të mos lejuar përsëritjen e përndjekjes. Prej këndej do të fillonte ai proces që zakonisht quhet "the lustration", lustracioni, i cili vetëm në Shqipëri nuk është kryer, ndryshe nga në të gjitha vendet e ish-Lindjes komuniste. Lustracioni nuk mbaron me kaq, ligji duhet të njohë gjithashtu të drejtën e studiuesve dhe të kërkuesve për të naviguar sipas rregullave rreptësisht standarde në bazën e frikshme të të dhënave që pushtetet dhe qeveritë ose i kanë fshehur me xhelozi të tmerrshme, ose ia kanë kërcënuar njëri-tjetrit me po aq arrogancë.

Institucionet e bashkësisë europiane kanë hartuar akte vetëdetyruese për secilin vend anëtar, akte të cilat i kanë njohur dhe autoritetet e Shqipërisë, si Vendimi Këshillimor Nr. 13 (2000) për një politikë të përbashkët në fushën e arkivave; ose rezoluta e parlamentit europian për dekomunistizimin e shoqërive në vendet e ish-Lindjes komuniste. Ligji duhet të detyrojë qytetarin që, kur pretendon të ushtrojë një të drejtë përfaqësimi, apo qoftë dhe një të drejtë të deleguar, ose të bëjë të ditur vetë të kaluarën e tij, nëpërmjet shpalljes së dosjes që mund të rëndojë mbi të, ose të pranojë ndëshkimin publik duke ia lënë në dorë hapjen e dosjes një autoriteti të lartë e të paanshëm. Janë votuesit ata që, duke e ditur cila ka qenë e kaluara e gjithësecilit, vendosin në mënyrën më demokratike se cilin do të lejojnë të kalojnë në filtrin e votës së tyre dhe cilin do ta ndëshkojnë me mosvotim. Fakti që asnjëra prej këtyre të drejtave as është shqiptuar dhe as pritet të shqiptohet, edhe në këtë edicion rutinë të debatit për dosjet, tregon se në administratën e lartë politike të shtetit ka shumë prej atyre që kur u përmend dosjet në fakt i tremben votes, pavarësisht se njëri-tjetrin e kërcwnojnë me pseudonime gjithfarëshe, prej atyre rapsodike, deri tek pseudonimet ultramoderne.

Dy Gjermanitë u bashkuan, qindra e mijëra dosje u hapën, por asnjë cënim i paqes sociale nuk ndodhi. Ndodhi vetëm dëbimi i pjesës më të fshehtë të sistemit të vjetër prej politikës, denim përmes ndëshkimit me vote para së gjithash, përmes realizimit të së drejtës së viktimës dhe të lustracionit, por, në fund të fundit, edhe nëpërmjet mekanizmave mbrojtës të shoqërisë së re, kur nuk ka rrugë tjetër, nëpërmjet krijimit të një agjencie të pavarur që, kur individi këmbëngul kokëfortësisht të mbajë pushtet pa e marrë inciciativën e shpalljes së të kaluarës së vet, ajo vepron dhe bën të njohura faktet, pastaj prapë vota vendos, që do të thotë: nëse shoqëria është duke u dekomunistizuar, ata vetvetiu dalin jashtë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›