E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, propozohet ulja e çmimit të bukës

Duket se Elbasani do të jetë i pari "flamurtar" i uljes së çmimit të bukës. Propozimi ka ardhur nga vetë prefekti Sheqet Deliallisi dhe "drafti" për këtë problem është hartuar nga specialistë të bukës në bashkëpunim me ata të prefekturës. Takimi është organizuar dje në prefekturë pa shumë bujë, ndoshta për faktin se pak është shpresuar në këtë iniciativë personale të kreut të prefekturës. Për rreth 30 minuta kanë zgjatur debatet mes sindikatave të bukës masive dhe krerëve të prefekturës së qarkut, nga ku pritet që vendimi të ndërmerret para festave të Vitit të Ri. Propozimi për uljen e çmimit të bukës masive ka qenë jo më pak se 10 lekë të reja për një bukë, por ende nuk është gjetur konsensusi mes furrtarëve dhe institucionit të prefektit. Të paktën kërkesa e përbashkët e furrtarëve jep shpresë për ulje të çmimit. "Të mbyllen furrat që punojnë pa licenca dhe ne të përballemi me konkurrencën e ndershme", ka qenë kërkesa e krerëve të sindikatës së bukës masive. Megjithatë, furrtarët janë justifikuar me atë që kanë siguruar rezerva mielli për një periudhë të gjatë dhe me çmimin e lartë të tregut të afro para një viti.

Në fakt, jo pak furrtarë këtë verë ua kanë blerë fermerëve grurin direkt nga fusha me 40 lekë të reja kilogramin, pavarësisht se aktualisht ka rënë në 30 - 35 lekë për kilogram. Sidoqoftë, prefekti Deliallisi ka këmbëngulur për uljen e çmimit, ndërsa takimi i ardhshëm është lënë të hënën e fundit të këtij muaji, ku pritet që buka në Elbasan të kushtojë të paktën 10 lekë më lirë. Aktualisht, 1 kilogram bukë kushton 100 lekë dhe pretendohet për një ulje prej 10 lekësh në një kohë që disa qytete në vend e shesin me 80 lekë. Po me këtë çmim shitej buka para gjashtë muaj në Elbasan, por kriza me grurin solli rritje të kostos, duke shtrenjtuar jetesën për banorët e qytetit industrialist. Pak kohë më parë, disa fura buke në Fier tentuan të rrisnin çmimin e bukës, duke rënë dakord për fiksim çmimi, por ndërhyrja e Autoritetit të Konkurrencës solli ulje të çmimit dhe vendosje të gjobave për pronarët e furrave.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›