Më e bukura e Ballkanit
Modelja Afërdita Dreshaj, e cila e përfaqëson Kosovën në evenimentin e bukurisë “Miss Universe 2011”, që do të mbahet në Sao Paolo, po konsiderohet si njëra prej bukurosheve më të mira Ballkanit dhe jo vetëm nga Blic, por edhe nga shumica e medieve të Ballkanit.
Në një anketë që është zhvilluar dje në gazetën beogradase Blic, Afërdita kishte marrë 42. 9 për qind të votave, duke lënë pas edhe Miss Serbinë, Anja Saranovic, Miss Kroacinë, Miss Malin e Zi dhe Miss Slloveninë.
Lexuesit serbë kanë dhënë edhe arsyet pse Dreshaj është më e bukura në mesin e femrave të tjera të Ballkanit. Serbët mendojnë se ajo ka një karizmë, inteligjencë dhe është shumë e kulturuar. Kjo është arsyeja pse ata kanë votuar për kosovaren në anketën e gazetës së tyre.
“Kosova e ka më të mirën çikë në Ballkan këtë vit, këtë e shihni me shikim të parë. Përndryshe, jo vetëm Dreshaj, por edhe vajzat tjera shqiptare janë shumë të bukura, të përkushtuara, të nxehta, femërore dhe shumë seksi”, ka komentuar një lexues serb në këtë ueb-faqe, duke shtuar se Afërdita i ka shanset më të mira që të shkojë në finale.
Por, përderisa serbëve u pëlqen Afërdita, shqiptarëve u pëlqen Anja!
Në komentimet e shumta që janë bërë për misin kosovar, shqiptarët thonë se edhe serbja Anja është e bukur.
“Të dyja, të dyja. S’ka dallim race, feje dhe ideje! Të dyja të bukura”, thotë një komentues në një koment të tij në një prej medieve online të shqiptarëve.
Mirëpo, ka edhe të atillë që nuk e besojnë që serbët kanë votuar për Afërditën. “Hahaha. Ata që e kanë votuar janë kanë shqiptarët që i lexojnë gazetat serbe”, thotë një lexuese serbe, duke mos i besuar shumë gazetave të tjera.
Ndryshe, edhe portale të tjera kroate përpos që kanë shkruar për Afërditën, kanë vlerësuar se kosovarja ka gjasa të mira për të kaluar tutje.
Ndryshe, Dreshaj edhe pse është lindur në Prishtinë, jeton në New York.
Në fillim ishte marrë me modelizëm, por më vonë ajo filloi edhe të këndojë, profesion që thuhet se ia futi në gjak i dashuri i saj Shpat Kasapi.
Vazhdojnë përgatitjet
Nga ana tjetër, në Sao Paolo po vazhdojnë përgatitjet për mbajtjen e Miss Universe 2011. Vajzat përpos përgatitjeve kanë treguar edhe aftësitë e tyre në kuzhinë, përderisa edhe provat për vallëzim dhe kalërim nuk kanë munguar. Ndryshe, edhe procesi i votimit ka vazhduar duke u bërë në faqen zyrtare të Miss Universe 2011.