E Shtunë, 31 Tetor 2026

Më gjeni një titull

Para disa ditësh u ktheva nga një kolokuium ndërkombëtar që u mbajt në Bukuresht, në Rumani. Ai titullohej: "Shkrimtarët e juglindjes europiane në kërkim të identitetit" dhe unë mbajta atje temën: "Ismail Kadare - identiteti i keqkuptuar". Gjatë ditëve të qëndrimit në Rumani nisi edhe përkujtimi i rrëzimit të Murit të Berlinit. Këtë vit u mbushën 20 vjet nga dita e shembjes së murit famëkeq, ditë që simbolikisht ka hyrë në memorien tonë kolektive si shenja e përfundimit të luftës së ftohtë. Unë u largova nga Shqipëria të mërkurën dhe të hënën në darkë, më 2 nëntor, pronari i përfolur për privatizim të paligjshëm të ARMO-s dhe për korrupsion, Rezart Taçi, së bashku me rojat e tij rrahën gazetarin Mero Baze. Po ato ditë qeveria dhe bashkia ziheshin për një tokë në qendër të Tiranës dhe qeveria e Sali Berishës këmbëngulte ta përvetësonte atë tokë, ndërsa bashkia kishte dhënë lejen për ndërtimin e një kompleksi në atë shesh. Imazhi i policisë së shtetit që zihej me policinë e tatimeve në dyert e uzinës së përpunimit të thellë të naftës në Ballsh, pronë e Rezart Taçit dhe sherri për tokën në qendër të kryeqytetit, jo vetëm mua, por një pjese të madhe njerëzish, i kishin bërë të ndiheshin të neveritur me qeverinë e tyre. Mirëpo unë do të nisesha për një kolokuium ndërkombëtar dhe dy ditë do të dëgjoja të flitej vetëm për letërsi, për poezi e sonete dhe kjo natyrisht nuk ma lehtësonte peshën e rëndë të nënvetëdijes së squllur brenda së cilës më lëviznin si në ajër copëra titujsh të ndërprerë si: "dajak e poezi" apo "toka jonë" dhe... Menjëherë sapo nis dita e parë e kolokuiumit, një nga folësit, mes të tjerash, përmend edhe një thënie të një historiani francez që karakterizon Ballkanin në këtë formë: Po e citoj në frëngjisht dhe pastaj në shqip: "On entend par nation un gruopement d‘hommes reunis par une même erreur sur leur origine et une commune aversion à l‘égard de leurs voisins" . Dhe ja përkthimi në shqip: "Komb është një grumbull njerëzish bashkuar sipas të njëjtit gabim të origjinës dhe që kanë të njëjtën armiqësi ndaj fqinjëve". Ky përcaktim cinik i një historiani francez për kuptimin e kombit sipas ballkanasve, më ngulet në mendje dhe, unë që nuk jam çliruar ende nga ngjarjet që shtillen në vendin tim, them se kështu mund të karakterizohet në mënyrë të shkëlqyer edhe vendi im. Ndarja e madhe, përçarja katastrofike që po përjetojmë, të ngjan se ka në bazë një keqkuptim tragjik, aq sa të duket se ne të gjithë jemi bashkuar në këtë vend gabimisht dhe se kemi të gjithë të njëjtën ndjenjë armiqësie ndaj tjetrit. Dua ta vijoj më tej rrëfimin tim për atë që pashë e ndjeva në Bukuresht, por nuk mundem. Më mbërthen si gjithmonë ndjenja e kotësisë dhe e boshllëkut. Më duket vetja një hiç i madh që nuk është i aftë të ndryshojë asgjë në këtë vend. Mirëpo, ashtu i përhumbur i hap edhe njëherë shënimet e mia nga ditët e kolokuiumit dhe në fillim më vjen në vështrim Paul Miclau, poeti, profesori dhe studiuesi i famshëm rumun. Ai është mjeshtër i sonetit dhe unë kam një libër të tijin me sonete dhe të nënshkruar prej tij gjithashtu, me titull "Instant sans fin". Kolokuiumi i organizuar nga Universiteti "Spiru Haret" dhe i mbështetur nga Agjencia Universitare e Frankofonisë në Bukuresht mbahet për të dytin vit radhazi dhe ka si qëllim që të shqyrtojë veprimtarinë letrare të shkrimtarëve të Ballkanit që njihen apo që shkruajnë edhe në frëngjisht. Efstratia Oktapoda, inxhiniere e kërkimit shkencor në Universitetin e Sorbonës, ka zgjedhur edhe ajo ashtu si unë një temë nga krijimtaria e Kadaresë: "Miti dhe identiteti tek Ismail Kadare". Një vit më parë, studiuesja rumune dhe profesoresha Mihaela Chapelan kishte mbajtur kumtesën "Faik Beg Konica dhe Gillom Apollinaire". E ndieje veten të plotë dhe të dukej se atdheu yt, vendi ku "njerëzit ishin bashkuar gabimisht për shkak të origjinës", siç thoshte me cinizëm ai historiani francez, ishte larg. Mirëpo edhe Rumania ishte në prag të zgjedhjeve parlamentare dhe profesori Miclau, në një pushim të shkurtër, tha: "Ne kemi Parlamentin më të keq në botë". Po unë çfarë duhet të thosha? Të gjithë kthyen sytë nga unë. Ne, tani për tani, nuk kemi Parlament fare u thashë, sepse nuk dimë të votojmë. Ne i vjedhim votat dhe në Parlament futet vetëm ai që vjedh votat, të tjerët rrinë jashtë. Më panë dhe m‘u desh pak kohë derisa ta shpjegoja atë që sapo thashë, por profesori nga Kalifornia, Najib Redouane, me origjinë nga Maroku, më kuptoi më mirë dhe miqtë rumunë vunë buzën në gaz.

Përsëri këtu e ndërpreva këtë shkrim që nuk po e mbaroja dot pse ajo ndjenja e squllët e boshllëkut nuk po më lëshonte dhe, edhe pse në Tiranë u hap Panairi i Librit, mua më ngjante se vendi ishte zhytur në një depresion pa kthim. Të gjithë prisnin se ç‘do të ndodhte me tubimin e opozitës dhe ndërkohë mua më ra në dorë intervista e Dan Vioneas, prokurorit që dënoi me vdekje çiftin Nikolae e Elene Çaushesku. Megjithëse nuk e thotë, ai e di se më 25 dhjetor 1989, kur ishte 39 vjeç, ishte bërë një marionetë e historisë. Atë ditë, kujton ai, gjeneral Stankulesku, ministër i Mbrojtjes dhe i Frontit të Shpëtimit Kombëtar, organi politik që sapo kishte zëvendësuar Partinë Komuniste rumune, i kishte telefonuar dhe i kishte kërkuar që të përgatiste urgjentisht dosjen penale në ngarkim të Nikolae e Elena Çausheskut, burgosur tashmë dhe të mbyllur në një kazermë të qytetit Tirgoviste. Në sallë ishin dy avokatë mbrojtës të marrë nga zyra shtetërore e avokatëve, dy gjykatës, dy "përfaqësues të popullit" dhe një ushtarak që filmonte ngjarjen. "Unë, kujton Dan Voinea, prisja një proces të vërtetë, por njerëzit që ishin sipër meje kërkonin kokën e çiftit Çaushesku. Askush nuk më kishte thënë se ata do të pushkatoheshin aq shpejt... Procesi zgjati një orë. Në orën 15.00 përfundoi. Unë kërkova dënimin me vdekje. Çifti Çaushesku refuzoi ta apelonte vendimin. I nxorën jashtë në oborrin e kazermës. Atje prisnin tre ushtarë. Ata i pushkatuan menjëherë, pra e ekzekutuan sentencën menjëherë". Në atë çast u ndjeva i lehtësuar, vijon Voinea. Por sot jam i pakënaqur, sepse vdekja e tyre, e tiranëve që ai i urrente, nuk shërbeu për asgjë. Nomenklatura e re e "konfiskoi revolucionin". Komunistët e vjetër veshur me kostum të ri kanë shtënë në dorë sot gjithë pushtetet në Rumani.
E kam përsëri të pamundur ta vijoj këtë shkrim dhe e ndërpres këtu, sepse nëse ka një vend ku revolucioni demokratik është konfiskuar, ky përsëri është vendi im. Madje, këtu, jo vetëm që është konfiskuar, por është vjedhur dhe shpërbërë pa asnjë gjurmë. Mirëpo vjen fundi i muajit nëntor dhe shkrimin që kam rreth dy javë që e kam nisur dhe nuk e mbyll dot, më duhet ta heq nga duart sa më shpejt. Në një nga këto ditë kisha planifikuar të takohesha edhe me shkrimtarin tonë të madh Kadare, por as atij nuk i kam telefonuar dot. E pashë ashtu të ngrirë, kur në sallën e Akademisë së Shkencave, Kryeministri i Shqipërisë fliste për të dhe për veprën e tij. Një ngjarje që atë e kishte vënë në siklet dhe nuk më kujtohet asgjë nga ato që tha Kryeministri i vendit tim në atë takim. Mbaj mend se Kadareja foli shkurt, shumë shkurt. Mirëpo nuk më kujtohet se sa ditë kaluan nga ajo e Akademisë derisa erdhi e premtja, ajo ditë kur ai që ka konfiskuar revolucionin tonë demokratik lëshoi nga foltorja e Parlamentit lumin e fëlliqtë të fyerjeve e sharjeve. Dhe unë u ktheva përsëri atje ku isha. U përpoqa të mbështillem me kujtimet e poezive dhe soneteve që dëgjova në ditët e kolokuiumit. Më kanë mbetur në mendje dy vargje të poetit të famshëm grek Analis që jetoi në Francë:
Nga të gjithë vatanet, më i larti është Mërgimi,
Mërgimi, liria jonë e çliruar...
Shkrimin më duket sikur e kam përfunduar, por në mendje e në shpirt më gërryen si turjelë një mendim i zi. Po filloj të bindem përditë e më shumë se ky vend nuk mund të trashëgohet, sepse njëherë në disa vjet pjell nga një monstër. Më përzihen si në tym disa ngjarje njëherësh. Ismail Qemali u detyrua të ikte sapo shpalli mëvetësinë e Shqipërisë. Faik Konica sapo u kthye në Amerikë nuk pranonte më të dëgjonte asgjë për Shqipërinë. Noli nuk pranoi kurrë të kthehej në këtë vend, edhe pse komunistët e lutën për vite me radhë. Kadareja vjen dhe ikën si hije. Më shumë nuk do ta marrin vesh se ka ardhur dhe duket se më parë mendon të ikë se sa të vijë. I vetmi që mbetet është ai që ka konfiskuar tani edhe dëshirën tonë për të qëndruar në këtë vend, ai që ulërin në emër të një revolucioni që ai e konfiskoi në fillim dhe tani po e vjedh... Ndaj nuk di si ta titulloj këtë shkrim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›