E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjata: Bojkoti i opozitës uk e shpërndan Parlamentin

Presidenti nuk mund ta shpërndajë Parlamentin dhe të shpallë zgjedhjet e parakohshme, veçse në rastin që parashikon Kushtetuta. Konstitucionalisti i njohur, Rustem Gjata, shprehet në një prononcim për "Shqip", se në rastin konkret me situatën politike, këtë kërkesë mund ta artikulojë vetëm Kryeministri. Pra, është kreu i qeverisë që i kërkon Presidentit të shpërndajë Parlamentin. Në të kundërt, ai nuk ka asnjë tagër që të ndërhyjë duke dhënë këtë mënyrë si zgjidhje për situatën politike. Ai bazohet te neni 96 i Kushtetutës së Shqipërisë, i cili thotë se Presidenti ka të drejtë të shpërndajë Parlamentin vetëm kur Parlamenti dështon dy herë në zgjedhjen e Kryeministrit. Gjata tha "se ky është rast taksativ, s‘ka asnjë mënyrë interpretimi, sepse vetë neni nuk ta lejon këtë".

Gjata shprehet se sot flitet për një krizë, por, sipas tij, nga pikëpamja juridike nuk ka një të tillë, pasi Kryeministri është zgjedhur dhe ka një qeveri. Ndaj, siç deklaron, ai "s‘ka asnjë arsye për shpërndarje të Parlamentit. Madje do të sugjeroja që kush ka pretendime mund t‘i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Aty mund të marrë përgjigje. Megjithëse s‘di çfarë përgjigje do marrë, pasi rasti i rolit të Presidentit për shpërndarjen e Parlamentit është i specifikuar dhe neni nuk të lë shkas për interpretime të tjera". Në rubrikën e kompetencave të Presidentit të Republikës, pjesë e Kushtetutës, neni 96, është i vetmi që flet për emërimin e Kryeministrit dhe shpërndarjen e Kuvendit.

Pika e parë parashikon se Presidenti i Republikës, në fillim të legjislaturës, si dhe kur vendi i Kryeministrit mbetet vakant, emëron Kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit të partive, që ka shumicën e vendeve në Kuvend. Pika dy thotë se në qoftë se Kryeministri i emëruar nuk miratohet nga Kuvendi, Presidenti emëron një Kryeministër të ri brenda 10 ditëve.

Në qoftë se edhe Kryeministri i emëruar rishtas nuk miratohet nga Kuvendi, brenda 10 ditëve Kuvendi zgjedh një Kryeministër tjetër. Në këtë rast, Presidenti emëron Kryeministrin e ri.

Pika katër saktëson se kur Kuvendi nuk arrin të zgjedhë Kryeministrin e ri, Presidenti i Republikës shpërndan Kuvendin.

Dy ditë më parë, një prej zyrtarëve të Partisë Socialiste, Erjon Braçe, përmendi idenë e shpërndarjes së Parlamentit. Braçe, i pyetur mbi deklaratën e Kryeministrit se do zbatojë Kushtetutën lidhur me zëvendësimin e deputetëve aktualë të PS-së, tha se

"Kryeministri po ecën në një rrugë, që normalisht të çon në shpërndarjen e Parlamentit dhe shpërndarja e Parlamentit çon në zgjedhje të parakohshme. Urojmë që Kryeministri t‘i shkojë kësaj rruge", tha ai. Por ideja është përforcuar mjaft nga një prej protagonistëve kryesorë të partive që mbështesin protestat e opozitës. Spartak Ngjela, kreu i PLD-së, është shprehur se Presidenti duhet të japë një afat për zgjidhjen e krizës, më pas duhet të zbatojë të drejtën e tij kushtetuese për të shpërndarë Parlamentin. "Presidenti Topi duhet të shpërndajë Parlamentin, në rast se nuk zgjidhet kriza parlamentare deri në fund të dhjetorit. Duhet t‘i drejtohet popullit me një mesazh dhe të kryejë detyrën. Kuptohet, pasi t‘u ketë dhënë palëve një datë limit për t‘u marrë vesh. Shqipëria ka nevojë për burra shteti, Presidentit Topi koha ia besoi këtë favor, është mirë që ta tregojë", u shpreh Ngjela.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›