E Diel, 1 Nëntor 2026

Dubai, fundi i një mirazhi në shkretëtirë?

Në Lindjen e Mesme, ditët që u paraprijnë festave të Kurban Bajramit nuk janë si ato që në Perëndim u prijnë Krishtlindjeve. Besimtarët marrin kohë për të medituar dhe për t‘iu kushtuar fesë së tyre dhe sigurisht ka edhe nga ata që i kalojnë ditët e festës në pushime. Në Dubai shkollat, bizneset dhe zyrat e shtetit janë mbyllur të mërkurën e kaluar për një pushim njëjavor. Të huajt që banojnë në Emiratet e Bashkuara Arabe u kanë hipur avionëve e kanë fluturuar drejt Indisë, Europës, apo Sejshellëve, ndërsa vendasit, ata që nuk ndërmorën udhën e pelegrinazhit për në Mekë, anë përfituar nga moti plot diell e freski për të festuar e çlodhur pranë familjes. Situata do të kishte qenë me të vërtetë e qetë dhe e paqtë në të gjithë Emiratet, sikur Dubai të mos kishte vendosur të bënte një njoftim tronditës vetëm 2 ditë para festave.
"Dubai World" njoftoi se kishte ndërmend që t‘u kërkonte të gjithë financuesve një periudhë ngrirjeje të pagimit të borxheve dhe interesave deri në majin e vitit të ardhshëm. Në pamje të parë dukej si një kërkesë mjaft e sjellshme ndaj tregjeve financiare për të bërë pak durim në lidhje me pagesën e 3.5 miliardë dollarëve kredi. Por bankierët e lexuan ndryshe mesazhin. Për ta ai nuk ishte veçse një thirrje për ndihmë. Gjithsesi, një gjë është e sigurt që të gjithë investitorët u kapën në befasi.
Vetëm disa javë më parë nga kjo kërkesë publike për ngrirjen e pagesave, pikërisht në fillim të nëntorit, sundimtari i Emirateve, sheiku Mohammed bin Rashid Al Maktoum, ngulmoi në një konferencë investitorësh që Dubai dhe bizneset e tij që mbikëqyreshin rreptësisht nga qeveria po kalonin një situatë pozitive. Ata zëra që pretendonin se situata ishte ndryshe duhet "të qepnin gojën". Ndërkohë, një muaj më pas, ajo çka po ndodh në Dubai mund të konsiderohet pa frikë e pabesueshme. Kërkesa për ngrirjen e pagesave, një kërkesë që erdhi e beftë dhe e papritur, ka tronditur gjithë Emiratet Arabe, madje gjithë gadishullin Arabik dhe ka shkaktuar një shqetësim të thellë edhe në mbarë tregjet financiare botërore. Çmimet në bursat e Azisë dhe Europës kanë rënë, ndërsa vetë bursa e Dubait ra me 7% të hënën. Problemet në Gji kanë shqetësuar shumë dhe mbi të gjitha investitorët e huaj, perëndimorë në këtë vend, sepse aty kanë bërë investime disa nga kompanitë dhe bankat më të mëdha e më të fuqishme të botës. Tani frika është se mos investitorët arabë që kanë paratë e tyre në bankat perëndimore do t‘i tërheqin ato për të shpëtuar Dubain nga falimenti. Borxhi që "Dubai World" duhet të paguajë është 80 miliardë dollarë dhe nëse kjo kompani e madhe qeveritare do të falimentojë, ndikimi i këtij falimenti do të kalojë kufijtë e vendeve arabe dhe do të shkaktojë tronditje edhe në ekonomitë perëndimore që mezi po e marrin veten nga dëmet e krizës financiare. Dëmi që mund të shkaktojë kjo krizë në bankat perëndimore mund të jetë shumë më i madh nga sa mendohet. Bankat, në veçanti, do të goditeshin rëndë, nëse "Dubai World" nuk do të paguante borxhin. Kreditorët kryesorë dhe më të mëdhenj të kompanisë përfshijnë kredidhënës të fuqishëm arabë dhe britanikë si HSBC, Barclays, Abu Dhabi Commercial Bank. Kriza financiare globale, që shumëkush shpresoi se e kaloi pjesën e saj më të rëndë, duket se është rikthyer për të marrë hak. Investitorët e shqetësuar po pyesin veten nëse Dubai është një rast i izoluar, apo pas tij mund të "plasin" bomba të tjera nga vende që gjithashtu, janë tepër të rënduara nga barra e borxheve. Termi "falimentim shtetëror" po dëgjohet gjithnjë e më shpesh dhe ajo që të gjithë kanë frikë është mundësia e përkeqësimit të kësaj situate në përmasa shumë të mëdha. Në rastin e Dubait, përveç të ashtuquajturës "flluskë financiare" duket se do të plasë edhe një tjetër flluskë, ajo e idesë së krijuar se një lider arab, thuajse nga hiçi, mund të krijojë një bum ekonomik të përmasave të mëdha. Befas Dubai, toka e së ardhmes dhe e premtimeve të mëdha po fillon të duket si toka e dështimeve dhe e frikës. Kjo pas një dhjetëvjeçari arritjesh e rritjesh marramendëse që e shndërruan qytetin port me një ekonomi shumë modeste në një qendër të financave globale dhe të tregtisë. Sheiku Mohammed ndërtoi një botë përrallash, të mbushur me hotele me 7 yje, me qendra tregtare të lara në ar e të ngritura me mermer nga më të shtrenjtët, me qiellgërvishtës që konkurronin vetëm me veten dhe që ishin shndërruar në sinonim të bukurisë, teknologjisë e luksit të shfrenuar. Pavarësisht se jashtë në diell temperatura i kalonte gjatë ditës të 44 gradët Celsius, në këtë qytet port u ngritën stadiume brenda të cilave mund të bëje ski dhe të mbështilleshe me shall e kapuç. Në këtë qytet ëndrrash dhe misionesh të pamundura, ligjet e biznesit tradicional dukej se nuk funksiononin. Ndërtesat shiteshin që në themele dhe jo rrallë investitorët jepnin 10% të shumës që në fillim për të paguar pjesën e mbetur në momentin kur të merrnin çelësat në dorë. Thuajse një e katërta e prodhimit kombëtar bruto të Dubait vinte nga ndërtimi dhe sektori i pasurive të patundshme. Flluska gjigante ushqehej me para që vinin nga e gjithë bota. Për të shndërruar vizionin e tij në një realitet të prekshëm, sundimtari i Dubait merrte borxh sasi jashtëzakonisht të mëdha parash, rreth 80 miliardë, nga tregjet ndërkombëtare të kapitaleve dhe kjo përgjatë viteve të fundit. Rreth 50 miliardë dollarë të këtij borxhi do të maturohet në vitin 2013. Çmimet e pasurive të patundshme aktualisht kanë rënë ndjeshëm dhe në krahasim me një vit më parë janë përgjysmuar. Vila dhe apartamente luksi të bëra gati qëndrojnë të zbrazura në pritje të blerësve, por ata nuk duken. Kate të tëra të qendrave të biznesit qëndrojnë bosh me shënimin: "Jepet me qira". Ekspertët e pasurive të patundshme thonë se vetëm 41% e hapësirave të ndërtimeve të përfunduara është në përdorim dhe kjo përqindje sa vjen e do të rritet edhe më shumë. Në vitin 2011, Dubai, një qytet me 1.5 milionë banorë, do të ketë hapësira të lira zyrash shumë më tepër se Shangai, një qytet 10 herë më i madh se Dubai. Bankat vendase janë financueset e pjesshme të këtij bumi megaloman ndërtimesh dhe pjesërisht sepse nuk kishin zgjidhje tjetër. Askush nuk guxonte që të vinte në dyshim aftësinë kredimarrëse të kompanive shtetërore kur ato aplikonin për kredi. Sipas një bankieri nga Dubai, bankat u shndërruan në një "zgjatim" të qeverisë dhe aktualisht ato po e pësojnë së bashku me të. Sigurisht që një pjesë e madhe e asaj që ka ndodhur dhe po ndodh në të vërtetë, pas skene, mbahet e fshehtë dhe ka pak gjasa që të dalë shpejt në dritën e diellit. Deri një javë më parë edhe vetë situata e rëndë financiare e Dubait ishte thjesht një thashethem i pakonfirmuar që askush nuk guxonte ta publikonte brenda vendit. Deri pak ditë më parë dukej se Dubain nuk e kishte prekur kriza financiare që shkatërroi shumë tregje dhe ekonomi në botë. Deri së fundi aeroporti i qytetit ende njoftonte rritje të vëllimit të pasagjerëve dhe të importeve dhe eksporteve. Për më tepër çmimi i naftës, që prej disa muajsh, ka shënuar veçse rritje dhe kjo ka qenë me shumë përfitim për të gjitha vendet e Gjirit, e veçanërisht për emiratet. Çmimet e larta të naftës përkthehen në një fluks në rritje të të ardhurave edhe për Abu Dhabin, që ka në territorin e vet 7% të rezervës globale të naftës. Madje, aktualisht biznesmenët e Dubait i kanë sytë e tyre te ndihma e fqinjit të pasur. Në fillim të vitit, Abu Dhabi arriti që ta shpëtonte Dubain nga një faliment me një paketë ndihme financiare prej 20 miliardë dollarësh. Por paratë u përpinë dhe u thithën nga bizneset dhe tani në fund të vitit kërkesat për paketa shpëtimtare janë katërfishuar. Por këtë herë duket se sheikët e pasur të vendit që "noton" në naftë duket se janë të lodhur nga ndihmat e vazhdueshme për Dubain. Disa bankierë mendojnë se njoftimi i javës së kaluar për kërkesën e ngritjes së borxhit për një periudhë 6-mujore ishte në fakt një lloj kërcënimi financiar i Dubait ndaj Abu Dhabit. Ky vend muajt e fundit nisi që të shtrëngojë kushtet e dhënies së parave të shumëdëshiruara. Si pasojë, sheiku i Dubait përmes njoftimit ka dashur të paralajmërojë kolegun e tij se nëse ai nuk do t‘i ndihmojë, atëherë ata që do ta pësojnë do të jenë të dy vendet dhe jo vetëm Dubai. Kërcënimi në fakt vlen edhe për dhjetëra kreditorë të vegjël në të gjithë botën që nëse nuk ndihmojnë, apo tolerojnë rrezikojnë të përballen me humbje të paimagjinueshme. Duket si një kurth në të cilin janë bërë bashkë shumë vende dhe institucione financiare. Për vite me radhë investitorët besonin në vizionin e një bumi në mes të shkretëtirës. Institucionet financiare parashikonin të ardhura marramendëse nga investimet e bëra të cilat deri pak kohë më parë ishin edhe të patatuara. Por ka pasur edhe nga ata vëzhgues financiarë të kujdesshëm dhe aspak entuziastë që kanë parashikuar shumë shpejt ditën kur flluska do të shpohej. Dhe kjo tashmë ka ndodhur…
Duke nisur nga e mërkura e kaluar situata sa vjen e bëhet më e mjegullt. Sheiku i madh e i pasur i Dubait duket qartazi se po luan për të fituar sa më shumë kohë. Nuk ishte aspak një koincidencë që ai e lëshoi deklaratën e tij bombë, vetëm një ditë para fillimit të festave myslimane, sepse kjo i jepte mundësinë e një jave kohë gjatë së cilës të gjithë faktorët e brendshëm dhe të jashtëm do të reflektonin dhe reagonin. Këto ditë pushimesh i kanë shërbyer për të marrë frymë dhe për të ndërtuar strategjinë e ditëve të vështira në vijim. Por sot, me përfundimin e pushimeve do të bëhet e qartë një pikëpyetje shumë e madhe: a kanë marrë fund njëherë e përgjithmonë vitet e arta të Dubait?
Përgjigjja për këtë pyetje mund të dedektohet nga një njoftim i thjeshtë, por kuptimplotë: ceremonia e përurimit të kullës më të lartë në botë, Burj Dubai, me një lartësi prej 818 metrash e parashikuar për sot, është shtyrë për një datë të pacaktuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›