E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tuneli i Thirrës nuk hapet as në pranverë

Tuneli i Kalimashit, si nyja kryesore e autostradës Durrës-Kukës-Morin, mbetet tema më e rrahur gjatë këtyre muajve për shumë njerëz në Shqipëri, e sidomos për ata që bëjnë rrugën Prishtinë-Tiranë etj., përfshirë Kukësin. Diskutimet shtrihen në dy plane dhe u marrin "kohën" dhe qëndrimet njerëzve ashtu si në një përrallë dimri, për shembjen e ndodhur dhe për mundësinë që galeria veriore të hapet për Vitin e Ri. Më herët u fol se kjo galeri do të hapej për festat e nëntorit, kur do të udhëtonin qindra kosovarë për të marrë pjesë në manifestimet e pavarësisë (97-vjetorit), por tuneli nuk u hap dhe ata udhëtuan rrugës së vjetër, ashtu siç kishin udhëtuar dikur me Isa Boletinin. Edhe atëherë nuk kishte rrugë dhe ndoshta edhe për këtë arsye nuk arriti të bashkohej me kohë kombi shqiptar. Por dëshirat e njerëzve shkojnë përsëri te mundësia tjetër e hapjes së tunelit, e pikërisht për Vitin e Ri. "Kam dëgjuar se tuneli i Kalimashit mund të hapet për Krishtlindje dhe do të qëndrojë nja 20 ditë i hapur", tha një biznesmen nga Kukësi, që bën gati çdo ditë rrugën e Tiranës. Edhe njerëz të tjerë thonë të njëjtën gjë, ndonëse nuk takohen te numri i ditëve. Mund të hapet për Vitin e Ri, kjo është thënia që dëgjon më shumë prej njerëzve, sa herë që bie fjala te rruga e shkurtër Kukës-Tiranë. Madje edhe nga vetë punëtorët e kompanisë dëgjon të thuhet se tuneli mund të hapet për Vitin e Ri. Në të vërtetë, e gjithë kjo përfolje për të, edhe në kuptimin pozitiv, ndodh sepse mungon informacioni për gjendjen reale. Mungon informacioni zyrtar, e në këto raste njerëzit hamendësojnë sipas dëshirës.

Inxhinierët: Tuneli nuk hapet
Një inxhinier i kompanisë, "Bechtel-Enka", duke folur për tunelin, por duke mos dashur të identifikohet, tha se tuneli as në pranverë nuk hapet dot. "Si mund të hapet në Vit të Ri tuneli? Kur ka ndodhur gjithë ajo shembje? Harroje atë punë. Janë vetëm dëshira të njerëzve që nuk dinë si është gjendja reale. Atje po punohet në galerinë veriore me betonime për ta hapur atë për nevojat e vetë kompanisë", tha inxhinieri, duke shtuar se kompania kishte riaktivizuar tashmë edhe disa gurore, të cilat i kishte mbyllur prej muajsh. Dhe këto duheshin për të mbyllur, siç tha ai, shembjen e ndodhur, për të cilën ende nuk ka nisur ky proces. Një burim tjetër i sektorit të teknikës tha se po mendohej të mbushej hapësira e shembur, e cila ende nuk është verifikuar, me materiale të lehta por të qëndrueshme. Ndoshta me një lloj betoni të përzier me plastikë, apo diçka tjetër dhe vetëm pas këtij momenti do të nisë vendosja e harqeve për betonim. Sipas inxhinierëve, përbënte një problem edhe mënyra se si do të mbushej hapësira e shembur, pasi dihej çfarë hapësire është dhe se vetëm pasi të mbushej hapësira boshe, mund të nisë nxjerrja e inerteve. Sidoqoftë, dëshira e udhëtarëve për të depërtuar tunelin për Vitin e Ri zor do të përmbushet. Për ta mbetet thjesht rruga e vjetër, apo varianti i mbikalimit, i cili kërkon një ndërhyrje për t‘u bërë më pak i rrezikshëm dhe më shumë funksional.

Arsyet e shembjes
Duke biseduar me njohës të fushës së gjeologjisë dhe minierave, del në pah një pyetje e cila meriton të sqarohet. A janë respektuar kushtet teknike nga ndërtuesit, apo u kapërcyen ato duke u bërë shkak për shembjen? "Si mund të ecet me dhjetëra metra avancim pa vendosur armaturë, aq më tepër kur shkëmbi ka strukturë të paqëndrueshme?", tha në mënyrë retorike inxhinieri i minierave P.S., 48 vjeç, i cili nuk punonte në tunel, por që e kishte vizituar në kohën kur galeria veriore ishte e depërtueshme. Ai tha se çdo avancim prej pak metrash në galeri, një miniaturë e tunelit gjigant, shoqërohet me armaturë, në rastin e tunelit me betonim, dhe se sprucimi me beton apo preçinat e futura në mal do të ishin të pamjaftueshme. "Në punën tonë është themelor rregulli "mos avanco pa betonim", kështu ishte atëherë dhe gabime të tilla trajtoheshin si sabotim. Për sot nuk e di se si mund të quhet", tha inxhinieri i indinjuar që, sipas tij, kishte pasur një tejkalim rregullash teknike, sepse ndryshe nuk të ndodhte shembja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›