"Tirana ime beson ende te titulli"
Pas humbjes së dhimbshme në Laç një javë më parë, fitorja e Tiranës në Vlorë ndaj Flamurtarit të hënën ishte shndërruar në domosdoshmëri, pasi nevojitej një reagim, i cili do të tregonte se 24 herë kampionët ekzistojnë ende dhe se lufta për titullin kampion nuk është mbyllur para kohe. Mënyra se si u arrit fitorja nuk ishte për t‘u marrë në konsideratë, pasi niveli i lojës la shumë për të dëshiruar. Por rezultati vlente më shumë në një moment të tillë dhe ai erdhi falë golave të mesfushorëve Sefa dhe Ahmataj. Reagimi i kërkuar erdhi dhe tani te Tirana besojnë ende se i kanë mundësitë për të mbrojtur "kurorën" deri në përfundim të Fazës së Tretë. Por duket se optimisti më i madh është vetë presidenti Refik Halili, i cili është edhe tifozi numër i Tiranës. "Jam shumë i kënaqur që skuadra arriti të merrte në Vlorë një fitore të rëndësishme për ecurinë tonë në kampionat, nënvizoi drejtuesi më i lartë bardheblu. Tri pikët ishin plotësisht të merituara nga futbollistët tanë, të cilët ditën të reagonin në kohën e duhur". Situata jo e mirë në tabelë e renditjes dhe problemet e fundit brenda llojit, kanë bërë që Halili të mundohet të qëndrojë më pranë skuadrës gjatë kohëve të fundit. Interesimi i tij është i gjithanshëm deri edhe te gjendja e lojtarëve të veçantë. Por prononcimet e stafit teknik dhe atij mjekësor e kanë kënaqur bosin bardheblu, i cili tashmë është bindur se ka një ekip të kompletuar, i cili mund të ecë përpara, drejt realizimit të objektivave në këtë sezon. "Kemi një skuadër të mirë dhe unë kam besim te futbollistët, të cilët në pjesën e mbetur të sezonit duhet të japin maksimumin", nënvizon presidenti bardheblu, i cili, edhe pse e respekton Dinamon, si një kundërshtar për t‘u mundur në këtë sezon, thekson se distanca mes bluve kryesues dhe Tiranës është plotësisht e rikuperueshme deri në përfundim të sezonit. "Dinamo ka një skuadër shumë të mirë dhe është favoritja kryesore për të fituar titullin në këtë sezon, sqaroi më tej Halili. Por kampionati është ende shumë i gjatë. Sapo është mbyllur faza e parë i tij. Ne vazhdojmë të besojmë ende te rifitimi i titullit kampion, duke shpresuar te hapat e gabuar të rivalit tonë kryesor gjatë pjesë së mbetur të ndeshjeve". Problemet për Halilin dhe Tiranën e tij nuk kanë pasur të sosur. Pas shumë peripecive, mundi të merrte i vetëm drejtimin klubit. Por rikonfirmimi si president nga një asamble e dytë, i mori shumë kohë dhe i la pak mundësi të bënte një merkato të mirë për të përforcuar skuadrën, që duhej të përgatitej për pjesëmarrjen në Champions League. Sfida e dyfishtë me norvegjezët Stabaekun, nisi me një barazim shpresëdhënës 1-1 në kryeqytet, por dështoi me një humbje 0-4 në transfertë. Humbja është shndërruar në një tjetër gangrenë për Halilin dhe klubin e tij, pasi UEFA e ka inkuadruar në listën e shtatë ndeshjeve të hetuara prej saj për trukim rezultati, ku janë edhe dy takimet e Vllaznisë me Rapidin e Vjenës në turin e dytë të Europa League. Fillimi i kampionatit nga kampionët në fuqi të vendit ishte jashtë mase zhgënjyes dhe rikthimi nisi vetëm pas javës së shtatë. Megjithatë ulje-ngritjet e shumta, si humbja me Laçin nuk është se premtojnë shumë për të ardhmen.