E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me imazhet e kaleidoskopit

Ajo çka bën përshtypje më shumë këto ditë ka lidhje të drejtpërdrejtë me faktin që opinioni publik në Shqipëri dhe qëndrimi politik ndër aleatët më të mëdhenj të saj po ziejnë nga shqetësimet, dyshimet, deklaratat dhe ultimatumet për (pa)mbështetjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të këtij vendi problematik të Ballkanit, në një kuadër ligjor të paqartë dhe në praktika mosekzistuese, gjatë marrjes së vendimeve për nxjerrjen e rezultateve të zgjedhjeve të fundit për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore. Ky lloj vlimi po lëshon çdo ditë e më shumë stërkala të nxehta, pas shqiptimit dhe zbardhjes së vendimit të fundit të Kolegjit Zgjedhor për rrëzimin e padisë së opozitës, e cila kërkonte shfuqizimin e vendimit nr. 709, datë 23.05.2011 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Argumenti i hedhur nga gjyqtarët e Apelit, me këtë rast shprehej, se vendimi përkatës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk gëzokërka cilësitë e një akti normativ në kuptim të nenit 23/2 të Kodit Zgjedhor, por përbën një akt individual, që në kuptim të nenit 24/1, paragrafi i fundit, i këtij Kodi miratohet me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të KQZ–së. Për marrjen e një vendimi të tillë, Kolegji Zgjedhor u justifikua me pretendimin, sipas të cilit, nga ana e PSSH–së i ishte paraqitur për shqyrtim një padi e natyrës administrative, për shqyrtimin e së cilës do të mund të vlenin rregullat ‘sui generis’, të parashikuara jo vetëm në Kodin Zgjedhor, por edhe në disa dispozita të Kodit të Procedurave Civile dhe të atij të Procedurave Administrative. Prandaj, si objekt i kontrollit gjyqësor ‘ex post’ do të konceptohej ligjshmëria e aktit administrativ të kundërshtuar nga opozita.
Në këto radhë do të ishte e tepërt dhe madje e lodhshme për lexuesin, të specifikoheshin e të debatoheshin të tëra arsyetimet e hedhura në vendimin e Kolegjit Zgjedhor. Por, mbase do t’ia vlente që fillimisht t’i krahasonim të gjitha këto degdisje apo përpëlitje juridike me sajesa të vetëdijshme pamjesh ireale të procesit, që u afrohen imazheve të kaleidoskopit, të cilat duken në çdo rrotullim të ndryshme, megjithëse përpara syve del e njëjta gjë. Pra, mbi çfarë baze ligjore u bë rinumërimi i votave, për të shpallur përfundimisht fituesin e postit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Dhe, që këtej lind pyetja, në bazë të mënyrës së shprehur nga Kolegji: a ka të drejtë KQZ–ja të marrë vendim pa shumicë të cilësuar të votave, kur është fjala për rregullimin e një marrëdhënieje juridike që përfshihet në administrimin e procesit elektoral? Të shpjegohemi, qoftë edhe pjesërisht, qoftë edhe shkurtimisht, të imponuar prej formatit të ngushtë gazetaresk.
Sipas nenit 24/1/d të Kodit Zgjedhor, konsiderohen të miratuara, kur votojnë “pro” jo më pak se 5 anëtarë të KQZ–së, vendimet për aktet me karakter normativ dhe që kanë për qëllim rregullimin e çështjeve që lidhen me zgjedhjet. Në këtë kuptim, vendimi i KQZ-së për konsiderimin si të pavlefshme, apo rinumërimin e votave të gjetura në kutitë e gabuara, nuk mundet kurrsesi të klasifikohet si një akt individual, ashtu si për probleme të brendshme organizative gjatë funksionimit të këtij institucioni. Pra, referimi i Kolegjit te paragrafi i fundit i nenit 24, sipas të cilit “vendimet e tjera miratohen me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të KQZ–së”, duket që nuk përshtatet për t’u mbështetur në hedhjen poshtë të padisë së paraqitur. Përkundrazi, po të merret parasysh, gjithashtu, që Kodi Zgjedhor është edhe në vetvete një Ligj integral, mund të hidhen sytë te neni 106 i tij, një dispozitë e të cilit urdhëron që të konsiderohen të vlefshme vetëm votat e hedhura në kutinë përkatëse. Nëse, Kryetari me shokë i KQZ–së nuk do të ishin në gjendje të interpretonin në mënyrë të pakontestueshme legjislacionin organik, mbi të cilin duhet më së pari të mbështesin veprimtarinë e tyre, nuk mund të jetë Kolegji Zgjedhor ‘streha bujare’ e tyre. Madje, as nuk do të kishin nevojë për këtë strehë. Mjaftonte t’i drejtoheshin vetes së tyre, të kthenin sytë te aktet e institucionit ku ngrohen e freskohen nga ‘shpirtmadhësia’ e atyre që i kanë zgjedhur. Dhe, ja sepse raporti i OSBE/ODIHR–it i publikuar më 5 qershor 2007, me konkluzionet për zhvillimin e zgjedhjeve të pushtetit vendor në shkurt të atij viti, përmend në faqen 18 të tij edhe gjetjen në Tiranë të shumë fletëve të votimit, të cilat u konsideruan të pavlefshme, ngaqë kanë pasur ngjyra të zbehta, dhe hedhja e tyre iu drejtua nga qytetarë të ndryshëm kutive të gabuara. Sipas raportit, ligji nuk e zgjidhte këtë problem, por Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi atëherë që ato fletë të konsideroheshin të pavlefshme. Pra, u krijua praktika në këtë fushë. Po tani, a mund të justifikohet vendimi me kuorum të mangët i këtij institucioni, për t’i dhënë zgjidhje në mënyrë të ndryshme një problemi të trajtuar edhe më parë?! Në fund të fundit, paqartësia e ligjit apo e precedentit, e zakoneve apo e moralit mund ta bëjnë të drejtën të paqëndrueshme dhe t’u vërë detyrën gjykatave ta shpallin atë me fuqi prapavepruese në ushtrimin e një kompetence ligjore. Në raste të tilla, siç është shprehur prej kohësh doktrina juridike, gjithçka që mund të bëjnë palët në një mosmarrëveshje është shprehja sa më e mirë e rregullit dhe mbajtja e një qëndrimi në përputhje me të. Këto raste të atykëtushme dhe relativisht të rralla nuk mund t’i pengojnë organet e pushtetit publik dhe aq më pak gjykatat, që të hedhin vështrimin në raste të tjera të panumërta që nuk janë as të paqarta, as kontradiktore dhe as të mundshme për gjykime të ndryshme. Do të shfaqej një pamje e rreme e tablosë, po të ngulej vështrimi vetëm te parcelat boshe dhe të mos dëshirohej të shiheshin sipërfaqet e mbjella dhe të frytshme.
Mirëpo, tashmë bëhet e qartë që vështirësia buron nga frika, nga korrupsioni apo nga paaftësia, për të dalluar të drejtën nga kompetenca, urdhërin e mishëruar në një vendim nga parimet juridike, të cilave gjyqtari domosdoshmërisht duhet t’u bindet. Për shembull, relatori i çështjes në fjalë, pa dashur unë t’u vë veshin gjithçkaje që thuhet për të tek u fshihej subjekteve politike, ngaqë nuk ia kishin sjellë akoma ‘zbardhjen’ e vendimit, vete e flet përçart në mikrofonin e radios gjermane ‘Dojçe Vele’. Ja se si u shpreh, veç të tjerash, ai “...Kolegji Zgjedhor gjykoi që akti normativ i KQZ–së nuk kishte të bënte me gjithë territorin e Shqipërisë, por vetëm me një njësi zgjedhore, atë të Tiranës, dhe si i tillë, nuk krijonte një normë për gjithë vendin”(?!). Pra, relatori i çështjes, njëherësh, kryesuesi i trupës gjykuese e pranonte se ai vendim i KQZ–së thirrej ‘normativ’. Por, me çka kuptohet, sipas tij nuk mund të krijonte një normë, meqë neni 23/2 i Kodit Zgjedhor përcakton se “aktet me karakter normativ të KQZ–së kanë fuqi mbi të gjithë territorin e vendit dhe janë të detyrueshme për të gjithë”. I shkreti gjyqtar, nuk bën dot as dallimin ndërmjet zgjedhjeve të përgjithshme dhe atyre për qeverisjen vendore, organet e të cilave votohen të ushtrojnë mandatet në territore të perimetruara! Kur u publikua vendimi i ‘arsyetuar’ ishte e kuptueshme që ata që e patën dërguar atë nga jashtë Kolegjit të mos e përsërisnin gabimin e gjyqtarit, përderisa patën vendosur që më parë ta titullonin aktin e KQZ – së si jo normativ, por thjesht individual.
Meqë mbërrita këtu, lexuesi do të kishte edhe pakëz durim apo mirësjellje që të më lejonte të vazhdoja të shprehesha me të njëjtën liri shprehjeje. Në dritën e diellit duket që bërthama e çështjes është kjo: një shtet brenda shtetit, siç është thënë shpeshherë, vetëm dhunën njeh. Pra, të drejtën e të fortit me muskujt e pushtetit, që nuk i përmbahet asnjë kriteri tjetër gjykimi, veç atij që ka të bëjë me ndryshimin midis mposhtjes së kundërshtarit në një fushë të hapur e me armë të njëjta dhe vrasjes së tij në prita e skuta. Imponimet diktatoriale në këtë fushë vazhdojnë që të tentojnë instalimin edhe të sistemit të ‘anarkisë juridike’. Por, koha e këtij farë sistemi po përjeton grahmat e fundit. Sa do të zgjasin ato? A do të mund të ngulçin edhe javën e ardhshme nën gjykimin e stafit të të njëjtit kolegj me atë të para dy viteve? Vështirë të jepet që tani një përgjigje e saktë. Ama, diçka është e sigurt: gjyqtari nuk mund të bëjë apo të pranojë inovacione si t’ia dojë qejfi apo t’ia mbajë xhepi; ai nuk është kalorës endacak, që të bredhë mbi yzengjitë e stolisura të një pushteti që po zbret nga vakti.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›