E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Më ktheni emrin, jam vrasës”

19/08/2009  Çudia në Itali. Shqiptari dorëzohet pas 12 vjetësh me identitet të rremë, kërkohej për vrasje

Policia verifikon identitetin e vërtetë të 51-vjeçarit nga Tirana që fshihej në Itali

REGGIO EMILIA- Një shqiptar që kërkohej për vrasje në vendin e tij e strehohej në Itali, ka shënuar një rast të pazakontë në historinë e dosjeve policore, pasi pas 12 vjetësh me identitet të rremë, ai vendos t’u dorëzohet uniformave blu. “Unë nuk jam ky person që figuron në listat tuaja, jam një njeri tjetër, me emër komplet ndryshe. Më vini prangat dhe më dërgoni në Tiranë. Më ktheni identitetin tim”. Kështu mësohet të jetë shprehur 51-vjeçari nga Tirana, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur nga mediat italiane. Policia verifikoi edhe vendimin e Apelit në Tiranë që e dënonte me burg. Historia e pazakontë i ka rrënjët në vitin 1992, kur ky person atëherë ishte 32 vjeç dhe u arrestua për një vrasje. Gjatë trazirave të vitit 1997 ai mundi të arratisej nga burgu dhe prej aty nisi historia e tij, ku fillimisht ndërroi identitetin e më pas shkoi në Itali ku në vitin 1999 mundi të siguronte një pasaportë false. Kësisoj ai mundi të mbijetonte, duke gjetur fillimisht një punë në Rexho Emilia, ku u pajis edhe me dokumente të rregullta dhe patentë. Jeta e arratisjes vazhdoi deri në vitin 2005, kohë në të cilën ai u gjet i papunë dhe nuk kishte mundësi që të shtynte më tej lejen e qëndrimit në këtë zonë. Për katër vjet me radhë e ka luajtur në mendje idenë e dorëzimit. Pasi vendosi ta bënte një gjë të tillë, 51-vjeçari u paraqit në polici dhe me qetësi tregoi historinë e jetës së tij që nga arratisja nga burgu e deri në ditët e sotme. Pasi paraqiti dokumentet aktuale të tij dhe familjes, i akuzuari la me gojë hapur të gjithë oficerët, të cilëve u është dashur vetëm pak kohë për ta verifikuar këtë informacion që në fillim dukej i pabesueshëm. Pas kësaj, policia po kryen të gjitha veprimet e duhura për t’ua dorëzuar këtë person autoriteteve shqiptare, ku ai do të vuajë dënimin për vrasje në vendin e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›