E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherefedin Shehu: Buxheti do të rishikohet në shtator

19/08/2009  Zëvendësministri i Financave shpjegon se kjo është procedurë normale ligjore

Qeveria do të paraqesë në Kuvend në muajin shtator draftin me rishikimin e zërave të buxhetit. Pritet që të ketë një rishpërndarje të fondeve, për të cilën të gjitha ministritë janë udhëzuar që të rishikojnë projektet dhe buxhetet e investimeve, me tendencë për të çuar paratë atje ku ka më shumë nevojë. Këto ndryshime në buxhetin e vitit 2009, sipas zëvendësministrit të Financave Sherefedin Shehu janë një procedurë normale ligjore. “Do të bëjmë rishikim buxheti, sepse ky është një detyrim ligjor. Kur themi rishikim buxheti kemi parasysh rishpërndarje, pra marrje të fondeve nga projektet apo ministritë ku ato nuk janë shpenzuar dhe do t’i çojmë atje ku nuk janë shpenzuar. Pra gjithë rishikimi i buxhetit ekzistues synon që të ulë presionin e shpenzimeve në fund të vitit. Por shqetësimi real është që disa ministri të cilat nuk garantojnë shpenzimin e fondit të tyre. Ne do t’i marrim fondet e tyre dhe do t’i çojmë në ministri apo projekte që janë në proces dhe që garantojnë kryerjen e këtyre shpenzimeve,” – është shprehur zëvendësministri. Sipas tij është e nevojshme që të ketë një shtrirje sa më të unifikuar të investimeve në mënyrë që ato të mos digjen në fund të vitit. “Ne duam të dimë sa para mund të shpenzohen deri në fund të vitit dhe sa para mund të mbeten pa shpenzuar. Nëpërmjet këtij procesi ne duam të krijojmë një fond të ri kontigjence për ta përdorur në rast nevoje”, - ka theksuar Shehu. Qeveria deklaron se i ka të ardhurat e mjaftueshme për të vijuar me investimet dhe shpenzimet e tjera në të ardhura. Gjithsesi, drejtuesit e dikasterit të Financave nuk mohojnë faktin se deficiti ka kapur shifra mbi 6 miliardë lekë dhe është shkaktuar kryesisht nga doganat. “Vazhdojmë të kemi një deficit në pjesën tatimore prej 6 miliardë lekësh. Ky deficit është tërësisht i mbuluar me kontigjencat që ne kemi në buxhet. Pra ky mosrealizim nuk e cenon kryerjen e shpenzimeve. Ndërkohë ne kemi edhe një kontigjencë tjetër që është pjesë e të ardhurave nga privatizimet strategjike sepse privatizimet e zakonshme hyjnë në buxhet si të ardhura të zakonshme. Të ardhurat nga privatizimet strategjike do të kontribuojnë në rritjen e investimeve publike,” - sqaron Sherefedin Shehu. Nëse ndryshimet buxhetore do të jenë në shifra të ulëta Qeveria ka të drejtën t’i realizojë ato edhe pa miratim në Parlament.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›