Berisha: Bashkëpunimi mes dy vendeve në një stad të ri, marrëdhëniet bazohen në një model partneriteti”
Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim Ambasadorin e ri të Danimarkës në Shqipëri, Karsten Ankjaer Jensen. Kryeministri Berisha i uroi Jensen mirëseardhjen, si dhe shprehu mirënjohjen për përkrahjen që Danimarka i ka dhënë Shqipërisë në të gjitha fushat e zhvillimit, veçanërisht në procesin e integrimit të vendit në NATO dhe Bashkimin Evropian.
Ambasadori i ri danez vlerësoi lart zhvillimet pozitive në Shqipëri, duke u shprehur se misioni diplomatik danez në Tiranë po punon fort për nxitjen e sipërmarrjeve daneze për të investuar në Shqipëri.
Kryeministri Berisha bëri një paraqitje të reformave të suksesshme të realizuara në vend, si rezultatet në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, krijimin e një klime lehtësuese dhe mbështetëse për biznesin vendas e të huaj, reformat ekonomike, fiskale, politikat e uljes së taksave, “one stop shop” për regjistrimin e bizneseve, vendosjen e prokurimeve elektronike, taksave on-line, reduktimin e lejeve dhe licencave, etj. Kryeministri shprehu përkrahjen e plotë të qeverisë shqiptare për investitorët danez për të investuar në Shqipëri, duke siguruar se do të gjejnë të gjitha lehtësitë për aktivitetin e tyre. Kryeministri Berisha theksoi se qeveria është e përqendruar në këtë vit elektoral në realizimin e standardeve më të mira për zgjedhje konform standardeve ndërkombëtare. Për këtë, sipas tij, po punohet së bashku me opozitën për të përfunduar së shpejti ndryshimet në Kodin Elektoral, ndërkohë që qeveria ka përfunduar tashmë regjistrin elektronik të shtetasve dhe në fillim të vitit 2009 nis shpërndarja e kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike.
Kryeministri Berisha dhe Ambasadori i ri danez vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve. Ambasadori i Danimarkës theksoi se bashkëpunimi mes dy vendeve po kalon në një stad të ri, ku marrëdhëniet do të bazohen në një model partneriteti.
...