Itali, 22 të arrestuar për drogë, mes tyre shqiptarë
ROME- 22 persona mes te cileve italianë, nigerianë dhe shqiptarë jane arrestuar në kuadër të një operacioni policor në orët e para të mëngjesit të sotëm në Itali. 22 të arrestuarit dyshohen se janë anëtarë të një organizate të specializuar në trafikun e kokainës dhe heroinës. Rreth 100 agjentë të Skuadrës të Lëvizshme të Veronës, ekzekutuan 22 urdhër arrestet me burg ne Veneto, Lombardi dhe Trentino. Hetimet e policisë italiane, kishin nisur në janarin e vitit te kaluar dhe zbuluan se organizata importonte kokainë dhe heroinë që shpërndahej në Italinë e Veriut, deri ne 2 kg droge në javë, duke siguruar një fitim prej disa qindra mijëra eurosh. Sipas hetuesve më pas këto para transferoheshin në vendet nga vinte kokaina. Organizata, sipas policisë italiane, karakterizohej nga përbërja e shumëllojshme etnike dhe anëtarët e saj punonin si një e tërë dhe jo të ndarë në grupe të tjera, sic ndodh zakonisht në këto raste. Gjatë hetimeve janë identifikuar qindra blerës të kokainës dhe heroinës, të rritur dhe adoleshentë, sa studentë aq dhe punëtorë, të punësuar dhe profesionistë.
(s.g/BalkanWeb)