E Diel, 1 Nëntor 2026

Me “paçavure” për zemër

Kur thuhej dikur që njerëzit në marrëdhënie me njëri–tjetrin bëjnë si hëna, pra tregojnë të njëjtën fytyrë, ky konstatim nuk ka pasur jetë të gjatë. Sepse, gjithnjë e më tepër është vërtetuar që shumë prej nesh e kanë dhunti të lindur aftësinë për ta shndërruar pamjen e vet në një maskë që paraqet atë çka duhet të jetë dhe jo atë çka është. Por ja që maska llogaritet për individualitetin personal, prandaj ajo përshtatet përsosmërisht dhe përdoret përpikmërisht me fytyrën, duke u shfaqur kështu e gënjeshtërt edhe atëherë kur disa i detyron nevoja ta vënë. Ky rit, i përsëritur dendurazi edhe prej ca njerëzve të njohur, një ditë i bën të tjerët të mos çuditen dhe mrekullohen më nga ndryshimet mashtruese. Ashtu sikurse e marrin vesh që, për shembull, mes nesh shumë mjekë e kanë zëvendësuar betimin e Hipokratit me atë të hipokritit, ndaj nuk u zihet besë gjithmonë. Por ama, kur e njëjta maskë e mjekut njësohet me atë të politikanit, të cilit ndjenja të turbullta i vlojnë në shpirt dhe ide djallëzore në kokë, atëherë përherë e më tepër besimi te ai merr arratinë dhe bashkëqytetarët i kthejnë kurrizit, pa u tunduar madje as nga ndonjë kureshtje që zakonisht del shumë shpejt e pavlerë.
Kështu ka ngjarë dhe po ndodh në këtë vend, por gjithnjë e më shpesh edhe jashtë tij, me një kryeministër si Doktor Berisha. Së fundmi, me qëndrimin e mbajtur nga ai si lider i maxhorancës qeverisëse, për të mos u përfshirë në dialogun politik me opozitën, në atë dialog që do të çelte dhe mundësonte një sërë reformash demokratike e juridike në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit europian. Ngurrimi, apo vendosmëria për të mos hequr nga kjo rrugë barrierat penguese, më së shumti shpjegohet me frikën e tij nga cedimi prej pushtetit absolut, me të cilin është mësuar të qeverisë dhe e ka ndihmuar të bëjë e zhvillojë korrupsion absolut. Ky epilog i një të tashme dramatike për tërë vendin dhe shumicën e popullsisë së tij ka në përmbajtje shfaqje hipokrite me tonalitetet më të larta, që tingëllojnë si grahmat e fundit të atij që Befana pret t’i vërë fshesën e saj ungjillore. Çfarë po ndodh?
Me hyrjen e opozitës në Kuvendin e Shqipërisë u shpresua që do t’i vinte fundi krizës politike dhe institucionale dy-vjeçare që ka kapluar vendin. Sigurisht, pa harruar që ky hap pozitiv do të merrte si përgjigje jo vetëm vlerësimet e aleatëve ndërkombëtarë, por njëherazi krijimin nga maxhoranca të hapësirave të gjera parlamentare për zhvillimin në mënyrë të dyanshme dhe konkrete të dialogut pozitë–opozitë, duke e çliruar atë nga shprehja e mllefeve të zakonshme dhe nga pafundësia e debateve shterpë. Por, jehona e thirrjeve për një të tillë dialog me sa kuptohet nuk gjeti terrenin e përshtatshëm, përderisa shumica parlamentare e diktuar në çdo fjalë dhe votë të saj nga Kryeministri Berisha përpiqet ta shfrytëzojë pjesëmarrjen e opozitës në punimet e organit të lartë legjislativ të vendit për t’u miratuar të gjitha aktet që kërkojnë shumicë të cilësuar pa ia nënshtruar projektet të tyre diskutimeve dhe ndryshimeve të nevojshme. Kështu, deputetët opozitarë nuk kanë gjetur ende një klimë të favorshme, për të kontribuar në vënien në lëvizje të të gjitha kapaciteteve parlamentare dhe institucionale.
Nga kjo panoramë e zymtë, ku politika shqiptare paraqitet edhe pas dy vjetësh në një stanjacion kritik, dëshpërues, lideri i opozitës pati kurajën dhe gjeti mënyrën më të mirë të mundshme t’i ofrojë shumicës qeverisëse një mundësi marrëveshjeje konkrete, nëpërmjet një dekalogu pikash, diskutimi i të cilave mbase do të sillte një spostim të frytshëm nga gjendja e mëparshme. Ndërkohë që u bë e qartë, se do të mirëpriteshin edhe propozimet e tjera nga krahu i maxhorancës, të cilat gjithashtu do të kishin privilegjin që, qoftë edhe me ndonjë kundër – ofertë, të zinin vend dhe të bëheshin pjesë e dialogut bilateral, madje edhe atij me pjesëmarrje të të gjithë aktorëve politikë efektivë të vendit. Por, fatkeqësisht, ende pa u ndezur dritat mbi skenën e shumëpritur, sipari ra vrullshëm, duke e mbuluar këtë skenë në çdo cep të saj dhe, njëherazi, duke krijuar një pështjellim shqetësues në platenë, ku pas një harku kohor të nevojshëm që varet nga shkalla e dramacitetit të pjesës, gati të gjithë e fshinë prej mendjes atë që zakonisht sugjeron jeta: në pritje duhet durim.
Në tërë këtë tollovi zhurmëmadhe, por pa asnjë rrugëdalje, nga mbrapa skenës u dëgjuan dhe vazhdojnë të dëgjohen ca zëra të ngjirur, që nuk arrijnë të të bindin për vërtetësinë e atij mësimi jetik të mësipërm. Madje, që nuk shpresohet t’u ngjajnë qoftë edhe me një qime atyre veprave të konceptuara me objektivitet të atillë, saqë edhe me djallin brenda si personazh, na rrëmbejnë, na bindin dhe na detyrojnë të bëhemi pjesëmarrës. Thirrjes së shefit të opozitës: “Dua t’ia kërkoj sot Saliut edhe me zë e me figurë që të vijë në një debat përpara shqiptarëve”, ky i fundit iu përgjigj se debati mund të zhvillohet para zgjedhjeve të 2013. Por, ajo që shumë njerëz i detyron t’i kthejnë krahët kësaj skene të mbuluar nga errësira është klithma epiloguese e Doktor Saliut, i cili prej kohësh nuk shëron njerëz, por është i gatshëm të marrë më qafë një popull të tërë, “Nuk ka marrëveshje më të madhe dhe më të rëndësishme se sa Kushtetuta”. Një thënie, një ulërimë, apo çfarëdo tjetër qoftë kjo, që e shqiptuar nga një personazh i tillë, përmbys e kthen realitetin dhe nuk ia shton vlerat as teatrit absurd.
A ka ekzistuar vërtet mirëkuptim apo marrëveshje midis forcës që drejtohet prej Kryeministrit dhe kundërshtarëve të tij politikë, për hartimin dhe miratimin e Kushtetutës? Rreth këtij “iluzioni” të dështuar, çka nuk e bën aspak të suksesshëm prestigjatorin Berisha, përderisa nuk lë gojëhapur as edhe spektatorët më naivë, këtu mjafton të përmendet që jo vetëm politikanët vendas dhe ata të huaj, por edhe një brez i tërë i këtij vendi nuk mund të mos e mbajnë mend që 14 vjet më parë Partia Demokratike ndoqi rrugën e bojkotit të Komisionit Parlamentar për hartimin e kësaj Kushtetute me asistencën e organizmave ndërkombëtare, veçanërisht të Komisionit të Venecias. Këtë qëndrim, ajo e “argumentoi” me deklaratën bërë në Kuvend (pas konstituimit si rrjedhojë e zgjedhjeve të 29 qershorit të vitit 1997) nga grupi parlamentar i saj, duke u shprehur që Parlamentit i mohohej legjitimiteti i duhur për miratimin e Ligjit Themelor të shtetit, ngaqë ai na paskej qenë rezultat i një zgjidhje politike të tryezës së partive dhe jo i shprehjes reale të vullnetit të popullit. Dhe, megjithëse ishte e qartë që pas miratimit të kësaj Kushtetute në Kuvend më 21 tetor 1998, aprovimi përfundimtar i saj pas një muaji do t’i drejtohej elektoratit shqiptar nëpërmjet referendumit, rrugën e bojkotit edhe të këtij akti tentoi ta përcjellë Doktor Berisha në masën e gjerë, ose të paktën te mbështetësit e tij të zmbrapsur në opozitë. Por, rezultatet e referendumit popullor me votën masive të zgjedhësve bënë të mundur sanksionimin e Kushtetutës, e cila u shpall me dekret të Presidentit të Republikës më 28 nëntor 1998.
Pas krijimit të këtij kuadri demokratik kushtetues, që i hapte rrugë vendosjes në Shqipëri së shtetit të së drejtës, Sali Berisha me grupin e vet parlamentar qëndroi edhe ca kohë jashtë Kuvendit, duke bërë me dije opinionin publik që nuk do ta njihte Ligjin Themelor të shtetit dhe arriti deri atje sa ta quante këtë akt madhor një “paçavure”. Kurse, afro tre vjet pas ardhjes në pushtet të Partisë Demokratike dhe emërimit të tij në postin e Kryetarit të Këshillit të Ministrave, Doktor Saliu shfrytëzoi një kërkesë të shefit të opozitës, Edi Rama, për amendimin e nenit 64, që kishte të bënte me ndryshimin e sistemit zgjedhor, duke i kërkuar rivalit politik në këmbim të plotësimit të kësaj kërkese edhe disa amendime të tjera kushtetuese, të cilat u miratuan në sallën e Kuvendit brenda një nate. Këto amendime po, mund të thuhet se ishin një marrëveshje. Një marrëveshje e zhvilluar mbrapa kulisave dhe e materializuar me nxitim të pashpjegueshëm, nëpërmjet hyrjes në fuqi të Ligjit nr. 9904, datë 21.04.2008, një marrëveshje që plotësonte mjaft disa synime politike personale të Sali Berishës dhe pengonte seriozisht veprimin e forcimin e shtetit të së drejtës në funksionimin normal të raporteve midis Legjislativit dhe Ekzekutivit, në zgjedhjen me rëndësinë e duhur dhe ushtrimin pa frenime politike të funksioneve të Presidentit të Republikës etj.
Ngjarjet që pasuan nën ndikimin edhe të efekteve negative të këtyre amendamenteve kushtetuese bënë që jo vetëm të konfiguroheshin më qartë prirjet diabolike dhe despotike të Kryeministrit, por edhe të krijohej një krizë e thellë politike dhe institucionale me vijueshmëri konstante, që ka penguar përparimin e Shqipërisë drejt integrimit europian. Shprehje e kësaj gjendjeje shqetësuese është edhe refuzimi i pritshëm për të dytin vit radhazi i Komisionit Europian ndaj dhënies vendit tonë të statusit zyrtar të kandidatit për në BE. Në këtë kuadër, mund të përmblidhet përgjithësisht reflektimi i Kryetarit të opozitës, nëpërmjet pranimit publikisht prej tij të gabimit për akordimin e asaj marrëveshje. Një reflektim i njëanshëm, që edhe si i tillë do të shpinte natyrshëm, logjikisht në kuadratimin e disa çështjeve të diskutueshme dhe në mirëpritjen e ofrimit nga maxhoranca të shqyrtimit edhe të çështjeve të tjera që ajo do t’i gjykonte të vlefshme. Por, kësaj rezeje dielli midis reve të dendura duket se i është tretur shkëlqimi në prag të një dimri të acartë. Prandaj, vështirë të zhvillohet hë për hë një dialog bipartizan kur, për ta mohuar atë, lideri i maxhorancës tund Kushtetutën dhe nxjerr si pengesë këtë “paçavure”, që ka për zemër. Ndoshta duhet pritur të vijë pranvera, ajo që jemi mësuar ta konsiderojmë si stinë e ndërrimit të gjakut, për të shpresuar edhe në përmirësimin e klimës politike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›