E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me letrën drejtuar Topit, Edi Rama po tenton të themelojë Mitrovicën e Veriut në Tiranë

Edvini i thotë presidentit Topi se hetimin për zgjedhje e ka kryer në mënyrë konfidenciale, duke konfirmuar kështu ngritjen e një strukture paralele, e cila nuk i është bindur ligjeve të shtetit shqiptar.
Qëndrimi anti-zgjedhje dhe përlyerja e 28 qershorit me krimin synon krijimin e një vatre destabiliteti politik në Tiranë, ndërkohë që shifrat dhe shpifjet në raport janë shkruar nga burri i deputetes socialiste Vasilika Hysi, një ish-drejtues burgjesh, që e di mirë se si mund të shfrytëzohet bota e krimit për interesa personale
 
Edvin Rama nuk ka më kohë për të humbur e po shpejton drejt instalimit të një strukture paralele, e cila nuk do t’u bindet ligjeve të shteti shqiptar, por veç vullnetit e ambicies së vet të pamatshme për pushtet. Paçka se është dhe mbeti edhe për katër vjet të tjera në opozitë, Edvini nuk po ndalet, dhe - jonormal siç është - në ambicien e vet, edhe zyrtarisht ka kërkuar dje investimin e kryetarit të shtetit Bamir Topi, për legjitimimin e kësaj strukture okulte.
Me një letër që për nga synimet është pak më shumë se një letër bakalli (meqë s’ka kurrfarë mbështetjeje juridike), Edvini e ka demaskuar presidentin e republikës faqe publikut, duke e detyruar t’i dalë në krah, përndryshe jepet të kuptohet se ai mund të ketë metoda të tjera për t’iu kundërvënë. Në dëshpërim e sipër, Rama ka guxuar të përmendë në letër faktin se informacionet e marra, të cilat “vertetokan” se dosja e manipulimeve zgjedhore, të kryera prej ish-të burgosurve të liruar në mënyrë antiligjore, është siguruar prej tij dhe Partisë Socialiste në mënyrë konfidenciale.
Merret me mend, se në vend të presidentit Topi, por në emër të opinionit publik, pyetjet që dalin, jemi të detyruar t’i artikulojmë vetë, faqe të gjithëve. Ç’është kjo strukturë që i siguroka Edvin Ramës informacione konfidenciale, për çështje me optikë globale dhe me interes kombëtar, si zgjedhjet e përgjithshme? Afërmendsh, që kjo strukturë është një strukturë paralele, që vepron jashtë kuadrit ligjor që organizon institucionet e shtetit shqiptar, është një strukturë e cila duhet hetuar sa më shpejt... Dhe bash këtu duhet të ndalet presidenti i republikës, tek mënyra se si kjo dosje edviniste është hartuar? Vetë Edi Rama nuk e thotë dhe ç’është më e keqja, marrëdhëniet e deritanishme të kryetarit të opozitës me presidentin e republikës (lexo edhe me KLD-në dhe me prokuroren e përgjithshme) kanë qenë të një mirëbesimi të skajshëm dhe krejt jotransparente, prandaj edhe ka pak gjasa që vetë kryetari i shtetit të inicojë një hetim për këtë skemë paralele që paska ngritur shefi mandatprerë i socialistëve.
Por droja është që opozita është futur në një spirale të errët politike dhe po i duhet të punojë në korsi apatride, në mënyrë që të mbijetojë politikisht, pa pasur nevojë t’u drejtohet ndryshimeve të rëndësishme në lidership. Kryeministri Sali Berisha e denoncoi paraprakisht këtë sjellje si një përpjekje për të ndalur lëvizjen e lirë të shtetasve shqiptarë në vendet e Bashkimit Evropian, por letra e drejtuar presidentit Topi, vetmia e qëndrimeve që ajo përmban, injorimi i vlerësimeve të organizmave ndërkombëtare, por edhe injorimi i raporteve paraprake të vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it, flet për një lëvizje të paramenduar, e cila synon ngritjen e një spiraleje destabiliteti në Tiranë.
Edi Rama është fort i izoluar në këtë përpjekje me frymëzime krejt joshqiptare dhe për këtë ka nevojë që ta investojë politikisht edhe presidentin e republikës. Boll u mbajtën llogoret politike në prapaskenë. Kryetari mandatprerë i socialistëve është i dëshpëruar dhe letra e vetme politike që i ka mbetur, ajo e destabilitetit, s’mund të luhet nëse nuk do të ekzistojë bashkëpunimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm. Edi Rama ka nevojë që në Tiranë të ngrejë një vatër destabiliteti politik, njëfarë konotacioni me veriun e Mitrovicës në Kosovë, dhe krahasimi shkon fort në linjë me interesat antikombëtare që boll qarqe shoviniste kanë ndaj kombit shqiptar. Kjo struktura e “informacioneve konfidenciale” të Edvinit mund të lexohet fare mirë përmes sindromës së kriminelit që kthehet në vendin e krimit. Edvini po përpiqet të ngrejë njëfarë tymnaje për cilësinë e mangët të zgjedhjeve në Shqipëri dhe për këtë ai po u referohet informacioneve fluide. Ato s’mund t’i përmendë sepse me sa duket kanë burime joshqiptare, dhe njëlloj edhe në letrën drejtuar Bamir Topit s’kanë asnjë referim. Rama e ndjen se raportimi ka diçka që nuk shkon, prandaj edhe deklarohet se informacionet janë konfidenciale, pasi raporti apatrid i tillë është.
Ky raport gjithsesi ka pasur nevojë për t’u mbushur me shifra, emra e të dhëna që do të mund të mbanin në këmbë një version që as ODIHR e asnjë institucion ndërkombëtar nuk e beson, dhe këtë detyrë, Edvinit ia ka marrë përsipër kamerdarja e këtyre kohëve, Vasilika Hysi. Ditë më parë ajo nxori një paçavure-raport në emër të Komitetit të Helsinkit, të cilin e ka drejtuar edhe formalisht, para se të bëhej deputete e PS-së, ndërkohë që për këtë letrën, mësohet se ka punuar i shoqi, Engjëll Hysi, një ish-drejtues i lartë i Drejtorisë së Burgjeve në epokën socialiste dhe fort i informuar se si përdorej bota e krimit për interesa politike. Çifti “Hysi” ka plotësuar rreshtat bosh të raportit konfidencial që kërkon të prodhojë sindromën e Mitrovicës në Tiranë (e të zgjasë jetën politike të Edvinit)... dhe ja ku jemi tek shpallja publike e letrës me rrëzimin e zgjedhjeve që Edi Rama i drejton presidentit Bamir Topi.
Edhe vetë shpallja e aktit, është në të njëjtën kohë, edhe dëshpërim, edhe turp, por situata do të ishte dyfish më e rëndë, nëse nga presidenca nuk do të kishim një shqiptim refuzues të këtyre kërkesave. Raporti i ODIHR-it do të ishte një çertifikim i duhur dhe i pranuar nga të gjithë, ndërkohë që parlamenti i ri mund të marrë përsipër përgjegjësi të reja për ndonjë gjë që s’do artikulohet qartë në këtë dokument. Për të tjerat, është detyrë e presidentit që të kërkojë nga agjencitë në të cilat ka akses, që të marrë informacionin e duhur për strukturën paralele që ka ngritur kryetari mandatprerë i opozitës dhe hysët në shërbim të tij, por edhe të inicojë hetimin (denoncimin, nëse çështja është ngritur veç në hava, nga dëshpërtimi i Edvinit) për vullnetin e frikshëm të ngritjes në Tiranë të një vatre destabiliteti politik, veç për interesat personale të një individi.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›