Me liberalizimin e vizave fituam nderin

Deputeti Aldo Bumçi Deputeti i Partisë Demokratike Aldo Bumçi e konsideroi vendimin e Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave, si vendimin më të rëndësishëm në histori, pasi sipas tij, shqiptarët fitojnë nderin e tyre të vërtetë, atë evropian. Deputeti demokrat tha se kjo ishte rezultat i reformave dhe punës së çmuar të autoriteteve qeveritare. “Kjo nuk do të arrihej nëse nuk do të kishte një vullnet të fortë politik për të ndryshuar Shqipërinë. Pa reformat në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, ne nuk do ta kishim marrë këtë vendim të BE-së”, tha deputeti Bumçi. Ndërsa Edi Paloka, iu referua në fjalën e tij, rolit të opozitës. Sipas tij, PS nuk mund të japë leksione për integrimin, duke qenë se ishte ajo që u mundua ta pengonte atë. “Dëgjon opozitën që jep leksione për integrimin, nga njerëz që dikur nuk kanë kontrolluar dot as njerëzit e tyre, që bënin pjesë në banda si Hakmarrja për Drejtësi. Ata na kërkojnë neve që të jemi parimor pasi pengojmë ne integrimin”, është shprehur Paloka. Deputeti demokrat ka folur edhe për grevën e PS, të cilën e ka cilësuar si një mjet të dështuar të kryetarit Rama për të arritur objektivat e tij. Paloka është shprehur se PS nuk arriti asgjë nga greva, duke qenë se ajo vazhdon ende të flasë me gjuhën e ultimatumeve. “Me ato protesta nuk do të bënin asgjë tjetër veçse do të harxhonin ca para më shumë, do të thërrisnin me forcë punonjësit e bashkive për t’i marrë në miting. Megjithatë, bënë grevën, dolën nga greva dhe prapë s’keni marrë vesh asgjë. Sepse vazhdoni të flisni për fitore dhe ultimatume. I vetmi shans që iu dha Ramës ishte që të dilte nga kurthi që i kishte ngritur vetes”, ka shtuar Paloka.
...