Rama demagog, lëshon ultimatume më pas u kërkon ndërkombëtarëve të mos konsiderojnë qëndrimin e tij

Kuvendi, deputetët e mazhorancës denoncojnë sjelljen me dy standarde të kryesocialistit
Nisi dje si zakonisht punimet e radhës seanca parlamentare e Kuvendit të Shqipërisë me diskutime të lira, duke u ndalur te çështjet e integrimit dhe rolit përkatës të mazhorancës dhe opozitës në këtë proces. Deputetët e Partisë Demokratike dhe partive të koalicionit vlerësuan vendimin e Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave si arritje madhore të vendit, ndërsa dënuan qëndrimin e Edi Ramës, duke e quajtur këtë të fundit si demagog. Ministrja e Integrimit Evropian Majlinda Bregu tha se opozita dhe Edi Rama kanë vënë në ballë të axhendës politike interesat personale, kundrejt atyre të vendit dhe shqiptarëve në tërësi. Ministrja Bregu tha se Edi Rama po shtrembëron deklaratat e ndërkombëtarëve, duke i kthyer ato në ultimatume kundër qeverisë dhe mazhorancës. “Opozita po shtrembëron deklaratat e ndërkombëtarëve të cilët janë shprehur pozitivisht për liberalizimin e vizave për Shqipërinë. Në Samitin e Sarajevës, BE-ja dha garanci për heqjen e vizave pa vonesë për Shqipërinë, por fatkeqësisht opozita është e prirur për të shtrembëruar deklaratat e BE-së. Pak ditë më parë, pas marrjes së aprovimit për vizat, Edi Rama iu drejtua me anë të një letre Presidentit të KE-së Barroso. Rama është bërë qesharak me letrën e tij. Ai jep ultimatume dhe më pas i kërkon ndërkombëtarëve që të mos marrin parasysh qëndrimin e tij. Ai është një lider demagog”, u shpreh ministrja e Integrimit Evropian, Majlinda Bregu Gjithashtu ministria Bregu theksoi se 20-vjetori i rënies së Murit të Berlinit ka një simbolikë të veçantë për Shqipërinë pasi vendi ka bërë hapa përpara. Ajo shtoi më tej se liberalizimi i vizave është tashmë do të jetë realitet për Shqipërinë ndërkohë që vetëm opozita është ajo e cila nuk e pranon këtë realitet.
...